Ndërlidhjet

Anti-korrupsion: S'ka përjashtim nga hetimet

  • RFE /RL

EULEX

EULEX

Misioni i Bashkimit Evropian për sundimin e ligjit në Kosovë është duke hetuar 93 raste që kanë të bëjnë me korrupsion dhe krim të organizuar, bënë të ditur përfaqësues të këtij misioni.

Ata njoftuan se, deri më tani, janë marrë 46 vendime për raste të tilla.

Zëdhënësi i EULEX-it, Nikollas Hotën, i tha Radios Evropa e Lirë, se nga hetimet për krim të organizuar dhe korrupsion nuk do të përjashtohen as zyrtarët e lartë të institucioneve të ndryshme kosovare.
Ajo që mund të them është se EULEX-i do të hetojë rastet serioze të krimit të organizuar e korrupsionit kudo që ndodhin këto krime dhe këdo që përfshijnë ato.

“Nuk do t'i komentoja detajet e hetimeve apo individët që po hetohen. Ajo që mund të them është se EULEX-i do të hetojë rastet serioze të krimit të organizuar e korrupsionit kudo që ndodhin këto krime dhe këdo që përfshijnë ato”, tha Hotën.

Ditë më parë, me urdhër të prokurorëve të EULEX-it, ishte arrestuar ish-kreu i Task-forcës kundër korrupsionit, Nazmi Mustafi, i cili bashkë me Reshat e Xhelal Zherkën dyshohet të jenë të përfshirë në shpërdorim të detyrës apo autoritetit zyrtar dhe ushtrim të ndikimit.

Autoritetet ndërkombëtare dhe shoqëria civile e kishin quajtur shqetësues arrestimin e një personi kyç në luftimin e korrupsionit në Kosovë, ndërsa kishin kritikuar mekanizmat përgjegjës për ngadalësim të dinamikës në vënien para drejtësisë të njerëzve të përfshirë në afera korruptive.

I pyetur për një koment rreth kësaj çështje, Hotën u shpreh:

“Kundërshtoj çfarëdo kritike. Siç e dini rastet serioze të krimit të organizuar dhe korrupsionit marrin javë, muaj e nganjëherë edhe vite të hetimeve edhe sipas dinamikës ndërkombëtare. Në shtetet, si për shembull në Mbretërinë e Bashkuar, rastet e komplikuara të kësaj natyre mund të zgjasin me vite e nuk është më e lehtë në vendet si Kosova”, tha ai për të theksuar rëndësinë për durim dhe maturi deri në zbardhjen e këtyre rasteve.

Përkushtimin e tyre për zgjidhjen e rasteve që kanë të bëjnë me korrupsionin e krimin e organizuar e shprehu dhe Prokuroria e Shtetit të Kosovës.

“Prokurorët e Republikës së Kosovës po u kushtojnë prioritet primar lëndëve të kësaj natyre dhe janë të vendosur dhe të përkushtuar që pa kompromis ta luftojnë korrupsionin në të gjitha nivelet, duke përfshirë edhe atë në radhët e prokurorëve dhe të punësuarve në sistemin prokurorial, si dhe të zyrtarëve të institucioneve të ndryshme në vend”, i tha Radios Evropa e Lirë, Zyra për Informim e këtij institucioni përmes postës elektronike.

Në raportin e fundit vjetor që jep të dhënat për punën e kryer në rastet për korrupsion për vitin 2011, thuhet se prokuroritë e Kosovës, “gjatë periudhës janar - dhjetor kanë zgjidhur 538 kallëzime penale kundër 1038 personave, ndërkaq kanë mbetur të pazgjidhura 421 kallëzime penale kundër 824 personave”.

Gjatë vitit të kaluar thuhet se janë ngritur 107 propozim-akuza kundër 139 personave, 107 aktakuza kundër 478 personave; pastaj thuhet se janë hedhur 165 kallëzime penale kundër 216 personave dhe janë pushuar 31 hetime kundër 71 personave.

Koordinatorja Kombëtare Kundër Korrupsionit, njëherësh prokurore e Qarkut në Prishtinë, Drita Hajdari, bëri të ditur se brenda javës së ardhshme do të jetë gati raporti i punës për periudhën janar-mars 2012.

“Tash jam duke i përgatitur statistikat tremujore dhe besoj që i përfundoj në javën e ardhshme”, u shpreh Hajdari.

Megjithëkëtë, përfaqësues të Gjykatës Supreme të Kosovës kishin bërë të ditur kohë më parë se në këtë gjykatë, deri më tani, nuk është gjykuar asnjë rast që ka të bëjë me korrupsionin.

Sistemi i drejtësisë jo rrallë herë është gjetur në shënjestër të kritikave të organizatave ndërkombëtare për ngathtësi në trajtimin e rasteve që kanë të bëjnë me afera korruptive. Edhe Agjencinë Kosovare Anti-korrupsion ka kritikuar muajin e kaluar hallkën zinxhirore në këtë sistem, duke thënë se gjykatat në Kosovë “nuk janë duke e kryer misionin e tyre”.

Lexoni edhe këtë:
Tre të arrestuar nën dyshimin për korrupsion

Trego komentet

XS
SM
MD
LG