Ndërlidhjet

Tiranë: Pakënaqësitë e partive të vogla


Kuvendi i Shqipërisë

Kuvendi i Shqipërisë


Partitë e vogla ndajnë një mendim kur thonë se sistemi zgjedhor nuk garanton barazinë e votës.

Sistemi proporcional rajonal i miratuar në vitin 2008, me konsensusin e dy forcave të mëdha politike, është kundërshtuar vazhdimisht nga partitë e vogla.

Sekretari i përgjithshëm i Partisë Republikane Arjan Madhi, sjell shembullin e rezultatit zgjedhor të partisë së tij në vitin 2009, për të treguar deformimin që prodhon sistemi.

Partia Republikane sot në Parlamentin e Shqipërisë përfaqësohet më një deputet përkundrejt 32 mijë votave që ka marrë. Ndërsa dy forcat e mëdha politike përfaqësohen edhe me deputet që ka marrë vetëm 10 mijë vota, çfarë do të thotë që nuk kemi baraspeshë politike të votës”, shprehet ai.

Kryetari i Partisë Demokristiane, Nard Ndoka, sjell shembullin e qarkut të Kukësit, që për nga mënyra sesi sistemi funksionon, i përjashton nga gara partitë e vogla. Dhe kjo, sipas tij, nuk ndodh vetëm në një qark.

Problemi kryesor është ndarja e zonave, ku vota e qytetarit të Kukësit dhe Gjirokastrës nuk është e barabartë me votën e qytetarit të Tiranës, pra, ka një disbalancë të madhe. Marrim qarkun e Kukësit, që është fare skandaloze. Një partie politike i nevojiten 22 për qind e votave që të përfaqësohet me një deputet. Pra, me ligj janë përjashtuar të gjitha partitë politike, përveç dy partive të mëdha dhe kjo është shkelje flagrante e Kushtetutës", thekson Ndoka.

Kryetari i Partisë së Socialisteve të Vërtetë ’91, Petro Koçi, mbështet të njëjtën logjikë kur thotë se sistemi ka frymë përjashtuese dhe prodhon monopole.

Nëpërmjet proporcionalit rajonal Shqipëria po trajtohet si një vend federativ më shumë sesa një shtet unitar, siç është në fakt. Kjo nxit platforma politike krahinore që janë shpesh të rrezikshme për atë që quhet unitet kombëtar”, thotë Koçi.

Prej muajit nëntor të vitit 2011, një komision i posaçëm parlamentar po kryen një reformë të thellë të kodit zgjedhor.

Partitë e vogla e shohin si mundësi për t’u imponuar dy partive të mëdha ndërhyrjen në sistemin zgjedhor, por deri tani pa asnjë rezultat.

Republikat kërkojnë ndryshimin e formulës që përllogarit mandatet. Formula aktuale, siç thotë Arjan Madhi, bën që të mos respektohet parimi i proporcionalitetit që ofron vetë sistemi.

Adaptimi i formulës për të shpërndarë mandatet, solli deformimin e skajshëm pikërisht të këtij parimi të proporcionalitetit. Dhe një ndërhyrje jo në sistem por në formulën e llogaritjes së mandateve, do ta rikuperonte mjaft këtë deformim që sjell kjo mënyrë e të vepruarit deri më sot, lidhur me aplikimin e sistemit”, thotë Madhi.

Zoti Koçi shpjegon disa nga mënyrat se si mund të çbëhet deformimi që prodhon sistemi zgjedhor.

Ne kemi propozuar formulën e korrigjimit të sistemit, që do të thotë, një pjesë mirë e vendeve në parlament të llogariten nga proporcionali kombëtar. Kjo e bën sistemin më gjithëpërfshirës, mënjanon disa defekte. Nëse nuk arrihet kjo, ne kemi propozuar disa ndryshime të tjera që mund të mos prekin direkt sistemin, siç është mundësia që koalicionet të mos ndërtohen vetëm nëpërmjet partish, por dhe me funksionimin e nënkoalicioneve, brenda koalicioneve. Zgjidhja tjetër do të ishte mundësia për të përfaqësuar koalicionet më lista të përbashkëta”, bën të ditur Koçi.

Kreu i demokristianeve thotë se gjithçka bëhet në funksion të garantimit të një starti të barabartë në zgjedhje për të gjitha partitë.

Janë qytetarët ata që vendosin kë mbështesin me votën e tyre. Për fatin e keq dy partitë e vjetra politike vazhdojë akoma pazaret. Sot, Partia Socialiste ka 6 mandate nga aleatë që i ka jashtë Parlamentit dhe këta aleatë sot kërkojnë një mundësi, një korrektim kombëtar, që me votat tona të përfaqësohemi në Kuvendin e Shqipërisë apo një formulë funksionale për ta bërë një koalicion më efektiv”, shprehet Ndoka.

Për zotin Madhi, dy partitë e mëdha duhet të reflektojë si një zhvillim i domosdoshëm që respekton Kushtetutën.

Përdorimi i këtij sistemi me qëllimin për të shmangur partitë e vogla nuk do t’i bënte mirë demokracisë në Shqipëri. Është shumë herët që në Shqipëri të instalohet një sistem bipolar por pavarësisht nga ky fakt, për sa kohë në Kushtetutë kemi pranuar një sistem proporcional, ne kërkojmë proporcionalisht të përfaqësohemi në parlamentin shqiptar”, thotë ai.

Çështja e sistemit zgjedhor ka futur në krizë marrëdhëniet e partive të mëdha më aleatët e tyre.

Problemi është bërë më i dukshëm në kampin opozitar ku disa prej partive të vogla kërcënuan me largim, duke akuzuar PS se po bën asnjë përpjekje për korrigjimin e sistemit.
XS
SM
MD
LG