Ndërlidhjet

IHT: Kultura nën zjarr


Buda i Bamianit në Afganistan: Para dhe pas shkatërrimit...

Buda i Bamianit në Afganistan: Para dhe pas shkatërrimit...

" International Herald Tribune"

Shkruan: Irina Bokova


Kultura gjendet në ballë të frontit në konfliktet në botë.

Timbuktu ka rënë në duart e kryengritësve tuaregë dhe të shtëna janë dëgjuar rreth xhamisë së madhe të qytetit, që është nën mbrojtjen e UNESCO-s. Kjo pason bombardimin e qytetit Apamea të Sirisë. Kalaja e Madikit dhe fshatrat antike në veri të Sirisë, që janë të gjitha nën mbrojtje të UNESCO-s, mund të pësojnë dëme kolaterale. Atyre iu duhet mbrojta jonë.

Mund të duket e papërshtatshme që të denoncohen krimet kundër kulturës dhe thirrjet për mbrojtjen e tyre në kohën e paqëndrueshmërisë politike dhe krizës humanitare, por nuk është.

Mbrojtja e kulturës është çështje e sigurisë.

Nuk mund të ketë paqe të qëndrueshme pa respekt. Sulmet kundër trashëgimisë kulturore janë sulme kundër identitetit të komuniteteve. Ato shënojnë një hap simbolik dhe të vërtetë në përshkallëzimin e konfliktit, duke çuar në shkatërrim, ndërsa pasojat do të ndjehen shumë kohë pasi që të jetë ulur pluhuri.

Sulmet në të kaluarën kanë bërë që ripajtimi në të ardhmen të jetë shumë më i vështirë. Ato mund t’i pengojnë shoqëritë nga kthimi i faqes për të vazhduar drejt paqes.

Prandaj, mbrojtja e trashëgimisë kulturore nuk është luks. Nuk mund ta lëmë këtë për ditë më të mira, kur të ftohen tensionet.

Për t’i shtruar rrugën paqes, ne duhet tash të mbrojmë kulturën, tash kur tensionet janë ende të larta.

Ne kemi parë fuqinë e Trashëgimisë Botërore se si i bën së bashku komunitet e ndara dhe se si promovon bashkëpunimin ndërkombëtar edhe në rrethana të vështira.

Unë, personalisht, kam parë në Evropën Juglindore, për shembull, kur UNESCO-ja ndihmoi në rindërtimin e Urës së Vjetër në Mostar të Bosnjës dhe Hercegovinës, gjatë luftës së viteve ’90.

Fuqia e kulturës u shfaq edhe gjatë restaurimit të kompleksit të varrezave Kogurio në Korenë Veriore, të ndihmuar financiarisht nga Koreja Jugore.

Në Tunizi, Egjipt dhe Libi, shoqëritë kanë kthyer sytë drejt trashëgimisë së tyre mijëvjeçare dhe po bëhen bashkë për të parë drejt së ardhmes.
Në këto kohë, kur pasiguria është në rritje, ky është një aset që nuk guxojmë ta injorojmë.

Kjo nuk është e lehtë. Për të pasur sukses, kombet duhet të bashkohen.
Nocioni i Trashëgimisë Botërore është nxjerrë nga ideja e përgjegjësisë kolektive për të mirën e përbashkët. Ka lindur në vitin 1960 në Egjipt, derisa bëhej fushatë ndërkombëtare për të shpëtuar monumentet nubiane dhe shmangien e rrezikut për tempullin Simbel.

Më pak se një gjeneratë pas shkatërrimit nga Lufta e Dytë Botërore, kjo ishte një fushatë për solidaritet global për të ruajtur gurët dhe statujat dhe përmes tyre, një koncept të shpërndarjes së humanizmit.
Sot na duhet lidership ambicioz.

Mbrojtja e trashëgimisë kulturore botërore është shqetësim i të gjithë neve. UNESCO është kujdestar i kësaj ideje dhe kësaj praktike. Ne festojmë këtë vit 40-vjetorin e Konventës së Trashëgimisë Botërore, e cila përqafon këtë vizion.

Ky është një proces i brishtë që nuk mund të merret kurrë si i mirëqenë.

Disa granata janë të mjaftueshme për të shkatërruar një zonë mijëvjeçare përgjithmonë. Të gjithëve na kujtohet shkatërrimi i Budës së Bamianit në Afganistan. Disa orë pelegrinazhi janë të mjaftueshme që objektet tepër të vlefshme të zhduken në trafikim ilegal.

Kjo është arsyeja se pse UENSCO alarmon shtetet për përgjegjësinë e tyre në mbrojtjen e pronave kulturore në rast të konfliktit dhe për të penguar trafikimin ilegal të të mirave kulturore.

Kjo është arsyeja se përse punojmë me autoritetet kombëtare, me Organizatën Botërore të Doganave dhe Interpolin, me Këshillin Ndërkombëtar të Muzeve, si dhe shtëpitë e auksioneve për të mbrojtur trashëgiminë kulturore të njerëzimit dhe të për penguar plaçkitjen e saj.

Ne e bëjmë këtë, sepse besojmë se kultura i ndihmon paqes. Edhe për mbrojtjen e kulturën duhet të ketë përgjegjësi.(a.i.)


* Irina Bokova është drejtoreshë e përgjithshme e UNESCO-s
XS
SM
MD
LG