Ndërlidhjet

Miratohet statuti i QKUK-së


Qendra Klinike Universitare e Kosovës
Qendra Klinike Universitare e Kosovës
Statuti i Qendrës Klinike Universitare të Kosovës, si akti më i lartë juridik, ka pësuar disa herë ndryshime. Më 5 prill të këtij viti, statuti është miratuar sërish. Por, këtë herë, me idenë e ndryshimit e tij, në fillim të këtij viti, me një peticion, kanë reaguar specialistë nga lëmi të ndryshëm brenda QKUK-së, duke mbledhur 178 nënshkrime, për mos-ndryshimin e një neni brenda statutit.

Megjithatë statuti është miratuar. Ministri i Shëndetësisë, Ferid Agani, ka deklaruar se vërejtjet e profesionistëve shëndetësorë në fjalë i ka marrë parasysh në mënyrë shumë serioze.

Ferid Agani
Ferid Agani
“Vërejtjet e tyre i kemi marrë në mënyrë shumë serioze dhe jemi përpjekur që ta inkorporojmë edhe grupin në fjalë. Po e them një vlerësim të njërit nga anëtarët, i cili ka thënë se mbi 20 vjetët e punës së tij në Fakultetin e Mjekësisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, nuk ka pasur një statut të miratuar në mënyrë më demokratike. Andaj, unë konsideroj se kjo është një e arritur e madhe dhe paraqet një bazë të shkëlqyeshme për bashkëpunim të mëtutjeshëm”, ka thënë Agani.

Por, jo edhe Haxhi Avdyli, neurokirurg, i cili njëherësh ka qenë edhe iniciator i këtij peticioni, është pajtuar me miratimin e statutit të ri. Në njërin nga nenet brenda statutit janë bërë ndryshime, siç e quan ai, kozmetike, derisa në përmbajtje është i njëjtë.

“Kërkesat e grupit të specialistëve nuk janë marrë parasysh. Ky nen ka bërë disa ndryshime që janë më shumë kozmetike, sesa në përmbajtje të substancës në atë çka kemi kërkuar. Disa kërkesa janë marrë parasysh. Është hedhur në diskutim, por pavarësisht kësaj, është shkuar në opsionin që e ka paraqitur ministri. Nuk janë marrë parasysh kërkesat e grupit të specialistëve”, është shprehur Avdyli.

Por, drejtori i Qendrës Klinike Universitare të Kosovës, Njazi Gashi, ka deklaruar se janë të përfshira të gjitha kategoritë në QKUK duke përfshirë edhe kategoritë që nuk janë të përfshira në procesin mësimor.

“Ata kanë dhënë idetë e veta gjatë përpilimit të statutit të QKUK-së, mund të jetë që ata janë të pakënaqur, por unë mund t’ju siguroj që nuk janë të anashkaluar; iu është lënë mundësia në raste të caktuara që edhe ata të jenë udhëheqës të klinikave në QKUK”, deklaron Gashi.

Por, Haxhi Avdyli ka tjetër shpjegim lidhur me këtë. Sipas tij, grupi i specialistëve që nuk janë profesorë, përjashtohen nga menaxhimi.

“Komisioni i cili është formuar, ka qenë komision ku kanë qenë të përfshirë (njerëz) nga Ministria e Arsimit, Fakulteti i Mjekësisë, Ministria e Shëndetësisë, që e kanë përkrahur atë opsion. E, grupi tjetër nuk ka qenë pjesë e këtij komisioni, përveç Sindikatës së Shëndetësisë, e që ka pasur një rol pozitiv ku kanë kërkuar që statuti të jetë gjithëpërfshirës për të gjithë punëtorët e QKUK së, derisa Ministria e Shëndetësisë e ka çuar deri në fund opsionin që neni 23 përkrah atë që menaxherë klinikash mund të jenë vetëm profesorët. Faktikisht, grupi i specialistëve që nuk janë profesorë, përjashtohen nga menaxhimi”, ka shpjeguar Avdyli.

Mirëpo, ministri Agani thotë se me miratimi e statutit kanë qenë të kënaqura gjitha palët.

“Nuk është e vërtetë që nuk kanë të drejtë të konkurrojnë kandidatët që nuk kanë thirrje akademike. Neni 23 i statutit e lejon që të konkurrojnë dhe shpresoj që me këtë kemi arritur ta kalojmë atë mospajtim, e që në masë të madhe ka pasur edhe arsyeshmëri që disa nga ta nuk mund të konkurrojnë për menaxherë klinikash”, është shprehur Agani.

Sidoqoftë, mbetet të shihet se a do të futen në garë për menaxhim institucionesh shëndetësore edhe specialistët që nuk janë profesorë në Fakultetin e Mjekësisë.
Ndryshe, të gjitha klinikat brenda Qendrës Klinike Universitare të Kosovës vazhdojnë të udhëhiqen me ushtrues detyre.
XS
SM
MD
LG