Ndërlidhjet

Vetëvendosje: Dënohet sulmi terrorist ndaj familjes shqiptare


Lideri i Vetëvendosjes Albin Kurti
Lideri i Vetëvendosjes Albin Kurti
Në orët e sotme pas mesnatës u vra Selver Haradinaj, 38 vjeç, nga zona e tre rrokaqiejve në pjesën veriore të Mitrovicës. Mësohet se në këtë sulm të përgatitur me eksploziv në ndërtesën e tyre, kanë mbetur të plagosur edhe katër fëmijët e tij, dy prej të cilëve në gjendje të rëndë shëndetësore, thuhet në një reagim të lëvizjes vetëvendosje, lidhur me sulmin kundër familjes shqiptare haradinaj në pjesën veriore në Mitrovicë.

Lëvizja VETËVENDOSJE e tronditur dhe e indinjuar thellë me këtë sulm kriminal, i shpreh ngushëllime të sinqerta familjes Haradinaj, kurse fëmijëve të plagosur u dëshiron shërim sa më të shpejtë. Populli i Kosovës ndjehet krenar me heroizmin më të madh që ka mundur të bëhet nga shqiptarët e veriut në Kosovën e pasluftës: Selveri dhe familja Haradinaj kanë gjetur forcë të jetojnë 13 vjet nën kërcënimet dhe pasigurinë e shkaktuar nga strukturat kriminale të Serbisë, thuhet në reagimin e Vetëvendosjes.

Ky sulm i përgatitur kaq me kujdes, duke vendosur eksploziv pranë dritares së banesës së familjes Haradinaj dhe duke e detonuar atë – tregon se kemi të bëjmë me një sulm terrorist dhe me një veprimtari të organizuar të strukturave kriminale të Beogradit kundër shqiptarëve në veri. Shqiptarët në pjesën e veriut të Kosovës i janë nënshtruar një terrori të përditshëm nga mekanizmat e paligjshëm shtetërorë të Serbisë në Kosovë, duke filluar prej barrikadave e deri te vrasjet e planifikuara, si kjo e Selver Haradinajt.

Për këtë sulm të pafalshëm të kriminelëve të Beogradit, duhet të mbahet përgjegjëse edhe Qeveria e Republikës së Kosovës, thotë lëvizja Vetëvendosje.

Kjo është pasojë e drejtpërdrejtë e tolerimit të strukturave të armatosura të Serbisë në Kosovë. Kjo politikë e mbrapshtë po e dërgon në Bruksel një Serbi e cila në Kosovë po vazhdon të prodhojë jetima shqiptarë. Strukturat e Serbisë në veri nuk janë aty vetëm për ta kontrolluar atë pjesë të vendit tonë por edhe për t'i vrarë e dëbuar shqiptarët prej andej.

Nganjëherë me blerje pronash e rrahje, e nganjëherë edhe me vrasje përmes sulmeve terroriste. Ky sulm nuk do të ndodhte po të mos kishte struktura ilegale të Serbisë në vendin tonë. Prandaj, është domosdoshmëri e padiskutueshme që të ndalen negociatat me Serbinë dhe të zhbëhen këto institucione të armatosura brenda Republikës së Kosovës.

Mungesa e shtetit në veri të Mitrovicës vjen prej shpërfilljes që ia ka bërë pushteti banorëve dhe territorit atje. Shqiptarët e veriut vazhdimisht kanë kërkuar nga institucionet tona prani më të madhe dhe siguri të shtuar, për shkak të kërcënimeve të vazhdueshme nga dhuna e agjentëve të Beogradit.

Mirëpo Qeveria jonë gjithnjë i ka lënë ata nën mëshirën e fatit të përgatitur nga Serbia: spastrimin e heshtur të shqiptarëve nga veriu nëpërmjet akteve të dhunës sistematike, terrorizimit dhe frikësimit të shqiptarëve të pambrojtur. Më 3 dhe 4 shkurt 2000, në veriun e Mitrovicës janë vrarë 11 shqiptarë (6 meshkuj e 5 femra). Gjatë atij muaji janë dëbuar 1.564 familje shqiptare me 11.364 anëtarë. Gjithë kjo është kryer në prani të forcave të KFOR-it dhe policisë. Tani në veri kanë mbetur gjithsej edhe afër 4.000 banorë shqiptarë. Dhuna mbi shqiptarët nuk është ndalur asnjëherë, duke bërë që shqiptarët të jetojnë në një gjendje lufte edhe gati 13 vjet pas përfundimit të saj, thuhet në reagimin e lëvizjes Vetëvendosje.

Në vend që t’i ndihmojë zgjedhjet e Serbisë në Kosovë dhe të negociojë me këtë shtet armik, Qeveria duhet t’i përvishet punës për konsolidimin e sovranitetit, shpërbërjen dhe arrestimin e strukturave kriminale të Beogradit, thotë në fund Vetëvendosja.
XS
SM
MD
LG