Ndërlidhjet

Mungesa e politikave fiskale që favorizon prodhuesit vendorë, është duke çuar drejt kolapsit shumë prodhues vendorë.

Prodhuesit vendorë kritikojnë Qeverinë e Kosovës se më shumë favorizojnë importin e mallrave nga jashtë në Kosovë, sesa që favorizojnë ata që tentojnë të krijojnë hapësirë për prodhimin vendor.

Një vendim i fundit i Doganave të Kosovës në të cilin thuhet se nga muaji prill 2012 të gjitha produktet e prodhuara në Kosovë - lëngje frutash (me përjashtim të lëngjeve me përmbajtje 100 për qind të frutave), duhet t’i nënshtrohen pagesës së taksës së akcizës, ka ngritur shqetësime të mëdha te përfaqësuesit e bizneseve në Kosovë.

Fejzullah Mustafa, nga kompania “Fluidi”, e cila merret me prodhimin e lëngjeve thotë për Radion Evropa e Lirë se kjo taksë e akcizës po e dëmton biznesin e tyre.

Ai thotë se këtë taksë nuk e kanë asnjë nga vendet e rajonit.
Do të ulet numri i punëtorëve, do të zvogëlohet ekonomia në këtë lëmi, do të bije shitja...

Kjo akcizë, por edhe akcizat tjera të cilat janë për lëngje të gazuara, prodhuesit e vendit po i dëmton, dhe prodhuesi i Kosovës do të ballafaqohet me vështirësi të mëdha. Do të ulet numri i punëtorëve, do të zvogëlohet ekonomia në këtë lëmi, do të bije shitja, e të tjera”, thotë Mustafa.

Këto vendime të Qeverisë së Kosovës, thekson Mustafa, po ndikojnë që prodhuesit vendorë të mos jenë konkurrentë me prodhimet e shteteve të rajonit.

Taksa e akcizës duhet të zbatohet dhe të futet aty ku fuqia blerëse është më e madhe, si për shembull te kozmetika, te nafta, kafja, cigarja. Nëse do të kishte ngritje të çmimeve në këto artikuj, nuk do të vërehej shumë. Por, nëse ngrihet çmimi i lëngjeve dhe një konsumator do të blejë një pako lëngje për 60 cent më shtrenjtë, do të jetë e papërballueshme”, shprehet ai.

Sidoqoftë, autoritet kosovare çdo herë kanë deklaruar se janë duke punuar në përmirësimin e kushteve për prodhuesit vendorë, por që këta të fundit çdo herë janë ankuar për mungesë të një ambienti më të favorshëm biznesor.

Kryetari i Aleancës Kosovare të Biznesit, Agim Shahini, thotë se ky vendim do t’i ngufatë prodhuesit e lëngjeve.

Ai thekson se kjo akcizë duhet të jetë për lëngjet të cilat importohen, dhe jo për lëngjet që prodhohen në Kosovë.
Taksa e akcizës duhet të zbatohet dhe të futet aty ku fuqia blerëse është më e madhe, si për shembull te kozmetika, te nafta, kafja, cigarja.
Vendimi për futjen e akcizës në lëngje është një proces që AKB e ka kundërshtuar që nga viti 2006, dhe ne kemi bërë një hulumtim rreth pengesës dhe mundësisë së heqjes së kësaj akcize dhe kemi marrë modalitete të ndryshme në vendet e rajonit, dhe ka rezultuar se kjo akcizë është e ngarkuar dhe e dëmton prodhimtarinë vendore”, bën të ditur Shahini.

Në anën tjetër, autoritetet doganore në Kosovë thonë se ky vendim për akcizë në lëngje është ligjor dhe se dogana do të fillojë zbatimin e tij.

Duhet të them se kjo informatë për akcizë iu është dërguar të gjithë prodhueseve të lëngjeve, të cilëve u është thënë se dogana do të fillojë të zbatojë këtë vendim nga prill. Ndërkaq, sa i përket çështjes së obligimeve të mundshme për vitet e kaluara, është ende në procesin e shqyrtimit të anës ligjore”, thekson zëdhënësi i Doganave të Kosovës, Adriatik Stavilevci.

Ndryshe, autoritetet kosovare vazhdimisht janë kritikuar nga mekanizmat ndërkombëtarë, siç është Banka Botërore për ambient të pafavorshëm biznesor.
  • 16x9 Image

    Luljeta Krasniqi - Veseli

    Luljeta Krasniqi, e lindur më 02.05.1981. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 2005. Për një kohë të gjatë ka punuar si gazetare në Agjencinë e lajmeve Kosovalive. Ekipit të Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2008.

XS
SM
MD
LG