Ndërlidhjet

Siri: Dhuna vazhdon


Një protestues sirian
Një protestues sirian
Dhuna në Siri po vazhdon përkundër hyrjes në fuqi të afatit për tërheqje të trupave nga qytetet.

Ky afat, më 10 prill, parashihet me planin e mbështetur nga Kombet e Bashkuara për krizën në Siri.

Sipas planit të paqes, të arritur në negociatat e të dërguarit të Kombeve të Bashkuara dhe të Ligës Arabe për Sirinë, Kofi Anan, trupat qeveritare të këtij vendi është dashur ta fillojnë tërheqjen nga qytetet, para armëpushimit të plotë, që hynë në fuqi më 12 të këtij muaji.

Por, aktivistët thonë se forcat qeveritare i kanë granatuar disa pjesë të qyteteve Hama dhe Homs, që gjenden në pjesën qendrore të Sirisë, ndërsa është raportuar se persona të paidentifikuar e të armatosur i kanë vrarë gjashtë ushtarë në provincën verilindore Hashakeh.

Ministri i jashtëm i Sirisë, Valid Muallem, aktualisht në vizitë në Moskë të Rusisë, tha se disa njësi ushtarake janë tërhequr nga disa hapësira dhe se një numër i të burgosurve është liruar.

Por, ministri Muallem tha se përkundër këtyre masave, “ne vërejmë në baza ditore përshkallëzimin e kundërshtimit nga bandat e armatosura terroriste”.

Ministri i jashtëm i Sirisë, Valid Muallem, po ashtu, e ka akuzuar Turqinë për armatosje të kryengritësve sirianë dhe për ndihmë në kalimin e kufirit.

Ministri i jashtëm rus, Sergei Lavrov, tha se Siria ka mundur të jetë “më tepër e vendosur” në implementimin e planit të paqes.

Më tutje ai theksoi:

Sot edhe njëherë, ne dëshirojmë tu bëjmë thirrje të gjithë anëtarëve të opozitës dhe të gjitha vendeve që kanë ndikim në opozitën politike, e veçanërisht në atë të armatosur, që ta përdorin këtë ndikim me qëllim që të arrihet një ndërprerje e menjëhershme e zjarrit nga të gjitha palët, siç parashihet me planin e Kofi Ananit”, tha Sergei Lavrov.

Kryeministri i Turqisë, Rexhep Tajip Erdogan, që po qëndron për vizitë në Pekin të Kinës, e ka akuzuar Sirinë për “dhunim të qartë” të kufijve të Turqisë, pas të shtënave nga pjesa e Sirisë, nga të cilat janë plagosur disa njerëz brenda Turqisë, ndërsa dy njerëz kanë vdekur derisa përpiqeshin ta kalojnë kufirin.

Agjencia turke e lajmeve Anatolia raporton se Erdogan ka thënë se Ankaraja do të ndërmarrë “masa të domosdoshme”.

Mediat e Turqisë kanë raportuar se ministri i jashtëm i këtij vendi, Ahmet Davutogllu, i cili ndodhet në Pekin së bashku me kryeministrin Erdogan, e ka përfunduar vizitën më herët për shkak të zhvillimeve në Siri.

Raportohet se forcat e Sirisë kanë hapur zjarr në hapësirat kufitare brenda Libanit, duke e vrarë një gazetar televiziv.

Në Turqi, ku aktualisht janë vendosur afro 24 mijë refugjatë, është shënuar rritje e shpejtë e numrit të sirianëve, që e kanë kaluar kufirin gjatë javës së kaluar.

Për ta parë situatën për së afërti, kampet e refugjatëve në Turqi, i ka vizituar i dërguari ndërkombëtar për krizën në Siri, Kofi Anan. (f. b.)
XS
SM
MD
LG