Ndërlidhjet

logo-print

Mori ligjesh ekonomike të pazbatueshme


Fotografi ilustruese

Fotografi ilustruese


Zbatimi i ligjeve për ekonomi të miratuara nga Kuvendi i Kosovës, sipas ekspertëve për çështje ekonomike, edhe më tej mbesin sfidë për institucionet kosovare.

Ata theksojnë se janë më shumë se 70 ligje që janë miratuar nga Kuvendi i Kosovës në lëmin e ekonomisë, e që një pjesë e tyre që në kohën kur janë miratuar kanë mbetur vetëm në sirtarët e kabineteve të ministrive.

Eksperti i çështjeve ekonomike, Lekë Musa thotë për Radion Evropa e Lirë se një fushë në të cilën ligjet nuk janë duke u zbatuar dhe që kanë ndikim negativ, ka të bëjë me informalitetin.
Ka një numër mjaft të madh të subjekteve ekonomike që veprojnë në Kosovë që nuk i nënshtrohen ligjeve tatimore dhe paketave fiskale të ndryshme...
Ka një numër mjaft të madh të subjekteve ekonomike që veprojnë në Kosovë që nuk i nënshtrohen ligjeve tatimore dhe paketave fiskale të ndryshme, dhe të cilat kanë ndikim në krijimin e kushteve të ndryshme të cilat krijojnë hapësirë për një garë të pabarabartë mes subjekteve juridike dhe natyrisht se kjo ka ndikim në ambientin biznesor në Kosovë”, thekson Musa.

Fushat tjera ekonomike në të cilat nuk ka zbatim të legjislacionit, sipas ekspertit të çështjeve ekonomike Lekë Musa, janë të ndërlidhura me raportimin financiar.

Ai thekson se ligji mbi raportimin financiar nuk ka gjetur zbatim të duhur në Kosovë, dhe siç thekson, moszbatimi i këtij ligji ka implikim mjaft të madh në çështjen e financimit të bizneseve.

Nuk duhet harruar ligjet që kanë të bëjnë më pronën, ligjet që janë të ndërlidhura me funksionalizimin e gjykatave. Gjithashtu, është edhe kuadri i vet profesionistëve që veprojnë dhe i zbatojnë këto ligje në kuadër të gjykatave ekonomike të Kosovës e të cilat nuk janë në përputhje me praktikat më të mira ndërkombëtare, gjë që edhe kjo ka ndikim në ambientin e biznesit”, thekson Musa.

Edhe pse Qeveria e Kosovës në rregulloren e punës e ka obligim që të bëjë një vlerësim të ndikimit të një ligji pas hyrjes fuqi, sipas Agron Demit nga Instituti për Studime të Avancuara (GAP), mënyra se si e bën atë vlerësim qeveria nuk është e saktë, dhe po ashtu, siç thotë ai, nuk i jepet shumë rëndësi asaj se çka do të ndryshojë realisht në terren një ligj i cili ka hyrë në fuqi.

Demi thekson se në përgjithësi ligjet në lëmin e ekonomisë nuk kanë gjetur zbatim në Kosovë.

Ligjet që më së shumti po hasin vështirësi në zbatim, kanë të bëjnë me të drejtat e konsumatorëve apo ligjet për cilësinë e produkteve, apo ligjet për mbrojtjen e mallrave të importuara. Të gjitha këto po hasin pengesa në zbatim, për shkak të mungesës së njerëzve që do të kujdeseshin për nivelin e zbatimit të këtyre ligjeve”, shprehet Demi.

Agron Demi nga GAP thekson se aktualisht si institut janë duke monitoruar ligjin për zonat ekonomike, ligj ky i cili ka pasur për qëllim të krijojë kushte më të mira për investitorë të huaj.

Mirëpo, në bazë të hulumtimeve që ata kanë bërë deri më tani, edhe pas katër vjetëve ky ligj nuk ka dhënë efektet e tij të parapara.
Këtyre ligjeve nuk i lihet kohë për fushata informuese për qytetarët, se çfarë të drejta kanë ata si konsumatorë...
Ligjet, sipas Demit, miratohen në Kosovë vetëm sa për të përmbushur kërkesat qoftë të Fondit Monetar Ndërkombëtar apo Komisionit Evropian, pa pasur pastaj fonde që të sigurojnë infrastrukturën shtesë për të zbatuar atë ligj.

Për më shumë se një dekadë, thekson ai, Kuvendi i Kosovës ka aprovuar ligje, por që asnjëherë nuk ka gjetur kohë që të shikojë zbatueshmërinë e këtyre ligjeve.

Nëse vazhdojnë të aprovojmë 70 – 80 ligje në vit dhe nuk i zbatojmë as për së afërmi ato, kjo do të parqet një mosbesueshmëri të madhe te qytetarët, realisht se çfarë po aprovojmë. Këtyre ligjeve nuk i lihet kohë për fushata informuese për qytetarët, se çfarë të drejta kanë ata si konsumatorë, apo çfarë të drejta kanë ata si individë në këtë treg të lirë, i cili pastaj ngulfatet nga monopolet e ndryshme që krijohen nga mos zbatueshëmëria e ligjeve”, thekson Demi.
  • 16x9 Image

    Luljeta Krasniqi - Veseli

    Luljeta Krasniqi, e lindur më 02.05.1981. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 2005. Për një kohë të gjatë ka punuar si gazetare në Agjencinë e lajmeve Kosovalive. Ekipit të Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2008.

XS
SM
MD
LG