Ndërlidhjet

Dell: Të gjitha partitë të përfshira në korrupsion në shkallë të ndryshme


Ambasadori amerikan në Kosovë Kristofer Dell
Ambasadori amerikan në Kosovë Kristofer Dell
“Korrupsioni tolerohet nga e tërë shoqëria kosovare”, ka thënë ambasadori amerikan në Kosovë, Kristofer Dell, dhe ka shtuar se “partitë, siç shpresohet të ndodhë në demokraci, janë pasqyrim i vet shoqërisë. Prandaj, unë mendoj se të gjitha partitë janë të përfshira në këtë problem në shkallë të ndryshme”.

Këto komente ai i bëri në intervistën për të përditshmen prishtinase, "Kosova Sot".

“Mendoj se ky është problem me tërë shoqërinë; ky problem ngërthen shumë individë të ndryshëm në partitë politike, e jo doemos udhëheqësit”, theksoi Dell.

Sipas tij, “fakti se ligji është në Kuvend dhe partitë nuk po ndërmarrin veprim sugjeron që ajo që kam thënë është shumë e saktë. Të gjitha partitë janë pjesë e problemit”, tha Dell.

Ai ka theksuar se gjëja më e rëndësishme, që duhet të ndryshojë në Kosovë, është pritjet e shoqërisë në lidhje me korrupsionin.

“Së pari, shoqëria duhet ta marrë përsipër të ndryshojë sjelljen e vet në çdo nivel: prej udhëheqjes e deri te qytetari i rëndomtë. E dyta, qytetarët duhet ta përdorin fuqinë e tyre nëpërmjet votës për ndryshim; ta përdorin atë votë për t’u marrë me problemin e korrupsionit. Kështu do të duhej të funksionojë kjo gjë në demokraci”, tha Kristofer Dell për të përditshmen Kosova Sot.
XS
SM
MD
LG