Ndërlidhjet

logo-print

Kukan dhe Kacin kërkojnë lirimin e Hasan Abazit


Eduard Kukan

Eduard Kukan

Udhëheqës të delegacionit të Parlamentit Evropian për marrëdhëniet me vendet e Ballkanit Perëndimor, Eduard Kukan dhe Jelko Kacin, në një letër dërguar kryeministrit të Serbisë, Mirko Cvetkoviq, kanë shprehur shqetësim për arrestimin e shqiptarit nga Kosova, Hasan Abazi, më 28 mars, në vendkalimin në Konçul dhe kanë kërkuar lirimin e tij.

Sipas vlerësimit të tyre, mbajtja në paraburgim e kryetarit të Sindikatës së pavarur të punëtorëve metalikë të Kosovës, Hasan Abazi, krijon “shqetësim serioz në aspektin e pavarësisë së institucioneve shtetërore dhe sundimit të ligjit në Serbi”.

“Sipas informacioneve tona, Abazi, në 48 orët e para është mbajtur ilegalisht në paraburgim, dhe nuk i është lejuar të takohet me avokatin e tij e as me anëtarët e familjes së tij”, theksohet në letrën e Eduard Kukanit dhe Jelko Kacinit.

“Paraburgimi i Hasan Abazit është hap në drejtim të gabuar”, thonë ata.

Eduard Kukan është kryetar i delegacionit të Parlamentit Evropian për marrëdhënie me Shqipërinë, Bosnjë Hercegovinë, Serbinë, Malin e Zi dhe Kosovën.

Jelko Kacin është zëvendëskryetar i këtij delegacioni.
XS
SM
MD
LG