Ndërlidhjet

Jahjaga: Kushtetutshmëria të shtrihet në gjithë territorin e Kosovës


Presidentja e Kosovës Atifete Jahjaga

Presidentja e Kosovës Atifete Jahjaga

Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga, e ka dhënë një deklaratë me rastin e 9 Prillit, Ditës së Kushtetutës së Republikës së Kosovës, në të cilën theksohet se “miratimi i Kushtetutës së Republikës së Kosovës, dokumentit më të lartë juridik të vendit tonë, katër vjet më parë, është një akt historik, që shpreh vullnetin e popullit të Republikës së Kosovës”.

“Duke qenë garanti i të drejtave dhe i lirive të të gjithë qytetarëve të vendit tonë, garant i fjalës së lirë, i lëvizjes së lirë dhe i sundimit të ligjit, Kushtetuta e Republikës së Kosovës i ka hapur rrugë zhvillimit të vendit tonë në të gjitha fushat”, thotë zonja Jahjaga.

Mëtutje, në deklaratën dërguar mediave, presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, thekson se “mbështetur mbi këtë dokument fundamental, Kosova po ndërtohet mbi bazat e një shteti ligjor, që sundimin e ligjit e ka parim themelor të funksionimit të saj dhe që respektimi i Kushtetutës dhe ligjeve bëhet vlerë e lartë e shoqërisë sonë”.

“Ndërtimi i shtetit ligjor kërkon përpjekje dhe përfshirje të vazhdueshme të institucioneve dhe të gjithë shoqërisë në Republikën e Kosovës, të njerëzve të barabartë, që respektojnë atdheun e tyre. Kushtetutshmëria dhe ligjshmëria duhet të shtrihen në gjithë territorin e Republikës së Kosovës, përfshirë edhe tri komunat në veri të vendit, dhe qytetarët e shtetit tonë, pavarësisht përkatësive të tyre, duhet të ndjehen të barabartë dhe të mbrojtur me Kushtetutë. Gëzuar 9 Prilli, Dita e Kushtetutës së Republikës së Kosovës!”, thuhet në fund të deklaratës së Atifete Jahjagës.
XS
SM
MD
LG