Ndërlidhjet

Agjencia Kosovare për Produkte Medicinale, është bërë me kryeshef të ri. Ilir Dushi, i zgjedhur për ta udhëhequr këtë institucion, deklaron se AKPM-në nuk e ka gjetur në gjendjen që do të dëshironte.
Planet e mia për të ardhmen e afërt janë ta kaloj gjithçka në formë elektronike.

“Agjencinë kosovare për Produkte Medicinale e kam gjetur jo në gjendjen që do të dëshiroja ta gjej, por jo edhe aq keq. Planet e mia për të ardhmen e afërt janë ta kaloj gjithçka në formë elektronike. Lejet e importit, aplikacionet për regjistrimin dhe aplikimin e barnave, leja e importit të barnave, të gjitha në formë elektronike”, thotë Dushi.

AKPM-ja ka funksionuar qenë me ushtrues detyre një kohë të gjatë, gjë që ka qenë e kundërligjshme. Edhe vetë ministri i Shëndetësisë ka deklaruar për Radion Evropa e Lirë se kjo ka ardhur pasi që nuk kanë pasur kandidatë të preferuar. Konkursi për të parin e AKPM-së është rishpallur disa herë.

E, nga Shoqata e Farmacistëve të Kosovës, mendojnë se me zgjedhjen e kryeshefit, do të ndryshojnë gjërat për së miri. Kadri Bytyçi, anëtar i kryesisë së Shoqatës së Farmacistëve, thotë se kërkesat e kësaj shoqate kanë qenë rregullimi i akteve nënligjore konform me rregullat që kërkohen, duke ia përshtatur rregullave në Kosovë.

“Hapi i parë më i mirë që është bërë, është zgjedhja e kryeshefit, pasi që një kohë të gjatë ka qenë me ushtrues detyre, e që ka qenë e kundërligjshme. Besojmë që kryeshefi i ri do të jetë konform frymës që i duhet kësaj agjencie dhe për të mirën e farmacistëve, pasi që takimin e parë e ka pasur me Shoqatën e Farmacistëve. Ai ka kërkuar përkrahje për rregullimin e këtij sektori që po vuan me vite”, shprehet Bytyçi.

Me problemet që është duke u ballafaquar ky institucion, Ilir Dushi thotë se nuk janë të pakta.
Problemi kryesor është t’i heqim procedurat burokratike dhe të rritet efikasiteti 100 për qind.

“Problemet që jemi duke u ballafaquar janë shumë. Problemi kryesor është t’i heqim procedurat burokratike dhe të rritet efikasiteti 100 për qind”, thekson Dushi.

Kontrabanda me barna është një problem shqetësues në Kosovë. Sipas farmacistëve, kontrabanda është rezultat i mosregjistrimit të barnave të mjaftueshme, derisa, sipas tyre, kërkesat për barna nga pacientët, janë më të mëdha. Dushi deklaron se tashmë e ka paraparë rregullimin e kësaj problematike:

“Barnat që janë të regjistruara në Kosovë, mbulojnë 90 për qind, por ka edhe të tilla që kërkohen e nuk janë të regjistruara. Andaj, unë do të mundohem që t’ua mundësoj pacientëve të importojnë terapinë e vet, jo në të zezën, por ta ketë mundësinë që ta marrë terapinë që i nevojitet, e që nuk është e regjistruar. Me ligjin e ri do të rregullohet, që të kalohet përmes barnatoreve, klinikave të specializuara, por që pacientët do të mund të aplikojnë vetë apo përmes këtyre institucioneve”.

Sipas Dushit, edhe inspektorët farmaceutikë deri tani nuk kanë qenë efektivë aq sa duhet. Ai shpjegon për planin e tij konkret për ta zgjidhur këtë problematikë.

“Numri i inspektorëve nuk është aq i vogël. Problemi është sa janë efikas. Mund të jenë 4 dhe të jenë efikasë, por mund të jenë 20 dhe efikasiteti të jetë zero. Deri tani nuk kanë pasur ndonjë plan veprimi të saktë dhe efikasiteti ka qenë shumë i ulët”, shpjegon Dushi.

Ndërkaq, kryeinspektori farmaceutik, Lutfi Mulaku, deklaron se institucioni në fjalë ka shtatë inspektorë që duhet të mbulojë gjithë Kosovën. Por, në këtë sektor u mungojnë disa udhëzime administrative, e që ua vështirëson punën inspektorëve.

“Ajo çka na mungon, në Departamentin e Inspektoratit është legjislacioni, të cilin kemi filluar ta punojmë. Janë disa udhëzime administrative që do t’ua lehtësojnë punën edhe inspektorëve edhe AKPM së, por edhe subjekteve që punojnë me barna”, sqaron Mulaku.

Sidoqoftë, Ilir Dushi pohon se prej kur e ka marrë mandatin e kryeshefit, më 21 mars të këtij viti, AKMP-ja do të jetë me 0 burokraci dhe 100 për qind e efikasitet dhe, sipas tij, publiku do të ketë qasje në dokumentacionin zyrtar.
  • 16x9 Image

    Ariana Kasapolli - Selani

    Ariana Kasapolli - Selani ka lindur më 15.04.1980 në Prishtinë. Shkollimin fillor, të mesëm dhe universitar e ka ndjekur në Prishtinë, ku edhe ka diplomuar në Fakultetin e Gazetarisë. Si korrespondente e Radios Evropa e Lirë punon që nga viti 2009. Është e martuar dhe ka tre fëmijë.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG