Ndërlidhjet

Opozita e ndodhive


Parlamenti i Kosovës.
Parlamenti i Kosovës.
Partitë opozitare ndajnë mendime të ndryshme në lidhje me shkaqet që çuan deri te braktisja dhe, më pas, kthimi i dy prej tri partive opozitare në Kuvend.

Lëvizja Vetëvendosje, jo vetëm që nuk është kthyer në Kuvend, por ka konsideron se Ligji për ndërtimet dhe ai për ndryshim-plotësimin e ligjit për ndërmarrjet publike, janë imponuar si pasojë e presioneve ndërkombëtare.

Në anën tjetër, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës kanë marrë pjesë në punimet e Kuvendit duke konsideruar se nuk ka presione.

Çështjen e presioneve e ka lansuar Vetëvendosje përmes shefit të Grupit Parlamentar, Visar Ymeri. Gjatë një konference për media, Ymeri ka apostrofuar sidomos zëvendësambasadorin amerikan në Prishtinë, Majkëll Mërfi, të ketë bërë trysni mbi opozitën që të pranojë kthimin në Kuvend dhe miratimin e dy ligjeve të cilësuara si problematike.

“Zëvendësambasadori ka ardhur në atë takim, ka shprehur atë që ka dashur të thotë dhe ka lëshuar takimin. Pra, nuk ka qenë i interesuar fare t’i dëgjojë argumentimet tona dhe në këtë që ka shprehur ka kërkuar dhe insistuar që Ligji për ndërtimet dhe ai për ndryshim-plotësimin e ndërmarrjeve publike, të futen në seancë dhe votohen domosdoshmërisht. Nuk ka dhënë asnjë arsyetim pse është kaq e rëndësishme që të votohen. Në këtë drejtim konsideroj se trysnia ndryshe nuk duket pos kështu”, ka thënë Ymeri.

Mirëpo, ndryshe nga deputeti Visar Ymeri i Vetëvendosjes, janë shprehur deputetët e LDK-së dhe AAK-së. Ata kanë thënë se nuk kishin ndonjë presion nga Ambasada Amerikane, por thjesht kishte një prani të zëvendësambasadorit amerikan në pjesën e parë të mbledhjes së kryetarit të Kuvendit, shefave të grupeve parlamentare dhe nënkryetarëve të partive politike.

Deputeti i LDK-së, Arben Gashi, ka thënë se LDK që nga fillimi e kishte vënë si parakusht heqjen nga rendi i ditës së Ligjit për bankat dhe institucionet mikrofinanciare, çka edhe kishte ndodhur. Andaj, ai ka thënë se nuk sheh ndonjë arsye për bojkotimin e punës së Kuvendit.

“Mund të them që është arritur një marrëveshje në fund që të tërhiqet Ligji për bankat, institucionet mikrofinanciare dhe ato jo bankare është tërhequr. Ky ka qenë objektivi kryesor i LDK-së dhe partive tjera opozitare. Tjerat nuk kam informacione për presione dhe gjëra tjera. Normalisht që është negociuar dhe presioni kohë është gjithmonë kur ka probleme, por nuk mendoj se ka pasur ndonjë kërcënim direkt apo diçka të tillë”, ka thënë Gashi.

Ndërkohë, shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Ardin Gjini, ka theksuar se nuk e ka parë si presion praninë e zëvendësambasadorit amerikan në mbledhjen e subjekteve politike parlamentare.

Madje, ka nënvizuar Gjini, zëvendësambasadori amerikan vetëm ka shprehur pikëpamjet e tij në mbledhje dhe është larguar. Kurse, marrëveshje midis subjekteve parlamentare, ka theksuar Gjini, është arritur pasi që zyrtari amerikan ishte larguar nga takimi.

“Zëvendësambasadori amerikan, Mërfi, ka qenë në takim me kryetarin e Kuvendin, anëtarët e Kryesisë dhe shefat e grupeve, na ka treguar se çka mendon Amerika për disa çështje, me të cilat ne po merremi tani, dhe ka dalë nga takimi. Marrëveshjen mes partive politike e kemi arritur pasi që ka dalë z.Mërfi. Aty jemi marrë vesh që partia në pushtet ta tërheq Ligjin për bankat dhe institucionet mikrofinanciare, e kush çka nënkupton presion është punë e tyre dhe unë nuk mund t’ju them diçka tjetër”, ka deklaruar Gjini.

Sidoqoftë, edhe Vetëvendosje ka paralajmëruar se nga java e ardhshme do të marrë pjesë në takimin e Kryesisë së Kuvendit, pastaj në punën e komisioneve parlamentare, por edhe në seancat e radhës. Ndërkaq, bojkotin do ta përdorë si mjet sa herë që konsideron se po zhvillohen presione mbi ligjvënësit kosovarë.
XS
SM
MD
LG