Ndërlidhjet

Kosova përbën popullatë të re në moshë. Vetëm 7 për qind e popullatës i takon moshës mbi 65-vjeçare. Ndërkaq, nataliteti në Kosovë është në rënie, çka do të thotë se popullata po shkon drejt plakjes graduale.

Dita Botërore e Shëndetit Kosovën e gjen në situatë jo të mirë, thonë profesionistët shëndetësorë. Ministri i Shëndetësisë, Ferid Agani, deklaron se gjendja shëndetësore e popullatës në Kosovë nga viti në vit është duke u përmirësuar.

“Ministria e Shëndetësisë është duke bërë përpjekje maksimale që në mënyrë sistematike të adresojë sfidat e ndryshme, me të cilat ballafaqohet popullata; jemi duke punuar në sfidat e grumbulluara nga e kaluara në sistemin e shëndetësisë, si dhe në përpjekje për të ofruar shërbime cilësore shëndetësore për qytetarët. Kurse, në aspektin afatgjatë strategjik, po punojmë në krijimin e një perspektive për sistemin shëndetësor, në përgjithësi”, thotë Agani.

Zyrtarë nga Organizata Botërore e Shëndetësisë, në Kosovë, deklarojnë se, slogani i kësaj dite është “Shëndeti i mirë ju shton jetë viteve”. Sami Uka nga kjo organizatë, thotë se askush në Kosovë sot nuk është i kënaqur me shërbimet që ofrohen nga institucione.

“Nuk është intenca të zgjatet jeta, por të ngrihet cilësia e atyre viteve të jetës. Sa i përket kësaj dite, askush në Kosovë sot nuk është i kënaqur me shërbimet që ofrohen nga institucionet. Vuajmë nga mungesa e organizimit, menaxhimit të shërbimeve shëndetësore, mungesa e sigurimeve shëndetësore, e që ua vështirëson shumë pozitën ekonomike dhe shëndetësore popullatës, në përgjithësi, e në mënyrë të veçantë, popullatës së moshuar që kanë pensione shumë të ulëta, thuajse në formë lëmoshe”, shprehet Uka.

Ndërkaq, Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik ka bërë një hulumtim, lidhur me këtë ditë, në mënyrë që të dihet saktë se si në fakt qëndron Kosova sa i përket shëndetit. Naser Ramadani drejtor i Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik, thotë se gjendja e popullatës në përgjithësi është e vështirë.

“Nga hulumtimi, me mbi 1860 respodentë, ka dalë se gjendja e tyre shëndetësore është e vështirë dhe se jetojnë në kushte të dobëta financiare, pastaj kanë kushte tjera të dobëta të jetesës. Këto nevojitet të dalin si rekomandime nga ky hulumtim: përmirësimi i gjendjes së tyre, në përgjithësi, e sidomos gjendja financiare, si dhe qasja dhe sigurimi i të gjitha barnave për këtë kategori”, bën të ditur Ramadani.

Por, ministri i Shëndetësisë, Fehmi Agani, thotë se në bashkëpunim me autoritetet ndërkombëtare, kanë arritur rezultate për përmirësimin e sistemit shëndetësor, në përgjithësi. Por, sipas tij, rezultatet do të shihen në vitet në vijim.

“Kemi arritur rezultate të konsiderueshme së bashku me autoritetet ndërkombëtare që të kemi një sistem të ri shëndetësor në vend, e që garanton një shërbim më kualitativ për qytetarët”, shton Agani.

Ndërsa, Ramadani pohon se Shëndetësia akoma nuk është prioritet i Qeverisë, andaj edhe Dita Botërore e Shëndetit nuk e gjen Kosovën në nivel të kënaqshëm.

“Ne po insistojmë ta sensibilizojme çështjen në anën financiare dhe në burimet njerëzore, e që janë dy elemente kyçe për stabilizimin e shëndetësisë”, thekson Ramadani.

Sidoqoftë, zyrtarët nga Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik thonë se me hulumtimin e bërë kushtuar Ditës Botërore të Shëndetit, kanë dashur të japin sinjal që popullata po shkon drejt plakjes graduale, edhe pse sipas tyre, kjo kërkon kohë të gjatë, dhe se nataliteti në Kosovë, ka rënë dukshëm vitet e fundit.
  • 16x9 Image

    Ariana Kasapolli - Selani

    Ariana Kasapolli - Selani ka lindur më 15.04.1980 në Prishtinë. Shkollimin fillor, të mesëm dhe universitar e ka ndjekur në Prishtinë, ku edhe ka diplomuar në Fakultetin e Gazetarisë. Si korrespondente e Radios Evropa e Lirë punon që nga viti 2009. Është e martuar dhe ka tre fëmijë.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG