Ndërlidhjet

logo-print

S’ka seancë të jashtëzakonshme për Mitrovicën


Parlamenti i Kosovës

Parlamenti i Kosovës


Në Kuvendin e Kosovës nuk janë harmonizuar qëndrimet për thirrjen e një seance të jashtëzakonshme për zhvillimet aktuale në Mitrovicë dhe pjesën veriore në përgjithësi.

Ishte Lëvizja Vetëvendosje ajo që inicoi thirrjen e kësaj seance, pasi që më parë lideri i saj Albin Kurti kishte kërkuar edhe shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme në Mitrovicë.

Nisma e Vetëvendosjes nuk ka marrë mbështetjen jo vetëm të partive në pushtet, por as atyre të opozitës.

Sipas procedurave seanca e jashtëzakonshme thirret me kërkesë të presidentit, kryeministrit apo përmes nënshkrimeve të 40 deputetëve.

Asnjë nga këto procedura nuk janë përmbushur, ka thënë kryetari i Kuvendit, Jakup Krasniqi.

Ai tha se si mundësi, mbetet që gjatë seancës së ditës së enjte, Vetëvendosje të provojë forma tjera për ta futur këtë kërkesë si çështje urgjente.

Gjendja aktuale në Mitrovicë, kishte shtyrë kryetarin e komunës, Avni Kastratin që të kërkonte nga banorët të mbrojë pragun e shtëpisë.

Por, Jakup Krasniqi tha se është përgjegjësi dhe obligim i institucioneve që t’i mbrojnë qytetarët si edhe tërësinë territoriale të vendit.

Të gjitha institucionet në Kosovë, si ato të brendshme ashtu edhe të jashtme që e kanë për obligim sigurinë në tërë hapësirën e Republikës së Kosovës duhet ta shtojnë përgjegjësinë dhe vendimmarrjen për të siguruar tërësinë territoriale dhe sigurinë e qytetarëve në çdo pjesë të Kosovës”, tha Krasniqi.

Ndërkohë, Lëvizja Vetëvendosje mbetet në tentativë të thirrjes së një seance ku përveç situatës në Mitrovicë, do të thirreshin në përgjegjësi ministri i brendshëm Bajram Rexhepi dhe kryeministri Hashim Thaçi.

Shefi i Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes, Visar Ymeri tha se qeveria i ka shpërfillur në vazhdimësi rezolutat dhe rekomandimet e Kuvendit, por kësaj radhe, sipas tij, Kuvendi do të merrte vendime që do të zbatoheshin nga qeveri në lidhje me veriun.

Përveç që do ta debatonte gjerë e gjatë çështjen e asaj se çfarë po ndodhë në veri, po ashtu do t’i thërriste në përgjegjësi ministrin e rendit, kryeministrin dhe të tjerët për atë se çfarë po veprojnë dhe çfarë nuk po veprojnë e që do të duhej të vepronin në veri dhe në fund do të dilte me vendim, kërkesa të qarta dhe konkrete për atë se çfarë do të duhej të bënte qeveria për sa i përket veriut të vendit”, tha Ymeri.

Thirrja e kësaj seance për zhvillimet në Mitrovicë nuk po përkrahet as nga opozita.

Kryetari i Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Ismet Beqiri thotë se Kuvendi në disa raste ka debatuar për veriun, por qeveria zakonisht nuk e ka përfillur.

Ndërkaq debatin aktual, LDK-ja nuk e preferon edhe për faktin që kryeministri Hashim Thaçi nuk ndodhet aktualisht në Kosovë.

Konsiderojmë që nuk ka asnjë rezon që të bisedojmë në Kuvendin e Republikës pa qenë aty kryeprotagonisti apo kryeministri që është kryepërgjegjësi në këtë situatë. Unë nuk e di se çfarë diskutimesh do të kishte aty kur nuk është ai që duhet me qenë. Qeveria e Kosovës detyrat i ka të përcaktuara, Kushtetuta e Kosovës i definon qartë përgjegjësitë dhe asnjë seancë nuk është diçka që i shton apo ia përcakton detyrat asaj”, tha Beqiri.

Pas sulmit me bombë në banesën e familjes Haradinaj në Mitrovicë, ku si pasojë kryefamiljari Selver Haradinaj humbi jetën, lideri i Vetëvendosjes, Albin Kurti u kishte drejtuar letra presidentes së Republikës, Ahtifete Jahjaga, ku është paraqitur kërkesa për shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme në Mitrovicë.

Ai i kishte drejtuar letër edhe kryetarit të Kuvendit, Jakup Krasniqit, në të cilën i kërkohet mbështetja për mbajtjen e një seance të jashtëzakonshme si dhe presidentit të Shqipërisë, Bamir Topi, me kërkesën për inicim të diskutimit në NATO dhe OKB të ngjarjeve në Mitrovicë.
  • 16x9 Image

    Zijadin Gashi

    Zijadin Gashi, i lindur më 1973 në Prishtinë. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 1997, duke u angazhuar fillimisht nëpër mediat lokale. Si korrespondent i Radios Evropa e Lirë punon që nga maji i vitit 2001. Kryesisht ka mbuluar aktualitetin politik në Kosovë.

    Nga 1 shkurti 2016, është emëruar shef i Byrosë së Radios Evropa e Lirë, në Prishtinë. Ai është i martuar dhe ka 3 fëmijë.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG