Ndërlidhjet

Karrige në vendin e viktimave


"Linja e Kuqe"

"Linja e Kuqe"

Ekspozita, koncerte e shfaqje janë dhënë për të kujtuar fillimin e rrethimit të Sarajevës nga forcat serbe të Bosnjës, 20 vjet më parë. Bllokada shkaktoi konfliktin në Bosnjë, në të cilin humbën jetën mbi 100,000 njerëz, ndërsa mbi 2.2 milionë të tjerë braktisën shtëpitë.

Saktësisht 11,541 karrige të kuqe janë vënë të premten përgjatë rrugës kryesore të Sarajevës - një për secilin person të vrarë gjatë rrethimit - në manifestimin e quajtur “Linja e Kuqe e Sarajevës”. Në mesin e tyre qindra ishin të vogla - në kujtim të fëmijëve viktima.

Ngjarjet e organizuara për nder të përvjetorit, janë parë si mundësi për qytetarët e Sarajevës për të kujtuar kolektivisht viktimat, për herë të parë në 20 vjet.

Shumë nga ta fshinin lotët teksa kujtonin më të dashurit e tyre të vrarë gjatë rrethimit 44-muajsh të qytetit.

Biba Mehimoviq, duke shikuar rendin e gjatë të karrigeve bashkë me mbesën e saj Sarën, kishte emocione të përziera.

“Jam shumë e trishtuar. Por, në të njëjtën kohë, jam shumë krenare, sepse Sarajeva vazhdon të jetë qytet i secilit, qytet multietnik - për serbët, kroatët, hebrenjtë, romët”, thotë ajo.

Në Rrugën e Titos, për të ndjekur ngjarjet komemorative ka dalë edhe 14-vjeçarja Elma Oçuz. Ajo është shumë e vogël për të kujtuar vetë luftën, por ka dëgjuar shumë histori nga prindërit dhe vëllai i madh.

“Vëllai im ishte shumë i vogël, ushqimi kishte mbaruar dhe kjo ishte shumë e vështirë për prindërit e mi. Është e vështirë edhe për mua ta dëgjoj këtë histori. Por, jam krenare me prindërit, sepse ata ia dolën”, thotë Elma.

Forcat serbe të Bosnjës rrethuan qytetin pasi komuniteti evropian njohu rezultatet e referendumit për pavarësi të Bosnjës nga Jugosllavia federale. Referendumi ishte mbështetur nga boshnjakët myslimanë dhe kroatë, por kundërshtuar nga serbët.

Karriget e zbrazëta...

Karriget e zbrazëta...

Periudha e rrethimit të Sarajevës ka zgjatur gati katër vjet. Ka nisur më 5 prill, 1992, kur ushtria serbe ka marrë kontrollin e Aeroportit Ndërkombëtar të qytetit, ndërsa ka përfunduar më 29 shkurt të vitit 1996, pas nënshkrimit të Marrëveshjes së Dejtonit për Paqe.

Gjatë bllokadës prej 1,425 ditësh, që ishte më e gjata në historinë moderne të Evropës, në kodrat përreth qytetit ishte vendosur artileria e Ushtrisë Popullore Jugosllave, e cila hidhte mbi 300 granata në ditë. Rreth 380,000 njerëz kanë mbetur pa energji elektrike, ujë ose ngrohje.

Mbi 35 mijë ndërtesa, përfshirë spitale, objekte kulturore e fetare, ura, thuhet të jenë shkatërruar plotësisht.

Drejtori i Teatrit boshnjak, Haris Pashoviq, njëherësh organizator i performancës me karrige, thotë se “qyteti duhet të ndalojë për një moment dhe të kujtojë të vrarët gjatë rrethimit”.

“Ata njerëz kanë dhënë jetën për lirinë e këtij qyteti. Ata e donin këtë qytet. U vranë vetëm se ishin qytetarë të këtij qyteti, se ishin në shtëpitë e tyre, në shkollat e tyre... Ata u vranë në spitale, në rrugë, në apartamente, kudo”, tregon Pashoviq.

Në mesin e ngjarjeve përkujtimore, do të lansohet edhe “muzeu virtual”, i cili përshkruan rrethimin e qytetit të Sarajevës.

Ndryshe, kryeqyteti boshnjak këtë të premte ka shënuar edhe një ditëlindje tjetër. Më 6 prill të vitit 1945, Sarajeva është çliruar nga pushtimi gjerman. Në luftën anti-fashiste nga viti 1941 deri më 1945, kanë humbur jetën 10,961 sarajevas.

  • 16x9 Image

    Valona Tela

    Si përgjegjëse për web-faqen e Radios Evropa e Lirë, ekipit në Prishtinë i është bashkuar në vitin 2007. Nga viti 2011 është redaktore emisionesh në selinë qendrore në Pragë.

XS
SM
MD
LG