Ndërlidhjet

Thirrje për moskeqpërdorim të vrasjes së pesëfishtë


Shkup, 13 prill 2012.

Shkup, 13 prill 2012.

Drejtuesit e institucioneve dhe partitë politike në Maqedoni kanë dënuar vrasjen e pesë personave në Shkup, ndërsa kanë bërë thirrje për zbardhjen sa më të shpejtë të aktit, për të mos lënë hapësirë për manipulime të ndryshme, që mund të shkaktojnë tensione ndëretnike në vend.

“Kërkoj dhe pres nga institucionet përgjegjëse që ta zbardhin këtë rast dhe njëkohësisht apeloj për përmbajtje nga të gjithë. Në këto momente të dhimbjes së madhe, më së paku kemi nevojë për keqpërdorimin e kësaj ngjarjeje tragjike. Apeloj për mirëkuptim dhe përgjegjësi”, thuhet në reagimin e presidentit të Maqedonisë, Gjorgje Ivanov.

Ndaj rastit ka reaguar edhe partia e kryeministrit Nikolla Gruevski, VMRO-DPMNE.

“Çdo interpretim arbitrar dhe përpjekje për të interpretuar këtë ngjarje pa argumente, e vlerësojmë si veprim të papërgjegjshëm. U bëjmë thirrje të gjithë individëve dhe partive politike të mos përpiqen të abuzojnë me këtë ngjarje, por të veprojnë të gjithë së bashku me ndërgjegje dhe përgjegjësi të lartë”, thuhet në reagimin e VMRO-DPMNE-së.

Lidhur me vrasjen ka reaguar edhe Lidhja social-demokrate e opozitës, duke e vlerësuar si incidentin më të rëndë në Maqedoni në vitet e fundit.

“I bëjmë thirrje gjithë opinionit, e në veçanti banorëve, që të veprojnë të qetë dhe të mos lejojnë përshkallëzimin e situatës. Në të njëjtën kohë, u bëjmë thirrje institucioneve dhe MPB-së në veçanti, që urgjentisht të marrë të gjitha masat e nevojshme që sa më shpejt të gjejë autorët dhe t’i nxjerr para drejtësisë”.

“Reagimi i shpejtë i institucioneve është mënyra më e mirë për të parandaluar përkeqësimin e mëtejshëm të sigurisë së përgjithshme dhe situatën politike në Maqedoni”, thuhet në reagimin e LSDM-së.

Në afërsi të një liqeni artificial në fshatin Smillkovë të Shkupit, janë gjetur të vrarë pesë persona të etnitetit maqedonas.
XS
SM
MD
LG