Ndërlidhjet

logo-print

Shkup: Çështja e emrit, i heq legjitimitetin pushtetit


Ilustrim

Ilustrim

Edhe një muaj pas takimit të kryeministrit Nikollova Gruevski me homologun e tij grek, Llukas Papadhimos, nuk ka as edhe një sinjal për ndryshim eventual të pozicioneve të palëve në bisedime, apo për intensifikimin e tyre, siç pati paralajmëruar kryeministri Gruevski.

Ndërkohë, jozyrtarisht bëhet e ditur se shefi i diplomacisë, Poposki, nga fundi i muajit do të rrumbullakojë të ashtuquajturën “ofensivë diplomatike” me takimet që mund të ketë në Nju Jork me ndërmjetësin Metju Nimic dhe sekretarin e përgjithshëm të OKB-së, Ban Ki Mun. Ky besohet të jetë edhe shansi i fundit në kontekst të lobimit për anëtarësimin e vendit në NATO në samitin e Çikagos.

Por, ndryshe nga pushteti, partitë opozitare tashmë kanë hequr dilemat se të gjitha takimet, sipas tyre, janë vetëm se harxhim i kohës dhe i parave pasi zgjidhja e integrimit, siç thonë nga PDSH-ja, qëndron në ndryshimin e emrit të Maqedonisë dhe me barabarësinë e shqiptarëve në shtet.

“Irelevante janë të gjitha takimet dhe çdo deklaratë që mund të thuhet derisa nuk zgjidhet ajo që është problem kryesor, e që është thënë edhe publikisht nga gjithë faktorët vendosës, dihet se duhet të zgjidhet çështja e emrit. Natyrisht, dihet se në konceptin tonë si PDSH, janë edhe një sërë problemesh tjera që duhet zgjidhur para çështjes së emrit, sidomos ato që kanë të bëjnë me raportet ndërmjet bashkësive etnike, pozicionimin e shqiptarëve aty ku e meritojnë në shtet”, thotë Zijadin Sela, deputet dhe anëtar i Kryesisë qendrore të PDSH-së.

Nga Lidhja Social-demokrate thonë se pushteti aktual nuk do të zgjidhë çështjen e emrit, pavarësisht takimeve që mund të realizojë. Gjithashtu nga LSDM-ja thonë se tashmë Qeveria aktuale është tërhequr ngadalë edhe nga euforia që krijoi në opinion nga vendimi i GJND-së, duke shpallur fitoren kundrejt Greqisë.

“Nuk pres që të ketë diçka të re, pasi asgjë nuk ndodh në negociata. Unë mendoj se Gruevski i ka pastruar të gjitha dilemat, ai nuk e ka ndërmend të kërkojë zgjidhjen e problemit. Kjo është për të ardhur keq pasi ne kemi nevojë për zgjidhje”, thekson nënkryetari i LSDM-së, Zoran Zaev.

Ngecjet në procesin e integrimit kanë shtuar zërat edhe për mundësinë e zgjedhjeve të parakohshme pas samitit të Çikagos. Partitë nuk dëshirojnë t’i komentojnë pohimet e këtilla, por me intensitet të lartë kanë filluar grupimet, në veçanti në bllokun opozitar. Së fundi është njoftuar edhe formimi i frontit të dytë, me në krye ish-kryeministrin Lubço Georgievski, që nuk përjashton mundësinë e futjes në negociata me frontin e madh opozitar që drejtohet nga LSDM-ja e ish-presidentit Branko Cërvenkovski.

Mundësinë për zgjedhje nuk e përjashtojnë as njohësit e zhvillimeve ndërkombëtare. Maqedonia, sipas tyre, nuk duhet të presë asgjë nga samiti i Çikagos, meqë anëtarësimi në NATO nuk do të jetë i mundur pa kompromisin e duhur me Greqinë. Në rrethana të këtilla, Alajdin Demiri, ish-diplomat dhe profesor universitar, thotë se pushteti duhet të kërkojë mandat të ri.

“Humbja e këtij legjitimiteti në situata normale obligon rikërkim ose ribërje të një legjitimiteti të ri ,ose pak të ndryshëm, kjo nënkupton se me automatizëm duhet të shpallen zgjedhje të parakohshme për arsye se kjo politikë e kësaj qeverie nuk jep rezultate dhe është duke e fundosur shtetin”, vlerëson Demiri.
XS
SM
MD
LG