Ndërlidhjet

Ivanoviq: Përsëritja e 25 korrikut, aventurë e rrezikshme


Një pjesëtar i njësisë speciale të Policisë së Kosovës qëndron në automjet, në qytetin e ndarë të Mitrovicës, 26 korrik 2011

Një pjesëtar i njësisë speciale të Policisë së Kosovës qëndron në automjet, në qytetin e ndarë të Mitrovicës, 26 korrik 2011

Sekretari shtetëror në Ministrinë për Kosovën, Oliver Ivanoviq, ka vlerësuar se aksionet e policisë kosovare në veri, do të paraqisnin “aventurë të rrezikshme”, e cila sipas tij, mund të nxiste pastaj reagim të dhunshëm.

Zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi ka paralajmëruar se policia mund të ndërmarrë aksion të ngjashëm në veri, si ai i 25 korrikut të vitit të kaluar, kur, njësia speciale e policisë, Rosu, u dërgua për të vënë nën kontroll pikat kufitare në veri.

Ivanoviq ka thënë se komuniteti ndërkombëtar duhet të ndalojë një gjë të tillë.

Ai ka thënë se veriu i Kosovës është problem politik, i cili nuk mund të zgjidhet me dhunë, sepse në këtë rast ”do të nxiste reagim të dhunshëm të cilin askush nuk do të mund ta qetësonte”.

Në fundjavën e kaluar në veri të Kosovës është vrarë në pronën private te tij, me anë të një bombe, shqiptari 38 vjeçar, Selver Haradinaj, dhe janë plagosur anëtarët e familjes së tij.

Për të kontrolluar vendin ku ka ndodhur incidenti, te “Tre Rrokaqiejt”, Policia e Kosovës tentoi të vendosë shtëpiza statike, por ato u hoqën dhe u demoluan nga serbët lokalë.

Pjesa veriore e Mitrovicës është e banuar me shumicë serbe dhe kontrollohet nga strukturat paralele të financuara nga Qeveria e Serbisë.

Në vitin e kaluar, autoritetet kosovarë tentuan që përmes marrjes nën kontroll të pikave kufitare veriore, në Bërnjak dhe Jarinë të nisin shtrirjen e kontrollit.

Por, kjo gjë nuk rezultoi me sukses, dhe që nga vera e kaluar, serbët kanë ngritur barrikada në rrugët që lidhin jugun me veriun, duke pamundësuar qarkullimin e automjeteve të institucioneve të Kosovës dhe pjesërisht të EULEX-it.

Vetëm KFOR-i ka një qasje më të lirë në atë pjesë.
XS
SM
MD
LG