Ndërlidhjet

Vrasja e pesëfishtë - s'ka konotacion ndëretnik


Maqedoni, të premten u tubuan banorë të shumtë dhe bllokuan autostradën për të shprehur revoltën ndaj vrasjes së pesëfishtë.
Maqedoni, të premten u tubuan banorë të shumtë dhe bllokuan autostradën për të shprehur revoltën ndaj vrasjes së pesëfishtë.
Pas vrasjes së pesë personave të etnitetit maqedonas në fshatin Smilkovë pranë Shkupit dhe protestave të banorëve lokalë për të shprehur revoltën ndaj aktit, situata në Maqedoni të shtunën paraqitet e qetë.

Viktimat janë identifikuar si: Filip Sllavkovski, Aleksandar Naçevski, Cvetanço Açevski, Kire Trikovski dhe Borçe Stevkovski, ndërsa varrimi i tyre do të bëhet sot.

Ministria e Punëve të Brendshme ka njoftuar se të gjitha informacionet çojnë në atë se vrasja e pesëfishtë nuk ka konotacion ndëretnik, gjë me të cilën do të nxiteshin raportet ndëretnike dhe se informacionet e këtij lloji janë në domenin e spekulimeve.

Gordana Jankullovska
Gordana Jankullovska
“Unë dua të apeloj që të përmbahen të gjithë nga çfarëdo lloj spekulimi sa i përket përkatësisë etnike të autorëve të krimit, të cilët mund të nxisin tensione ndëretnike, ngase deri në këtë moment nuk kemi kurrfarë të dhënash sa i përket përkatësisë etnike, ose për motivet eventuale që kanë çuar në vrasjen e pesëfishtë. Andaj, e përsëris se të gjitha informatat, të cilat rastësisht ose me qëllim plasohen në opinion dhe kanë lidhje me raportet ndëretnike, e them se janë vetëm spekulime, sepse hetimet nuk kanë konfirmuar një gjë të tillë”, ka deklaruar ministrja e Punëve të Brendshme e Maqedonisë, Gordana Jankullovska.

Në interes të hetimeve numri një i dikasterit të Policisë nuk ka dhënë hollësi për motivet e këtij akti, as se kush mund të jenë autorë të mundshëm të krimit, edhe pse siç është shprehur janë shumë pista ku hetohet.

“Pas shqyrtimit të dhënave nga obduksioni i trupave të pajetë të 5 viktimave , u konfirmua fakti se ata janë qëlluar nga më shumë persona, janë përdorur tri lloje të armëve, të cilët kanë qëlluar nga afërsia”, ka bërë të ditur Jankullovska.

Ministrja Jankullovska u ka bërë thirrje të gjithë qytetarëve, të cilët kanë çfarëdo informacioni lidhur me këtë rast, të paraqiten tek organet e sigurisë.

Ajo ka theksuar se janë ndërmarrë të gjitha masat për të gjetur kryesit e veprës është zotuar se autorët e këtij krimi nuk mund t`i ikin dënimit.

Policia është e shpërndarë në të gjitha zonat që mund të paraqiten si zona krize, veçanërisht pas kremteve kishtare me rastin e Pashkëve.

“Apeloj që festa e Pashkëve të jetë dinjitoze dhe qytetarët të mos bien pre e provokimeve, pasi që policia ka të pozicionuar gjithë zyrtarët e saj në terren dhe në preventivë për incidentet e mundshme”, është shprehur Jankullovska.

Në pyetjen nëse bëhet fjalë për vrasje profesionale dhe nëse autorët e krimit duhet të kërkohen jashtë vendit, ministra Jankullovska, ka thënë:

“Të gjitha opsionet janë të hapura, ekzistojnë më shumë variante, por plasimi i më shumë informacioneve në opinion, mund t’i ndihmojë pikërisht ata, të cilët ikin nga drejtësia. Por, ajo që mund të them tani është se MPB-ja e Maqedonisë ka vënë kontakte me autoritetet e sigurisë së disa vendeve të rajonit, të cilët janë shprehur të gatshëm për bashkëpunim dhe nëse arrin çfarëdo lloj informacioni tek ata, ne do të informohemi”.

