Ndërlidhjet

NYT: Vendi i Amerikës në botën e re


Flamuri amerikan
Flamuri amerikan
" New York Times"

Shkruan: Çarles A. Kupçan, profesor i marrëdhënieve ndërkombëtare në Xhorxhtaun dhe anëtar i lartë i Këshillit për Relacione të Jashtme.




Është sezonë zgjedhore përsëri, dhe pretendentët kryesorë për Zyrën Ovale po përpiqen t’i sigurojnë amerikanët se kombi i tyre mbetet në majën e rendit global.

Mit Romni së fundi deklaroi se “ky shekull duhet të jetë, shekull amerikan”.

Për të mos mbetur pas, presidenti Obama këmbënguli në fjalimin e tij vjetor, se “çdokush që tregon se Amerika është në rënie”, nuk e di “se për çka po flet”.

Romni dhe Obama mund ta teprojnë pak, por nuk janë larg goditjes në pikë.

Me gjithë dy luftërat e vështira, rritjes së ngadaltë dhe difuzionit të pushtetit nga Perëndimi në Kinë, kombinimi i fleksibilitetit ekonomik dhe superioritetit ushtarak, do ta mbajë SHBA-në në majë edhe në dekadat e ardhshme.

Megjithatë, ata po e humbasin thelbin.

Sfida më e fuqishme në dominimin e Amerikës nuk vjen nga rishpërndarja e vazhdueshme e fuqisë globale, por nga një ndryshim subtil: Format e reja të qeverisjes dhe kapitalizmit të kopjuara nga Kina dhe vendet të tjera në rritje.

Modeli i tregut demokratik, sekular, dhe i lirë që është bërë sinonim i perëndimit, po sfidohet nga kapitalizimi shtetëror në Kinë, Rusi dhe nga sheikët e Gjirit Persik.

Islami politik po rritet në hap me demokracinë në Lindjen e Mesme. Populizmi i krahut të majtë ka rrokur Indinë e shkon deri në Brazil.

Në vend se të ndjekin rrugën e zhvillimit perëndimor dhe të zënë vendin e tyre në rendin ndërkombëtar liberal, vendet në rritje, po shtyjnë përpara versionet e tyre të modernizimit dhe po bëjnë kthim prapa nga ambiciet ideologjike të perëndimit.

Derisa po shpaloset ky shekull, mbetja e fuqisë amerikane do të jetë pjesë e lehtë.

Pjesa e vështirë do të jetë humbja e dominimit ideologjik të Amerikës dhe trendi për kompromis dhe konsensus për një botë më të larmishme dhe më të ngathët.

Nëse liderët amerikanë mbyllin sytë para këtij realiteti të ri dhe vazhdojnë të presin përqafim të vlerave perëndimore, ata jo që nuk do të keqkuptojnë fuqitë në rritje, por po ashtu do të tjetërsojnë shtetet që janë lodhur nga të ndjekurit standardet perëndimore te qeverisjes.

Ky tranzicion nuk do të jetë i lehtë. Që nga themelimi, elita amerikane dhe publiku kanë besuar në universalitetin e modelit të tyre.

Fundi i luftës së ftohtë vetëm sa e thelloi këtë bindje. Pas kolapsit të Bashkimit Sovjetik, kapitalizmi demokratik dukej e vetmja lojë në qytet. Por, “fundi i supozuar i historisë” nuk zgjati.

Shumë shtete në zhvillim së fundi kanë fituar mundësi ekonomike dhe politike për të konsoliduar markat e modernizmit që përfaqësojnë alternativat të qëndrueshme.

Tridhjetë vjetët e fundit të zhvillimit kinez, për shembull, nuk duken aspak si rruga që ka ndjekur Evropa dhe Amerika veriore.

Rritja e perëndimit është udhëhequr nga klasa e mesme, e cila dobësoi monarkinë absolute, këmbënguli në ndarjen e kishës nga shteti dhe çliroi potencialet ndërmarrëse dhe teknologjike, jetike për Revolucionin Industrial.

