Ndërlidhjet

Ban: Situata në Siri më e qetë


Sekretari i përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Ban Ki-mun.
Sekretari i përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Ban Ki-mun.
Sekretari i përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Ban Ki-mun, tha se situata në Siri duket më e qetë pas hyrjes në fuqi të armëpushimit të ndërmjetësuar nga OKB-ja.

Ai tha se përgjegjësia tani i mbetet Qeverisë së Sirisë që të mbajë premtimin për armëpushim.

“Që nga ky moment, situata duket më e qetë. Po e ndjekim nga afër. Megjithatë, bota po sheh me sy skeptikë, pasi shumë premtime të bëra nga Qeveria siriane nuk janë mbajtur”, u ka thënë Ban gazetarëve në Gjenevë.

Armëpushimi në Siri ka hyrë në fuqi në orët e hershme të së enjtes, por aktivistët për të drejtat e njeriut kanë raportuar për disa shkelje.

Sipas tyre, forcat besnike të presidentit Bashar al-Asad kanë qëlluar për vdekje një civil në provincën Hama. Burimet e njëjta kanë thënë se dy njerëz të tjerë janë vrarë kur ushtria ka hapur zjarr ndaj protestuesve antiqeveritarë në verilindje të Damaskut.

Armëpushimi është pjesë e planit për paqe të ndërmjetësuar nga i dërguari i OKB-së dhe Ligës Arabe për Sirinë, Kofi Anan.

Damasku është zotuar se do të ndalojë operacionet ushtarake, porse do të ruajë të drejtën për të reaguar ndaj, siç ka thënë, “terroristëve”.

Siria është përfshirë nga dhuna dhe protestat antiqeveritare qysh në mars të vitit të kaluar. Kombet e Bashkuara thonë se mbi 9,000 persona kanë humbur jetën në më shumë se një vit trazira.
XS
SM
MD
LG