Ndërlidhjet

Protestë për Mitrovicën në Kuvend


Kuvendi i Kosovës

Kuvendi i Kosovës


Grupi Parlamentar i Lëvizjes Vetëvendosje protestoi të enjten në sallën e Kuvendit të Kosovës, në shenjë pakënaqësie me pjesën tjetër të përbërjes së Kuvendit që nuk u pajtua të thirret seanca e jashtëzakonshme për të diskutuar për gjendjen dhe zhvillimet në Mitrovicë.

Dy deputetët e Vetëvendosjes, Glauk Konjufca dhe Visar Ymeri, bllokuan foltoren e Kuvendit me një pankartë ku ishin të shënuar emrat e Selver Haradinajt, i vrarë gjatë fundjavës në banesën e tij në Mitrovicë, dhe policit Enver Zymberi, po ashtu i vrarë në pjesën veriore gjatë aksionit policor të 25 korrikut për marrjen e pikave doganore atje.

Kryetari i Kuvendit, Jakup Krasniqi, i ftoi këta dy deputetë të ulen dhe lirojnë foltoren, si dhe shpalli edhe pauza për konsultime, por ata nuk u ulën në vendet e tyre. Me një rast, Krasniqi urdhëroi edhe sigurimin e Kuvendit që të ndërhynte në mënyrë që seanca t’i vazhdonte punimet.

“Ftoj organet përgjegjëse të sigurisë, që deputetët Glauk Konjufca dhe Visar Ymeri të nxirren jashtë dhe të na mundësojnë punën e seancës”, iu drejtua sigurimit kryekuvendari Krasniqi.

Me gjithë thirrjet e Krasniqit, sigurimi nuk ndërhyri. Atëherë, Krasniqi kritikoi mjaft ashpër veprimin dhe sjelljen e Vetëvendosjes, duke e krahasuar atë me një sjellje rruge. Ai rikujtoi procedurat për thirrjen e seancës së jashtëzakonshme, të cilat Vetëvendosje nuk i kishte plotësuar.

Madje, Krasniqi tha se edhe ai vetë e kishte nënshkruar kërkesën e Vetëvendosjes për seancë të jashtëzakonshme, por aty ishin shënuar vetëm 12 deputetë, kurse rregullorja kërkon 40 nënshkrime.
Ju doni t’ua impononi mendimin e grupit tuaj të tjerëve.

“Sigurisht, që jo vetëm ju e doni Kosovën dhe të tjerët qenkan tradhtarë të saj. Sigurisht që mosha jonë nuk ndryshon shumë dhe i kemi pasur mundësitë secili nga ne ta tregojmë vendosmërinë në kohën e caktuar dhe dikush e ka treguar e dikush s’e ka treguar. Ju doni t’ua impononi mendimin e grupit tuaj të tjerëve”, u shpreh Krasniqi.

Në anën tjetër, deputeti i Vetëvendosjes, Liburn Aliu, tha se gjendja në Mitrovicë kërkon shqyrtim urgjent, pasi që qytetarët shqiptarë në veri të vendit po jetojnë në ankth dhe po ballafaqohen me dhunën dhe terrorin, që, sipas tij, po ushtrojnë strukturat e Serbisë në atë pjesë.

“Ne, nëse nuk mbajmë seancë të jashtëzakonshme sot, pra moslejimi i seancës së jashtëzakonshme, është indiferencë, paraqet indiferencë ndaj terrorizmit. Prandaj, ju lusim të gjithëve t’i jepni nënshkrimet dhe ta mbajmë seancën e jashtëzakonshme në përputhje me rrethanat”, iu drejtua deputetëve Aliu.

Thirrjet e Vetëvendosjes për seancë të jashtëzakonshme nuk janë përfillur nga partitë tjera në Kuvend. Në emër të Partisë Demokratike të Kosovës, shefi i Grupit Parlamentar Adem Grabovci, tha se nuk pranojnë imponime për një seancë që nuk i ka plotësuar procedurat.

“Ne nuk pranojmë imponim nga asnjë grup dhe asnjë deputet jashtë rregullave dhe jashtë procedurave që janë të përcaktuara, por mbi bazën e të gjitha procedurave dhe marrëveshjeve të domosdoshme për zgjidhjen e këtij problemi”, tha Grabovci.

Ndërkohë, shefi i Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Ismet Beqiri, përsëriti qëndrimin e këtij subjekti politik se seanca e jashtëzakonshme mund të thirret, por vetëm atëherë kur në Kosovë të jetë kthyer nga vizita në SHBA, kryeministri Hashim Thaçi.
...ne (LDK) nuk jemi për një seancë të tillë pa qenë kryeministri i vendit këtu dhe pa e biseduar dhe dalë me qëndrime të qarta se çka dëshirojmë.

“LDK-ja është për të mbajtur seancë të jashtëzakonshme, por ne (LDK) nuk jemi për një seancë të tillë pa qenë kryeministri i vendit këtu dhe pa e biseduar dhe dalë me qëndrime të qarta se çka dëshirojmë”, theksoi Beqiri.

Qëndrim gati identik me LDK-në shprehu edhe shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ardian Gjini.

“Ishte një pajtim që të mbahet seancë e domosdoshme e nevojshme kur të kthehet kryeministri në Kosovë dhe ne mendojmë se ajo është rrugë e mirë, por sidoqoftë sot është prishur atmosfera, nuk ka atmosferë dhe propozojmë që të ndërpritet seanca”, tha Gjini.

Duke anashkaluar thirrjen e seancës së jashtëzakonshme, Kuvendi i vazhdoi punimet me foltoren e bllokuar nga dy deputetët e Vetëvendosjes. Por, sapo hyri në rend dite Ligji për bankat dhe institucionet mikrofinanciare, edhe LDK-ja edhe AAK-ja lëshuan seancën, bashkë me deputetët e Vetëvendosjes, të cilët më në fund u larguan nga salla dhe foltorja e Kuvendit.

Kuvendi më pas i vazhdoi punimet vetëm me deputetët e partive të koalicionit, duke miratuar Ligjin për bankat dhe institucionet mikrofinanciare dhe kështu mbylli këtë seancë, nëse jo të jashtëzakonshme, megjithatë të pazakonshme për praktikat e deritashme të punës së Kuvendit të Kosovës.


  • 16x9 Image

    Zijadin Gashi

    Zijadin Gashi, i lindur më 1973 në Prishtinë. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 1997, duke u angazhuar fillimisht nëpër mediat lokale. Si korrespondent i Radios Evropa e Lirë punon që nga maji i vitit 2001. Kryesisht ka mbuluar aktualitetin politik në Kosovë.

    Nga 1 shkurti 2016, është emëruar shef i Byrosë së Radios Evropa e Lirë, në Prishtinë. Ai është i martuar dhe ka 3 fëmijë.

XS
SM
MD
LG