Ndërlidhjet

Kryeqyteti i Kosovës, Prishtina, ka tri teatro:Teatrin Kombëtar të Kosovës, Teatrin “Dodona” dhe Teatrin “Oda”.

Në të tri këto jepen premiera të shumta dhe shfaqje me orar të zakonshëm që trajtojnë tematikë të ndryshme. Me gjithë përpjekjet për ta bërë teatrin më atraktiv për shikuesin, numri i vizitorëve vazhdon të mbetet i vogël.



Në rubrikën e përjavshme VOX të Radios Evropa e Lirë, shumë të rinj thonë se në teatër për herë të fundit ka qenë para një apo dy vjetësh, disa prej tyre thonë se nuk kanë qenë kurrë në teatër, por ka dhe raste të rralla të atyre që thonë se e ndjekin gati çdo shfaqje në teatrot e kryeqytetit.

Lidhur me këtë, Merita Svirca, 20-vjeçare, thotë:

“Unë e vizitoj tetarin dy herë në javë. Preferoj të shkoj më shumë në Teatrin Kombëtar, ka shfaqje shumë të mira, nuk ka publik, por mua më pëlqejnë shfaqjet, të cilat shfaqen aty. Do të duhej të vizitohej edhe më shpesh ky teatër”.

Linda Gjergji, studente në Universitetin e Prishtinës, thekson nevojën për një vetëdijesim më të madh për rëndësinë e teatrit. Ajo thotë se kultura e të shkuarit në teatër varet shumë nga kultura familjare. Nëse do t’i dihej vlera teatrit, sipas saj, e gjithë rinia do ta vizitonte teatrin së paku një herë në muaj.

“Në teatër nuk shkoj shumë shpesh, por kur ka ndonjë shfaqje të mirë, zakonisht shkoj. Kur ka komedi shkoj, për të tjerat më pak. Në teatër, në përgjithësi, ka shfaqje të mira. Së paku, ato që i kam parë kanë qenë të mira. Çmimi nuk është i shtrenjtë, sidomos për ne studentët ka zbritje. Shfaqja e fundit që e kam parë ka qenë ‘Nata e dymbëdhjetë’ ”, tregon Linda Gjergji.

Disa persona të tjerë të anketuar dëshiruan të mbesin anonimë duke thënë se mosshkuarja në teatër, arsye kryesore ka mungesën e ofertave për shfaqje, siç thonë ata, cilësore:

“Shkojmë, jo shpesh, por i vizitojmë. Se’ di pse nuk e vizitojmë... Në teatrin ‘Oda’ jepet një shfaqje e mirë ‘Tre gjermanët e trashë’”.

Ngjashëm shprehet edhe shoku i tij, Besim Curri. Ai thotë se nuk i pëlqen teatri dhe, sipas tij, nuk ka asgjë që atraktive.

“Ka qenë një shfaqje humoristike. Isha me një shok. Nuk kemi ndenjur deri në fund, kemi dalë, ishte monotone”, thotë Besim Curri.

Teatri Kombëtar i Kosovës ka qenë njëri nga teatrot më të popullarizuar në Evropë. Që nga themelimi i tij në vitin 1946 deri në vitin 1989 në të janë realizuar mbi 400 premiera me rreth 10.000 repriza, të cilat në Kosovë dhe në hapësirat e ndryshme të ish-Jugosllavisë ishin përcjellë nga mbi 3.2 milionë spektatorë.

Në vitin 1990, regjimi serb këtë teatër e kishte vënë nën administrim të dhunshëm, duke i dëbuar nga teatri shumë nga artistët shqiptarë. Ndërkaq, gjatë dhjetë vjetëve të pasluftës, në këtë teatër janë vënë në skenë tekste të shumta të dramaturgjisë kombëtare dhe botërore.

Disa prej të rinjve thonë se e dinë vlerën që ka teatri, por theksojnë se nuk kanë kohë për ta vizituar atë aq shpesh.

Njëri nga ta, i cili preferon të mos i citohet emri, shprehet:

“Kam agjendë të ngarkuar, kam obligime në fakultet. Nuk mund të shkoj në teatër. Mirë do të ishte të shikosh shfaqje, teatri të ofron gjëra të mira, por ka edhe gjëra negative”.

Ngjashëm shprehet edhe një student tjetër:

“Në teatër nuk shkoj gati kurrë. Nuk me pëlqen teatri, bëj gjëra tjera që më pëlqejnë dhe jo në teatër”.

Për vizitat e rralla që u bëhen teatrove kosovare flet fakti që disa të rinjve madje nuk u kujtohet titulli i shfaqjes së fundit që ata e kanë parë në teatër.

“Jo edhe aq shpesh. Shfaqja e fundit... nuk e di nuk më kujtohet. Teatri është i mirë se mund të inkuadrohesh me shoqëri të reja me jetën në përgjithësi çfarë është duke u zhvilluar në teatër”, thotë i riu Leotrim Nuredini.

Të tjerët, ndërkaq, thonë se e preferojnë më shumë kinemanë duke njoftuar se nuk shkojnë fare në teatër.

Melinda Marku, 25-vjeçare, thotë se kinemaja jep më shumë se teatri.

“Në teatër shkoj shumë rrallë, por në kinema shkoj më shpesh. Në teatër nuk preferoj të shkoj pasi që edhe shoqëria ma imponon pak. Të gjithë e duan më shumë kinemanë, ka filma të mirë”, thotë Melinda Marku.

Ndërkaq, Granit Kryeziu thotë se më me dëshirë shkon te një shok dhe e shikojnë një film, sesa në teatër. Ai thotë se kurrë nuk ka parë ndonjë shfaqje në teatër.

“Nuk e vizitoj tetarin, nuk e di... Preferoj më shumë të shikoj filma në shptëpi. Edhe shoqëria ime është ashtu. Mblidhemi të gjithë diku dhe e shikojmë një film, më mirë sesa të shkojmë në teatër”, thekson Kryeziu.
  • 16x9 Image

    Luljeta Krasniqi - Veseli

    Luljeta Krasniqi, e lindur më 02.05.1981. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 2005. Për një kohë të gjatë ka punuar si gazetare në Agjencinë e lajmeve Kosovalive. Ekipit të Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2008.

XS
SM
MD
LG