Ndërlidhjet

Judah: Situata në veri mund të zvarritet


Tim Judah
Tim Judah
Përderisa Kosova nuk arrin t’u mbush mendjen serbëve të veriut se do të merren parasysh dhe se do të mbrohen interesat e tyre në Kosovë, kjo situatë mund të zvarritet deri në pafundësi, tha në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, publicisti britanik Tim Judah.

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Judah, ka pasur disa incidente në ditët e fundit në veri të Kosovës. Ka pasur gjithashtu zëra që thonë se Prishtina dhe Beogradi do të duhej të uleshin në tavolinë për të diskutuar çështjen e veriut në kontekstin politik. A është e nevojshme një zgjidhje politike për situatën atje?

TIM JUDAH
Natyrisht se është e nevojshme një zgjidhje politike-përndryshe s’do të ketë asnjëherë ndonjë zgjidhje. Por, nuk pres që do të shohim bisedime serioze për një kohë mjaft të gjatë, meqë Serbia ka nisur tani një cikël dhe është e mundshme që Kosova të nis një cikël zgjedhor më vonë këtë vit.

Pra, është e mundshme që të mos ketë bisedime serioze deri në një të ardhme të largët, sepse kur ke cikle zgjedhore kalon disa muaj deri në formimin e qeverive të reja e kështu me radhë. Andaj, do të humbet shumë kohë dhe nuk pres që këtë vit të ndodhë ndonjë gjë në këtë drejtim.

RADIO EVROPA E LIRË
A do të duhej të ishin bisedimet për veriun bisedime të veçanta apo do të duhej të zhvilloheshin në kuadër të dialogut teknik të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian?

TIM JUDAH
Mendoj se nuk ka lidhje se në çfarë formati të mbahen ato. Për momentin ekziston një format që është dialogu i BE-së, por mendoj se nëse Beogradi e Prishtina duan ta zhvillojnë vetëm ndërmjet vete, atëherë mund ta bëjnë këtë.

Nëse jo, atëherë duhet të ndërmjetësojë dikush. Sot, ekziston një format, por nuk do të thotë se ai duhet të mbetet i tillë përgjithmonë apo jo.

RADIO EVROPA E LIRË
Beogradi ka kërkuar disa herë që të diskutohet kjo çështje, ndërsa Prishtina ka kundërshtuar çfarëdo bisedimesh për veriun. Çfarë duhet tani të ketë parasysh Prishtina nëse hap bisedime për veriun me palën serbe?

TIM JUDAH
Supozoj se në njëfarë mënyre Prishtina duhet të t’i bind serbët e veriut se do të merren parasysh interesat e tyre në Kosovë. Përderisa Kosova nuk arrin t’u mbush mendjen serbëve të veriut se do të merren parasysh dhe se do të mbrohen interesat e tyre në Kosovë, kjo situatë mund të zvarritet deri në pafundësi. Por, situata nuk mund të mbetet e tillë përgjithmonë.

Shikojeni Qipron! Megjithatë, nuk mendoj se mund të pritet një zgjidhje në të ardhmen e afërt; çështja është se situata duhet të menaxhohet meqë ka divergjenca të mëdha në kërkesat e njerëzve.

Andaj, nuk shoh ndonjë mes të kënaqshëm. Mendoj se do të vazhdojnë kërkesat për një zgjidhje-për zgjidhjen A, B apo C, por nuk pres që ajo vërtetë të gjendet. Kjo do të jetë çështje e gjeneratave. Pres më shumë që situata të menaxhohet në vend se të zgjidhjet-kjo nuk është e domosdoshmërish e përshtatshme, por mendoj se kjo do të ndodhë.

RADIO EVROPA E LIRË
A po shndërrohet problemi i veriut në konflikt të ngrirë?

TIM JUDAH
Jo, nuk mund ta krahasosh tërësisht këtë çështje me konflikte të tjera në botë për të thënë se është apo nuk është i tillë. Ka dallime në këtë rrafsh dhe konflikti në veri nuk është aq i ngirë meqë po vriten njerëz.

Në anën tjetër, nëse shtrohet pyetja se a është ky një konflikt që do të zgjidhet? -Jo, nuk është, por ekzistojnë disa ngjashmëri me konfliktin e Qipros dhe atë të ish-Bashkimit Sovjetik.

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Judah, ju thatë se situata do të menaxhohet. Kush do ta menaxhojë situatën atje nëse e marrim parasysh kundërshtimin e serbëve lokalë ndaj autoritetit të Prishtinës zyrtare?

TIM JUDAH
Ata njerëz që po e menaxhojnë sot pak a shumë-Prishtina, Beogradi dhe bashkësia ndërkombëtare me theks të veçantë te BE-ja. Ka dhe aktorë të tjerë, si për shembull Shtetet e Bashkuara që janë një faktor i rëndësishëm në raport me Prishtinën.

Nuk është “shkencë raketore” kjo çështje; janë thjesht njerëz të zakonshëm që janë marrë edhe deri më tani me këtë gjë”.

RADIO EVROPA E LIRË
Pra, a është integrimi i veriut dhe i serbëve të veriut e vetmja zgjidhje për këtë problem apo ka opsione të tjera?

TIM JUDAH
Ka pasur aq shumë klasifikime të zgjidhjeve ekstreme: sipas njërit ekstrem është i nevojshëm integrimi i tërësishëm i veriut sikurse i pjesëve të tjera në Kosovë, ekstremi tjetër flet për ndarje. Pastaj përmenden lloje të ndryshme të autonomive: autonomia e llojit të Republika Srpska, autonomia sipas planit Ahtisaari ose autonomia sipas Ahtisaarit në një formë tjetër.

Ka 100 klasifikime të zgjidhjeve, por nuk pres që të ndodhë ndonjë zgjidhje. Pres që të vazhdojë gjendja aktuale do të lëkundet andej-këtej pa ndryshuar në të ardhmen e afërt. Nuk pres që të ndryshojë diçka e nëse më kontaktoni edhe pas një viti ka gjasa që situata të jetë e njëjtë.

RADIO EVROPA E LIRË
Zgjidhja e problemit të veriut është një nga parakushtet për avancimin e Prishtinës e Beogradit në procesin e integrimit në Bashkimin Evropian. A do të ketë veriu një ndikim në këtë?

TIM JUDAH
Po, do të ketë. Do ta ngadalësojë atë (procesin integrues).
XS
SM
MD
LG