Rruga e bllokuar nga banorët të premten...
Rruga e bllokuar nga banorët të premten...
Ministrja e Punëve të Brendshme e Maqedonisë ka thënë se bllokada nga ana e banorëve më nuk ka dhe se pritet të bëhet ceremonia e varrimit të të rinjve.

Por, banorët e fshatit Luboten të Shkupit, që gjendet para vendit ku janë gjetur trupat e pajetë, pavarësisht se nuk është ndjerë ndonjë incident natën e kaluar në fshatin e tyre, kanë kërkuar që sa më shpejtë të zhbllokohet rruga që çon në drejtim të fshatit të tyre dhe t`u mundësohet lëvizja e lirë.

"Apelojmë që organet përgjegjëse sa më shpejt të mundësojnë lëvizjen e lirë të qytetarëve, pasi është obligim dhe detyrim i tyre. Rrugët vazhdojnë të jenë të bllokuara. E kuptojmë se situata është prekëse, por lubotenasit s’kanë asnjë arsye që të jenë të bllokuar”, ka thënë për Radion Evropa e Lirë, Muhamed Memeti, banor i fshatit Luboten.

Shumë prej banorëve mbrëmë nuk kanë mundur të shkojnë nëpër shtëpitë e tyre, ndërsa kanë bërë thirrje që kjo situatë të mos vazhdojë edhe gjatë ditës së shtunë, pasi banorët maqedonas të lagjeve Radishani dhe Butel të premten patën bllokuan rrugët në shenjë revolte për pesë personat e vrarë gjatë ditës së enjte në mbrëmje.

Ndërkaq, zyrat e të gjitha përfaqësive diplomatike në Maqedoni e kanë dënuar rastin duke kërkuar nga institucionet e vendit që të gjenden sa më parë ekzekutorët dhe të vihen para organeve të drejtësisë.

Ambasada amerikane në Shkup është deklaruar lidhur me vrasjen e pesëfishtë në fshatin Smilkovc të Shkupit, duke kërkuar që organet e hetuesisë sa më parë të nxjerrin para ligjit aktorët e kësaj vepre makabre.

“Shprehim ngushëllimet tona familjeve të të vrarëve. Jemi në dijeni se autoritetet kanë filluar hetime për incidentin dhe gjetjen e autorit apo autorëve të kësaj vepre të tmerrshme”, theksohet në njoftimin e Ambasadës.

Bashkimi Evropian gjithashtu ka shprehur shqetësime dhe ngushëllime lidhur me vrasjen e pesëfishtë në periferi të Shkupit. Nga kjo zyrë informojnë se shefi i misionit, ambasadori Aivo Orav është në kontakte të vazhdueshme me autoritetet e Shkupit.

“Jemi njoftuar se MPB-ja po bën hetime të detajuara, andaj i bëjmë thirrje të gjitha palëve të rrinë qetë dhe të përmbajtur dhe t’u japin hapësirë të nevojshme autoriteteve për të gjetur dhe nxjerrë para drejtësisë kryerësit e këtij akti vrastar” , thuhet në komunikatën e delegacionit të BE-së në Shkup

Edhe udhëheqësi i OSBE-së në Maqedoni,zëvendëskryeministri irlandez Imon Gilmor, i ka ftuar drejtuesit e shtetit në Maqedoni që të kryejnë hetim të shpejtë për vrasjen e pesëfishtë në rrethinën e Shkupit,duke shpresuar se kryerësit e kësaj vepre famëkeqe do të nxirren para ligjit.

Gilmor ka theksuar se iu bashkëngjitet apeleve të liderëve politikë në Maqedoni dhe përfaqësuesve ndërkombëtarë në vend, me të cilët bëhet ftesë për përmbajtje nga veprimet që mund t’i nxisin marrëdhëniet ndëretnike.
XS
SM
MD
LG