Ndërlidhjet

Poema kundërthënëse


Gunter Gras
Gunter Gras

Ministri i brendshëm izraelit e ka shpallur Gunter Grasin, autorin e njohur gjerman, si person të padëshirueshëm në Izrael, duke ia ndaluar hyrjen në këtë shtet për shkak të një poeme që Gras ka shkruar, në të cilën ka kritikuar Izraelin se “po kërcënon paqen në botë”.

“Poemat e Grasit u fryjnë zjarrit të urrejtjes kundër Izraelit dhe popullit izraelit, duke promovuar kësisoji idenë se ai vetë ka qenë pjesë e këtij zjarri kur veshi uniformën SS”, tha ministri Eli Jishai, duke iu referuar deklaratës së zotit Gras, se ka qenë ushtar nazist kur ishte 17 vjeçar.

“Poemat e tij të shpërfytyruara nuk janë të mirëpritura në Izrael. I rekomandoj t’i shfrytëzojë në Iran, aty ku mund të gjejë një bashkëndjesi tek audience”, ka thënë ministri izraelit.

Kundërthëniet janë shtuar rreth zotit Gras, 84 vjeç, në pesë ditët e fundit, që kur publikoi poemën e tij prej 69 rreshtash “What must be said” (Ajo që duhet thënë), në të përditshmen gjermane Süddeutsche Zeitung.

Poema sulmon kërcënimet e Izraelit për të ndërhyrë në Iran rreth programit bërthamor, fton për mbikqyrjen e Izraelit në zhvillimin e armatimit nuklear të këtij vendi dhe kritikon Gjermaninë, se duke shitur nëndetëse në Izrael, rrezikon të jetë bashkëfajtore në krim.
Gunter Gras (foto: Staatssicherheit)
Gunter Gras (foto: Staatssicherheit)

Diskutimet në Gjermani kanë hapur plagët e vjetra të së kaluarës së këtij vendi dhe janë përqëndruar kryesisht rreth pyetjes nëse është e mundshme që një gjerman të kritikojë Izraelin?

Vetëm dy ditë pas botimit të poemës së tij, Gras tha në një intervistë se në shënjestër të kritikave ai kishte jo Izraelin si si shtet, por më shumë politikat e kryeministrit izraelit, Benjamin Netanjahu.

“Njeriu që dëmton më së shumti Izraelin sot është sipas mendimit tim Netanjahu dhe ishte dashur ta përfshij këtë në poemën time”, ka thënë zoti Gras.

Javën që shkoi Netanjahu ka dënuar me zemërim barazimin që zoti Gras i ka bërë Izraelit dhe Iranit, duke rikujtuar anëtarësinë e autorit gjerman në strukturat SS.

Novela më e njohur e Gunter Grasit, e publikuar më 1959, “The Tin Drum” (Daullja e Llamarintë), është një eksplorim alegorik i ngritjes së nazismit në Gjermani dhe Poloni.

Ai është shpërblyer me Çmimin Nobel për Letërsinë më 1999.

Zoti Gras ka treguar kohë pas kohe edhe dëshirë për t’u kyçur në arenën politike dhe ka mëtuar të luajë rolin e vetëdijes kombëtare për të kaluarën naziste të gjermanëve.

Në vitin 2006, ai zbuloi se kishte qenë një ushtar nazist në fund të Luftës së Dytë Botërore, një fakt të cilin e kishte mbajtur të fshehur për dekada me rradhë, duke u akuzuar kësisoji për hipokrizi. (a.v.)

* huazuar nga New York Times
XS
SM
MD
LG