Ndërlidhjet

Qeveria e Maqedonisë ka paralajmëruar shkurtimin e arkës shtetërore për rreth 5 për qind, duke theksuar se rishikimi bëhet pasi të ardhurat e përgjithshme janë më të larta për 1.2 për qind në raport me vitin e kaluar, kurse për 9 për qind më të ulëta nga planifikimi.

Këtë veprim, ministri i Financave të Maqedonisë e ka arsyetuar me krizën e shfaqur në Evropë, gjë që është reflektuar në aktivitetin ekonomik të ndërmarrjeve vendore.

Biznesmenët në vend konsiderojnë se rishikimi i buxhetit do të jetë shumë i dhimbshëm për zhvillimin ekonomik, por duhet të bëhet patjetër për të shpëtuar vendin nga kolapsi ekonomik.

Pronarët e kompanive, shpëtimin nga falimentimi i biznesit të tyre, eshohin në orientimin e politikave qeveritare drejt tregut vendor dhe konsumit personal, ngase, sipas tyre, eksporti në këto kohë të vështira nuk mund të rritet.

“Me buxhetin e ri duhet të ketë sa më pak reduktime të investimeve kapitale, ky është apeli ynë. Kurse, të gjitha projektet që aplikohen nga ministritë përkatëse në fondet si IPARD apo IPA në BE, të realizohen tërësisht pasi sjellin financa në ekonominë vendore”, thotë Zllatko Kalenikov, kryetar i Lidhjes së Odave Ekomomike të Maqedonisë.

Ndërsa, ministri i Ekonomisë i Maqedonisë, Valon Saraçini, thotë se në kushte krize për të shfrytëzuar në masë të konsiderueshme fondet e ndryshme ndërkombëtare, formohet dhe një trup koordinues mes vendeve të rajonit.

“Një nga idetë e mia është formimi i një grupi rajonal me përfaqësues të ministrive nga të gjitha vendet e rajonit, ku IPA-fondet do të menaxhohen për të aplikuar me projekte rajonale dhe t’i shfrytëzojmë këto fonde përmes IPA-projekteve. Do të thotë, në fillim të muajit maj, në javën e biznesit, planifikoj ta shpalos këtë ide, ku të gjitha shtetet e rajonit, si: Shqipëria, Kosova, Maqedonia, madje edhe Mali i Zi të aplikojmë me projekte të përbashkëta në IPA-fondet evropiane”, thekson Saraçini.

Derisa ministri i Financave, Zoran Stavrev, premton se me rishikimin e buxhetit, nuk do të ketë shkurtime të vendeve të punës, në rrogat e administratës publike, në pensione, asistencë sociale dhe subvencione, por do të shkurtohen vetëm ato investime kapitale që nuk janë realizuar në kohë, ekspertët vlerësojnë se shkurtimet duhet të bëhen veçanërisht në realizmin e reklamave që promovojnë punën e Qeverisë, si dhe duhet pasur kujdes për çdo metalik që del jashtë vendit.

”Do të duhet të kursehet në të gjithë ata sektorë që paratë huazoheshin jashtë vendit. Gjithsesi duhet pasur kujdes në investimet jokapitale dhe veçanërisht për reklamime të shtrenjta të aktiviteteve të Qeverisë”, vlerëson Sasho Arsov, ligjërues në Universitetin e Shkupit.

Ekspertët e ekonomisë theksojnë se Maqedonia nuk mund të ruajë sabiliten ekonomik duke qëndruar edhe një kohë të gjatë jashtë strukturave të Bashkimit Evropian dhe NATOS.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG