Ndërlidhjet

logo-print

Knaus: Veriu të jetë pjesë e dialogut aktual


Gerald Knaus

Gerald Knaus

“Nuk mendoj se është i nevojshëm një dialog i ndarë, sepse kam përshtypjen që të gjitha çështjet kanë të bëjnë me serbët në veri (edhe pse një pjesë e madhe e tyre tashmë jeton në jug). Pra, kjo (veriu) duhet të mbetej pjesë e dialogut të zakonshëm”, tha në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, drejtori i Iniciativës Evropiane për Stabilitet, Gerald Knaus.


RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Knaus, ka pasur një varg incidentesh gjatë kësaj jave në pjesën veriore të Kosovës. Autoritetet vendore e ndërkombëtare i kanë dënuar këto akte duke bërë thirrje për vendosjen e sundimit të ligjit në atë pjesë. Zgjidhja e çështjeve që ndërlidhen me veriun është përmendur disa herë si parakusht në avancimin e procesit integrues të Prishtinës e Beogradit në Bashkimin Evropian. Çfarë ndikimi mund të ketë problemi i veriut në këtë rrafsh?

GERALD KNAUS
Mendoj se është e qartë që çfarëdo lajmesh të këqija nga veriu, çfarëdo lajme që flasin për vrasje, shpërthime dhe dhunë-pavarësisht detajeve, janë të këqija sikurse për Kosovën ashtu dhe për Serbinë. Nëse e analizoni këtë nga këndvështrimi i kryeqendrave evropiane si Berlini, Londra dhe Parisi, të cilat janë duke menduar se si ta trajtojnë këtë rajon, do të vëreni se është tepër i lartë niveli i padurimit sa i përket problemeve të Ballkanit. Përdorimi i dhunës që mbështet dyshimet se qeveritë e këtij rajoni nuk bëjnë asgjë për t’i zgjidhur në mënyrë paqësore këto probleme, vetëm se e përforcon këtë padurim. Pra, puna po qëndron keq dhe mbetet të shpresojmë që së shpejti të ketë qartësi lidhur me atë se kush qëndron prapa këtyre eskalimeve.

Një nga problemet më të mëdha është mungesa e qasjes së besueshme në publikimin e gjetjeve të inteligjencës dhe vënia në pah se kush, në fakt, qëndron prapa akteve të dhunshme. Pa ndodhur kjo, do të vazhdojë të ekzistojë përshtypja se po dështojnë liderët lokalë.

RADIO EVROPA E LIRË
Ju thatë se po dështojnë liderët lokalë. Çfarë do të thotë kjo? A doni të thoni se po dështon Prishtina apo e ka një pjesë të fajit edhe Beogradi?

GERALD KNAUS
Nëse ka dhunë në veri të Kosovës duhet të shtrohet pyetjet se: A po organizohet ajo nga grupet e organizuara të nacionalistëve? A është ajo e organizuar nga qendrat vendimmarrëse në veri të mbështetura nga dikush në Serbi? A është ajo e organizuar nga dikush që do të mund ta pengonte qeveria serbe (më duhet të them se askush nuk dyshon që vetëm qeveria e Serbisë të jetë organizatore) dhe se a janë bërë të gjitha përpjekjet që të pengohen të gjithë ata që nuk e kanë përjashtuar përdorimin e dhunës për rritjen e tensioneve?

Pra, është shumë e vështirë për dikë që qëndron jashtë këtyre zhvillimeve, t’u përgjigjet këtyre pyetjeve, sepse ka një mungesë të transparencës. Kjo është pikërisht pjesa kryesore e problemit dhe mendoj se ajo që do të duan të shohin liderët evropianë është që, pas zgjedhjeve, qeveria në Beograd do të ketë vullnet për nisjen e negociatave për anëtarësim, të bëjë gjithçka për t’i izoluar këto elemente në veri, të cilat, në fund të fundit, janë tërësisht të varura nga fondet e Serbisë - pra, mjetet e ndikimit, të cilat përdoren për t’i kontrolluar ata.

Kur flasim për Prishtinën, politika nënshtruese ndaj organizatave ndërkombëtare mund të jetë e mençur, por natyrisht se mund të bashkohet me pritjet që organizatat ndërkombëtare të bëjnë më shumë dhe të jenë më të pranishme. Duhet të kërkohet që KFOR-i, EULEX-i dhe organizatat që kanë ndikim mbi Serbinë të jenë me kategorike. Megjithatë, do të ishte ngjashëm e dëmshme po qe se i shtojnë ‘benzin zjarrit’ përmes deklaratave apo veprimeve provokative.

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Knaus, autoritetet ndërkombëtare kanë bërë thirrje për një dialog të veçantë politik për veriun e Kosovës duke thënë se ai do të mund të ndërmjetësohej nga BE-ja. A e ka BE-ja, në fakt, kapacitetin për t’u marrë me një çështje të tillë nëse marrim parasysh kompleksitetin e këtij procesi, e gjithashtu qëndrimet e ndryshme që disa shtete evropiane ende kanë për Kosovën?

GERALD KNAUS
Nuk shoh dikë tjetër, përveç BE-së, që do të mund të ishte ndërmjetësues-thjesht për arsye se është BE-ja ajo që ka një ndikim mbi të dyja palët. Liderët në Serbi, për shembull, duan t’i nisin negociatat për anëtarësim dhe këtu BE-ja mund të shfrytëzojë ndikimin që ka. Krahasuar me BE-në, Shtetet e Bashkuara dhe Kombet e Bashkuara nuk e kanë këtë ndikim mbi Serbinë.

Pra, nuk shoh ndonjë faktor tjetër, përveç BE-së, që do të mund ta luante ketë rol dhe duhet të pranojmë se ka kundërthënie brenda BE-së sa i përket statusit të Kosovës, por ekzistojnë po ashtu edhe çështje, mbi të cilat pajtohen palët: askush në BE nuk propozon, ta zëmë, ndryshimin e kufijve; asnjë qeveri evropiane nuk mbështet ndarjen e Kosovës dhe askush në BE nuk është në favor të përdorimit të dhunës.

Brenda kësaj kornize të gjerë, ajo që BE-ja dhe negociatorët e saj mund të bëjnë është t’i nxisin palët të ecin përpara drejt anëtarësimit në BE. Një veto mjafton për ta ndalur këtë proces dhe për përparimin e cilitdo shtet, përfshirë Serbinë. Është e nevojshme të dëshmohet konstruktiviteti edhe për vetë interesin nacional të atij shteti.

Nuk ka lidhje se si do të quhet përderisa mbeten të qarta parametrat e debateve të tilla dhe përderisa BE-ja është e gatshme ta shfrytëzojë ndikimin e saj që ndërlidhet me procesin integrues evropian. Pra, BE-ja mbetet institucioni më i mirë për çfarëdo forme të debatit mbi çështje kritike.

RADIO EVROPA E LIRË
A do të duhej të ishte veriu temë e dialogut aktual mbi çështje teknike, apo do të duhej të ishte pjesë e një faze apo raundi më politik të dialogut?

GERALD KNAUS
Gjithmonë ka ekzistuar iluzioni se mund të zhvillohet një dialog teknik meqë gjithçka, në fund të fundit, ishte politike. Ideja kryesore që qëndron prapa dialogut është të nisë diskutimi mbi çështje më të lehta me qëllim të ndërtimit të një doze besimi, përmes të cilit do të mundësohej kalimi në çështje më të ndërlikuara. Nuk mendoj se është i nevojshëm një dialog i ndarë, sepse kam përshtypjen që të gjitha çështjet kanë të bëjnë me serbët në veri (edhe pse një pjesë e madhe e tyre tashmë jeton në jug). Pra, kjo duhet të mbetej pjesë e dialogut të zakonshëm.