Në të kundërtën, shteti autoritar kinez, ka fituar ndaj klasës së mesme dhe me arsye: ekonomia e saj tejkalon atë të konkurrentëve perëndimorë, duke pasuruar borgjezinë dhe duke i larguar miliona njerëz nga varfëria.

Në ekonominë e sotme të shpejtë, fluide globale, kontrolli i siguruar nga shteti kapitalist i ka disa përparësi dhe kjo është arsyeja se përse Rusia, Vietnami e të tjerët po e ndjekin modelin kinez.
Lindja e Mesme ngjashëm pritet të hutojë pritjet Amerikane.

Në shumicën e botës myslimane nuk ka ndarje mes shtetit dhe xhamisë. Ndërsa rënia e regjimeve ka bërë që të kthehet islami politik.

Një sondazh i vitit të kaluar zbuloi se dy të tretat e egjiptianëve duan që ligji civil të ishte në përputhje me Kuranin, një nga arsyet kryesore se përse islamikët fituan së fundi në zgjedhjet parlamentare.

Egjipti nuk bën përjashtim. Nëse asgjë tjetër, Pranvera Arabe ka treguar se demokratizimi nuk është i barabartë me perëndimizimin.

Fuqitë në rritje, si India dhe Brazili janë shoqëri stabile, demokratike e sekulare, që duket të jenë më afër modelit perëndimor. Por, këto shtete janë demokratizuar, ndërsa popullata e tyre përbëhet kryesisht nga pjesa urbane dhe rurale dhe nuk ka klasë të mesme.

Uashingtoni ka supozuar se demokracitë botërore, do të lidhnin aleancë me SHBA-të, për shkak të vlerave dhe interesave të supozuara të përbashkëta. Por, nëse India dhe Brazili, përbëjnë ndonjë indikacion, atëherë edhe fuqitë në rritje, që janë demokraci stabile, do të shkojnë rrugës së tyre, duke kërkuar një botë që ku nuk luhet më me rregullat e Perëndimit.

Shekulli 21 nuk do të jetë hera e parë kur fuqitë e mëdha përfaqësojnë modele të ndryshme të qeverisjes dhe tregtisë: gjatë shekullit 17 Perandoria Romake, ajo Osmane, Perandoria Mugale, Dinastia King dhe Tokugava Shogunate secila udhëhiqnin çështjet e tyre sipas rregullave dhe kulturës së vendit përkatës. Por, këto fuqi nuk kishin shumë bashkëpunim mes vete dhe nuk kishte nevojë për rregulla të përbashkëta.

Përkundrazi, ky shekull, do të shënojë herën e parë në histori, kur versionet e shumta të rregullave dhe modernizmit do të bashkëjetojnë në një botë të ndërlidhur- nuk do ta drejtojë më perëndimi globalizmin.

Uashingtoni duhet ta kuptojë se brendi amerikan i kapitalizmit dhe demokracia sekulare tash duhet të konkurrojë në tregun e ideve.

Për të qenë të sigurt, edhe po që se miraton një qasje pluraliste, SHBA nuk duhet t’i mbroje vetëm interesat, por edhe vlerat e saj. Duhet të vazhdojë të promovojë demokracinë, të mbrojë të drejtat e njeriut dhe të bëjë çkado që është e mundur që të ndalojë dhunën, sikurse ajo e qeverisë siriane.

Por, liderët amerikanë, nuk do t’i bëjnë kurrfarë shërbimi vendit, po që se trumbetojnë për një shekull të ri amerikan apo të rrëzojnë qeveritë në emër të përhapjes së vlerave evropiane.

Duke bërë kështu, do t’i largojnë disa shtete nga SHBA, për të cilat kjo e fundit ka nevojë.

Duke ruajtur vlerat e veta, dhe duke i njohur format alternative të qeverisjes, do të rrisin autoritetin moral të vendit, duke bërë që të respektohen edhe shtetet tjera, ashtu siç preferon Amerika të jetë e respektuar.(a. i.)
XS
SM
MD
LG