Ndërlidhjet

logo-print

Pengohen forcat e rendit në veri


Policia e Kosovës - foto nga arkivi

Policia e Kosovës - foto nga arkivi

Një grup serbësh në veri të Mitrovicës nuk ka lejuar Policinë e Kosovës që të vendosë pikat statike në lagjen e “Tre Rrokaqiejve”, pas incidentit të një dite me parë, ku nga një shpërthim eksplozivi humbi jetën një shqiptar dhe u plagosen disa të tjerë.

Zëdhënësi i Policisë së Kosovës, për rajonin e Mitrovicës, Besim Hoti tha për Radion Evropa e Lirë se rreth 200 serbë të cilët ishin tubuar në lagjen e banuar me popullatë etnikisht të përzier, kanë penguar vendosjen e shtëpizave të policisë.

Sot rreth orës 13:00, Policia e Kosovës ka tentuar të vendosë një kontejner në zonën e ‘Tre Rrokaqiejve’ në veri të Mitrovicës, dhe kemi pasur një reagim të një grupi të organizuar prej mbi 100 - deri në 200 persona të përkatësisë etnike serbe, të cilët praktikisht kanë demoluar kontejnerin i cili është dashur t’i shërbejë njësive policore, për shkak të kushteve klimatike”, tha Hoti.

Ai bëri të ditur se edhe pse nga banorët serbë nuk është lejuar vendosja e kontejnerit, policia po vazhdon do të jetë e pranishme në lagjen e “Tre Rrokaqiejve”.

Nuk është me rendësi pajisjet të cilat do të shërbehen, me rendësi është se ne do të jemi fizikisht në këtë zonë, dhe nuk është fort me rendësi nëse e kemi një kontejner të tillë apo jo në shfrytëzim. Me rendësi është që ne kemi fizikisht pjesëtarët e Policisë së Kosovës, të cilët do të vazhdojnë të jenë 24 orë prezent në ketë lagje”, u shpreh Hoti.

Nga ana tjetër, njëri nga përfaqësuesit e serbëve në veri të Mitrovicës, Marko Jakshiq, ka deklaruar për Radion Evropa e Lirë se serbët në këtë pjesë të qytetit kanë zhvendosur kontejnerët e policisë në afërsi të Tre Rrokaqiejve, meqë “janë kundër pranisë së pjesëtarëve të policisë nga stacioni jugor”.

Sipas tij, komuniteti serb në veri nuk ka gjë kundër që në atë pjesë të vendosen kontejnerët e policisë, por ky komunitet “kërkon që aty të jenë të pranishëm edhe policët e stacionit verior të policisë”.

Pse të mos e kërkojnë një gjë të këtillë serbët? Pse Policia e Kosovës nga jugu përzihet në resorët dhe përgjegjësitë e pjesës veriore të qytetit? E gjithë kjo që është në veri të lumit Ibër, është përgjegjësi e policisë së veriut të qytetit dhe duhet t’u përmbahemi këtyre parimeve dhe argumenteve”, ka thënë Jakshiq.

Por, zëdhënësi i policisë Besim Hoti thotë se në këtë pikë statike do të qëndrojnë policë të të gjitha komuniteteve.

Në ketë pikë statike duhet të jenë pjesëtarë të Policisë së Kosovës të strukturës së përzier. Ju e dini se në kuadër të stacionit veri kemi pjesëtarë nga radhët e komuniteti shqiptar, serb, boshnjak, e të gjitha përkatësive të tjera etnike të cilët duhet të vendosen në këto zona me qëllim të një komunikim më të shpejt dhe më efikas me banorët”, tha Hoti.

Vendosjen e pikave statike në lagjen e Tre Rrokaqiejve dhe në lagjet e tjera ku jetojnë qytetare të përkatësive të ndryshme etnike, e ka kërkuar Prishtina zyrtare pas vrasjes së qytetarit shqiptar Selver Haradinaj.

Polica e Kosovës ende nuk i ka bërë të ditura motivet dhe shkaktarët e shpërthimit në shtëpinë e familjes Haradinaj, por siç bëhet e ditur, hetimet për rastin janë duke vazhduar.

Sulmin ndaj familjes Haradinaj, kryeprokurori i Prokurorisë së Qarkut në Mitrovicë, Shyqyri Syla, e ka cilësuar si një akt terrorist.

Për më tepër, ai konsideron se ky sulm "mund të jetë bërë edhe për motive etnike".

Hetimet janë duke u zhvilluar. Mendoj që ka elemente terrorizmi, nuk mund të përjashtohet edhe motivi etnik për frikësimin e popullatës shqiptare që është në veri”, deklaroi Syla.

Kryeprokurori Syla nuk ka dashur të flasë rreth hetimeve dhe arrestimeve të mundshme, por ka deklaruar se në bashkëpunim me autoritet e rendit do të arrijnë deri të burimet e sakta për kapjen e autorëve.

Unë konsideroj që me një punë të përbashkët mund të arrijmë deri tek identifikimi i personave, pastaj edhe kapja, por fillimisht duhet të bëhet identifikimi i kryesve".

"Nuk e di se sa ka pista që na çojnë te ndonjë emër tash për tash. Kështu që, për shkak të hetimeve nuk mund të flas, disa burime i kemi, por nuk mund të flas për to”, tha kryeprokurori Syla.

Lidhur me sulmin ndaj familjes Haradinaj, kanë reaguar institucionet e Kosovës, ato ndërkombëtare si dhe partitë politike në vend.

Të gjithë e kanë dënuar aktin e sulmit dhe kanë kërkuar nga organet e drejtësisë që ta ndriçojnë rastin dhe përgjegjësit t’i vënë para drejtësisë.
  • 16x9 Image

    Arton Konushevci

    Arton Konushevci merret me gazetari që nga viti 2001. Në vitin 2007 ka filluar të punojë si korrespondent i Radios Evropa e Lirë. Jeton në Prishtinë, është i martuar dhe ka dy fëmijë.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG