Ndërlidhjet

Serbët e veriut reagojnë ndaj deklaratave të Kuçit


Zëvendëskryeministri i Kosovës, Hajredin Kuçi.

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Hajredin Kuçi.

Kryetari ilegal i Mitrovicës, Kërstimir Pantiq, u ka kërkuar përfaqësuesve të komunitetit ndërkombëtar në Kosovë që të paralajmërojnë autoritetet e Prishtinës kundër “çdo hapi të njëanshëm në veri të Kosovës”.

Ai ka thënë për agjencitë serbe se veprimet e tilla të Prishtinës, “mund të destabilizojnë situatën”.

Komentet e Pantiqit pasojnë ato të zëvendëskryeministrit kosovar, Hajredin Kuçi, i cili ka thënë se policia e Kosovës mund të ndërmarrë aksion të ngjashëm në veri, si ai i 25 korrikut të vitit të kaluar, kur njësia speciale Rosu është dërguar për të vënë nën kontroll pikat kufitare në veri.

“Njoftimi i Hajredin Kuçit se Ministria e Brendshme e të ashtuquajturës Republikë të Kosovës do të dërgojë njësi speciale në veri, është një tjetër kërcënim me armë, ashtu si dhe përpjekje për të provokuar konflikte si ato të korrikut të vitit të kaluar”, ka thënë Pantiq.

Në anën tjetër, kryetari i paligjshëm i Zubin Potokut, Sllavisha Ristiq, ka thënë se Kuçi kërcënon për të frikësuar serbët dhe për t’i detyruar ata të braktisin Kosovën.

Duke u drejtuar përfaqësuesve politikë të Kosovës dhe atyre të komunitetit ndërkombëtar, Ristiq ka thënë se ata nuk mund t’i dëbojnë serbët.

Sipas kryetarit të Këshillit Kombëtar Serb për veriun e Kosovës, Millan Ivanoviq, deklaratat e Kuçit janë sinjal për, siç është shprehur, “organizatat terroriste shqiptare” që çështjet e pazgjidhura t’i zgjidhin me dhunë ndaj serbëve.

Ndaj deklaratave të zëvendëskryeministrit kosovar ka reaguar edhe sekretari shtetëror në Ministrinë për Kosovën, Oliver Ivanoviq, i cili ka thënë se aksionet e policisë kosovare në veri do të paraqisnin “aventurë të rrezikshme”.
XS
SM
MD
LG