Ndërlidhjet

Qetësi e brishtë në Mitrovicë

  • RFE /RL

Shtëpia e familjes Haradinaj

Shtëpia e familjes Haradinaj


Pas vlerësimeve të situatës dhe shqyrtimit të mundësive për ndonjë eskalim eventual, autoritetet e rendit në Mitrovicë do të marrin vendimin për vendosjen e sërishme ose jo të një kontejneri në lagjen e “Tre Rrokaqiejve”, thonë zyrtarët e Policisë së Kosovës.

Urdhri është për vendosjen e pikave statike dhe pikat statike janë. Për rivendosje të një kontejneri ose të një shtëpize të tillë, duhet të bëhet rivlerësimi i situatës, nëse një gjë e tillë mund të gjenerojë një problem më të madh. Mirëpo, me rendësi është që pika statike të jetë aty”, thotë zëdhënësi i policisë për rajonin e Mitrovicës, Besim Hoti.

Bëhet e ditur se policia vazhdon të jetë e pranishme 24 orë në lagjen e "Tre Rrokaqiejve", si dhe në lagjet e tjera ku ka banorë të komuniteteve të ndryshme.

Njeri nga përfaqësuesit e serbëve në veri të Mitrovicës, Marko Jakshiq, ka deklaruar se komuniteti serb në veri nuk ka asgjë kundër që në atë pjesë të vendosen kontejnerët e policisë, por sipas tij, serbët kërkojnë që aty të jenë të pranishëm policët e stacionit verior të policisë.

Por, të martën, sipas zëdhënësit Besim Hoti, në lagjen e “Tre Rrokaqiejve” janë duke qëndruar policet e stacionit policor të veriut.

Janë kryesisht personel i stacionit policor në veri të mbështetur edhe nga pjesëtarë të policisë nga stacioni në jug”, bëri të ditur Hoti.

Nga ana tjetër, njohësit e rrethanave të sigurisë, gjendjen në veri të Kosovës e shohin si tejet të tensionuar.

Eksperti për çështje ushtarake dhe të sigurisë, Ramadan Qehaja, tha se në bashkëpunim me komponentin e policisë së EUELX-it dhe KFOR-in, autoritetet e rendit duhet të ndërmarrin veprime për një siguri më të madhe në veri të Kosovës.

Qehaja kritikoi institucionet përgjegjëse për veprimet e paanalizuara mirë, para se ato të ndërmerreshin.

Të ndërmerret një aksion i tillë në këtë situatë të tensionuar, është dashur që shumë anshmërisht të vlerësohet situata. Unë mendoj që ky aksion është i dështuar dhe nuk do të ketë rezultate. Kur të fillojmë të ndërmarrim një aksion, duhet të shkohet deri në fund. Kjo neve na ka kushtuar, fillo zmbrapsu. Kjo nuk është në rregull”, theksoi Qehaja.

Ai ka shprehur shqetësimin e tij që autoritetet e rendit kanë lejuar mundësinë që në lagjet e banuar me popullatë të përzier, të veprojnë vetëm policët e stacionit policor të veriut, ashtu siç kanë kërkuar përfaqësuesit e serbeve.

Ajo polici, e cila quhet Polici e Kosovës, nuk po i kryen detyrat siç duhet. Ajo nuk i përgjigjet domosdoshmërish zinxhirit komandues të shtabit regjional të Mitrovicës. Për serbet atje është me rendësi të jetë një polic serb i asaj ane atje, sepse ai do të jetë më tolerant. Nuk munden ata të diktojnë që Republika e Kosovë kë do ta dërgojë atje që t’i kryejë detyrat e policisë”, u shpreh Qehaja për Radion Evropa e Lirë.

Natën mes së shtunës dhe të dielës ka ndodhur një shpërthim në një banesë në afërsi të "Tre Rrokaqiejeve", nga i cili ka mbetur i vdekur 38 vjeçari Selver Haradinaj, dhe janë plagosur 5 anëtarët e familjes së tij.

Autoritetet e drejtësisë këtë sulm e kanë cilësuar si akt terrorist. Prokurori i rasti nga prokuroria e Qarkut në Mitrovicë Njazi Rexha tha se deri me tash prokurori ka kryer disa intervista me banorët e lagjes por, siç tha ai për rezultatet në ketë drejtim duhet pritur ende.

Në natën kritike kemi bërë disa ekzaminime. Ato gjurmë që i kemi marrë në vendin e ngjarjes presim së shpejti t’i dërgojmë për ekzaminim, dhe varësisht prej rezultateve do të shohim edhe në pistën e hetimeve”, shpjegoji prokurori Rexha.

Ndryshe, zyrtarët e Policisë së Kosovës bëjnë të ditur se nata e mbrëmshme në veri të Mitrovicës ka qenë e qetë dhe nuk është raportuar ndonjë incident.
XS
SM
MD
LG