Ndërlidhjet

Bajden rikonfirmon mbështetjen e fuqishme për Kosovën


Xho Bajden dhe Hashim Thaçi (Foto arkiv)
Xho Bajden dhe Hashim Thaçi (Foto arkiv)
Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, gjatë qëndrimit të tij në Uashington, mbrëmjen e së enjtes u takua me zëvendëspresidentin e Shteteve të Bashkuara, Xhozef Bajden, me ç’rast u konfirmua mbështetja e fuqishme dhe e gjithanshme e Shteteve të Bashkuara për Kosovën.

Në njoftimin e Kryeministrisë së Kosovës, Thaçi, në takimin e mbrëmshëm, i ka shprehur mirënjohje të lartë zotit Bajden, për rolin vendimtar që kanë pasur Shtetet e Bashkuara në relacion me të gjitha proceset historike, që ndërlidhen me Kosovën, duke përfshirë edhe marrëveshjet e fundit Kosovë - Serbi.

Nga vizita e kryeministrit Hashim Thaçi në SHBA, përkatësisht takimi me zëvendëspresidentin Xho Bajden.
Nga vizita e kryeministrit Hashim Thaçi në SHBA, përkatësisht takimi me zëvendëspresidentin Xho Bajden.

Zoti Thaçi ka kërkuar nga zëvendëspresidenti Bajden, që Uashingtoni të vazhdojë të luajë këtë rol vendimtar dhe të mbetet promotore e proceseve integruese për Kosovën në strukturat evro-atlantike.

Sipas njoftimit të Kryeministrisë, Bajden e ka përgëzuar Thaçin për rolin e liderit në marrjen e vendimeve të guximshme dhe të duhura në interes të Kosovës.

Ai e ka siguruar kryeministrin e Kosovës se Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të mbeten thellësisht të angazhuara në Kosovë dhe të kërkojnë implementimin e marrëveshjeve të arritura në dialogun me Serbinë.

Xhozef Bajden përsëri ka theksuar se Shtetet e Bashkuara janë të palëkundura në mbështetje të plotë të tërësisë territoriale dhe sovranitetit shtetëror të Kosovës.


"Gënjeshtrat për ndarje"


Të enjten, zoti Thaçi ishte i ftuar edhe në Qendrën për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare në Uashington. Në një fjalim rasti, kryeministri i Kosovës ka akuzuar Serbinë se "vazhdon t’i gënjejë serbët në pjesën veriore të Kosovës, lidhur me mundësinë e ndarjes".

“Tash e 13 vite, serbët në veri janë të gënjyer nga Serbia, se mund të ndodhte ndarja e Kosovës. Por, më 15 korrik të vitit të kaluar, kjo ëndërr e Serbisë është shuar njëherë e përgjithmonë. Kosova do të jetë një, unike dhe me integritet territorial të paprekshëm, të garantuar dhe të njohur ndërkombëtarisht”, tha Hashim Thaçi.

Sipas tij, serbëve u duhen investime dhe programe sociale e jo “mesazhe të vjetra, që ata i mbajnë pengje”.

Ai kërkoi që Serbia të veprojë në mënyrë të civilizuar ndaj Kosovës.

Duke u shprehur për njohjet e mëtejshme të Kosovës, Hashim Thaçi theksoi se Brukseli duhe të bëjë më tepër për të ndikuar në pesë vendet e BE-së, që nuk e kanë njohur Kosovën, ta bëjnë këtë.

Megjithatë ai theksoi se kjo nuk është pengesë për perspektivën evropiane të Kosovës.

“Ajo që është jashtëzakonisht me rëndësi është se vendet e BE-së, edhe këto 5 vende që nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës, në mënyrë unike dhe të bashkuar e mbështesin perspektivën evropiane të Republikës së Kosovës”, tha Hashim Thaçi mbrëmë në Uashington.

Pas Uashingtonit, kryeministri Thaçi e vazhdon turneun në Shtetet e Bashkuara me një vizitë në Nju Jork.(f.b.)
XS
SM
MD
LG