Gjëja e rëndësishme për rezultatet e dialogut do të jetë ambienti i besimit dhe, për momentin, shoh që po minohet ky ambient, veçanërisht nga vala e arrestimeve dhe disa deklaratave mjaft fyese me theks të veçantë tek ajo e ministrit të brendshëm, Ivica Daçiq, i cili publikisht paralajmëroi arrestimin e civilëve kosovarë që tentojnë të kalojnë përmes Serbisë si mjet proporcional-si arrestime reciproke. Këto lloj deklaratash natyrisht se minojnë çfarëdo forme të besimit, sepse liria e lëvizjes është një nga nevojat bazike pa të cilën është i pamundshëm çfarëdo forme tjetër e përafrimit.

RADIO EVROPA E LIRË
Ju i përmendët arrestimet dhe lirinë e lëvizjes... a ka treguar Serbia në njëfarë mënyrë se nuk është duke i zbatuar marrëveshjet nëse kemi parasysh se një marrëveshje për lirinë e lëvizjes është arritur tashmë nga të dyja palët?

GERALD KNAUS
Le ta marrim arrestimin shokues të Hasan Abazit, ku ministri i Brendshëm serb pati thënë “Unë do të arrestoj edhe më shumë njerëz si masë politike proporcionale” dhe disa parregullsi të tjera që kanë dobësuar vet ligjet e Serbisë-Këto dërgojnë një sinjal: Nëse mund të bëhen arrestime për arsye politike si masë shpagimi apo për shkak të reciprocitetit, atëherë nuk ka liri të lëvizjes. Atëherë, asnjë kosovar nuk do të jetë i sigurt për të udhëtuar për në Serbi. E nëse veprohet sipas logjikës së njëjtë, do të jetë e pamundur për serbët që të udhëtojnë për në Kosovë.

Kjo logjikë është aq e rrezikshme, sa që mendoj se Bashkimi Evropian dhe të gjithë ata që janë të interesuar për një dialog frytdhënës në të ardhmen, duhet të reagojnë shumë fuqishëm në këtë fazë për ta sfiduar logjikën që qëndron prapa deklaratave të zotit Daçiq. Kjo nuk do të thotë se nuk ka pasur probleme me arrestimet e serbëve kosovarë, por nëse ka pasur probleme të tilla në Kosovë EULEX-i do të duhej të ishte më i zëshëm dhe do të duhej t’i hetonte këto veprime. Por, fakti që një ministër i brendshëm paralajmëron arrestime të tjera si mjet politik - gjë që nuk është dënuar pothuaj fare deri më tani, qoftë nga politikanët e tjerë në Beograd, apo nga bashkësia ndërkombëtare, është shokuese dhe minon shanset për vazhdimin e një dialogu frytdhënës në vjeshtë apo më vonë. Andaj, mendoj se kjo çështje është tejet serioze.

RADIO EVROPA E LIRË
Thatë se është një situatë serioze...a ka Prishtina, në fakt, ndonjë arsye për ta vazhduar dialogun?

GERALD KNAUS
Mendoj se ka arsye të mira për vazhdimin e dialogut, por nëse cungohet liria e lëvizjes e nëse qytetarët e Kosovës dhe të Serbisë nuk mund të udhëtojnë lirshëm, atëherë nuk ka arsye të flitet për çështje teknike. Liria e lëvizjes ishte mundësuar në Bosnjë, tri-katër vjet pas një lufte të tmerrshme, ndërsa përgjatë dhjetë viteve të fundit qytetarët e Bosnjës kanë mundur të lëvizin lirshëm në tërë territorin e vendit pa u arrestuar. Ky duhet të jetë hapi parësor për përparimin e mëtejmë.

Për këtë arsye mendoj se arrestimet e fundit dhe deklaratat e ministrit të Brendshëm serb që pasuan ato, jo vetëm se janë shokuese, por mund të jenë gjithashtu një pikë kthyese, meqë minojnë tërë supozimet që hap pas hapi të arrihet normalizimi i marrëdhënieve. Pra, diçka që, në fakt, do të duhej të ishte e padiskutueshme po vihet në pikëpyetje vetëm pse në horizont i kemi zgjedhjet.
XS
SM
MD
LG