Ndërlidhjet

Jahjaga: Nuk do të ketë ndarje, e as shkëmbim territoresh


Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga.(Foto arkiv)
Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga.(Foto arkiv)
Nuk do të ketë ndarje të Kosovës, e as shkëmbim të territoreve apo popullsisë ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, si dhe nuk do të ketë zgjedhje lokale serbe në territorin e Kosovës, ka thënë të shtunën presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga. Këto deklarata, presidentja Jahjaga i ka bërë në një takim me gazetarë, në shënimin e njëvjetorit të marrjes së postit të presidentes së Kosovës.
Nuk ka shkëmbim të territoreve dhe as të popullsisë, as në mes të Kosovës dhe në mes të Serbisë.


“Nuk ka ndarje të Kosovës dhe nuk ka ndarje të Serbisë. Nuk ka shkëmbim të territoreve dhe as të popullsisë, as në mes të Kosovës dhe në mes të Serbisë. Zgjedhjet lokale (serbe) nuk do të mbahen në territorin e Kosovës. Ky është qëndrim zyrtar i institucioneve të Republikës së Kosovës dhe i përkrahur edhe nga bashkësia ndërkombëtare”, ka deklaruar Jahjaga.

Presidentja Jahjaga ka theksuar se institucionet e Kosovës tashmë e kanë bërë të ditur mënyrën se si mund t’i realizojnë të drejtat e tyre për zgjedhje, qytetarët me dy shtetësi.

Presidentja Atifete Jahjaga
Presidentja Atifete Jahjaga
“Për shtetasit apo qytetarët që e kanë dyshtetësi, është e drejtë, që është konform normave dhe standardeve të tjera ndërkombëtare dhe kjo do të bëhet duke i respektuar standardet tjera, të gjitha standardet evropiane. Zakonisht, në çdo shtet mund të realizohet përmes ambasadave. Edhe për shtetin fqinj të Serbisë, do të ishte më së lehti që ta ketë ambasadën dhe t’i realizojë këto zgjedhje”, ka theksuar presidentja Jahjaga.

Ajo ka thënë se zgjidhja e vetme për komunat në veri të Kosovës është mbajtja e zgjedhjeve lokale nën organizimin e institucioneve të Kosovës, si dhe integrimi i tyre në këto institucione.

Presidentja Jahjaga ka hedhur poshtë edhe mundësinë se për veriun e Kosovës mund të bisedohet për ndonjë zgjidhje që nënkupton status të veçantë.
Për çështje të brendshme të Kosovës, zgjidhja është vetëm përbrenda Kushtetutës dhe ligjeve të Kosovës.


“Nuk ka status të veçantë. Qëndrimet e institucioneve të Republikës së Kosovës janë të qarta. Për çështje të brendshme të Kosovës, zgjidhja është vetëm përbrenda Kushtetutës dhe ligjeve të Kosovës. Me askënd tjetër nuk do të bisedojmë për çështje të brendshme të Kosovës”, është shprehur Jahjaga.

Ndryshe, presidentja Jahjaga nuk ka dashur të sqarojë se a do të kandidojë sërish për presidente të Kosovës, nëse zgjedhjet presidenciale shpallen eventualisht këtë vit.

“Është në proces e sipër amendamentimi i Kushtetutës së Republikës së Kosovës. Amendamentet kanë shkuar në Kuvendin e Republikës së Kosovës për shqyrtim dhe për procedurë të mëtutjeshme. Unë ende nuk e kam parë versionin final. Por, unë e kam thënë edhe herëve të tjera, se përderisa jam në këtë pozitë, unë nuk do të deklarohem se a do të kandidoj apo nuk do të kandidoj. Dhe, ta themi të drejtën, ende nuk është hapur fushata zgjedhore dhe ende nuk është caktuar data e këtyre zgjedhjeve. Mendimet dhe qëllimet e mia kam dëshirë që t’i mbaj për vete dhe jo t’i bëj publike”, ka thënë Jahjaga.

Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, ka theksuar se që nga zgjedhja e saj e deri më tash e ka kryer detyrën e presidentes së vendit, me përgjegjësi dhe në përputhje me Kushtetutës së Kosovës.

Një vit më parë ka marrë postin më të lartë institucional të vendit, pas marrëveshjes politike ndërmjet partisë Demokratike të Kosovës, Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe Aleancës Kosova e Re.
XS
SM
MD
LG