Ndërlidhjet

Petroviq: Mos lejoni manipulime


Zëvendëskryeministri i Kosovës, njëherësh ministër i Administrimit të Pushtetit Lokal, Sllobodan Petroviq.
Zëvendëskryeministri i Kosovës, njëherësh ministër i Administrimit të Pushtetit Lokal, Sllobodan Petroviq.
Zëvendëskryeministri i Kosovës, njëherësh ministër i Administrimit të Pushtetit Lokal, Sllobodan Petroviq, u ka bërë thirrje për qetësi qytetarëve që jetojnë në veri të Mitrovicës, duke u kërkuar atyre të mos lejojnë çfarëdo manipulimi.

Pas një takimi që ka zhvilluar me Kryetarin e Gjykatës Kushtetuese të Sllovenisë, Ernest Petriq, dhe ambasadorin e Sllovenisë në Kosovë, Jozef Hllep, Petroviq ka theksuar rëndësinë për mbështetjen e mekanizmave të sigurisë për mbajtjen e qetësisë në pjesën veriore të vendit.

“Shfrytëzoj edhe këtë rast të bëj thirrje, para së gjithash, për qytetarët që jetojnë në veri, që të jenë të qetë dhe të mos lejojnë asnjë lloj të manipulimit, që institucioneve të sigurisë t’u japim mbështetje, në mënyrë që sa më parë të tejkalohet problemi në veri. Ju e dini që në Republikën e Serbisë është vit i zgjedhjeve, që ato janë në zhvillim e sipër dhe sigurisht që edhe ato ushtrojnë ndikimin e tyre”, është shprehur Petroviq.

Komenti i tij vjen gati një javë pas një shpërthimi në veri të Mitrovicës, si pasojë e të cilit kishte vdekur një, ndërsa ishin lënduar disa persona të tjerë.

Sulmi është dënuar nga autoritetet vendore e ndërkombëtare, mirëpo autoritetet e rendit ende nuk kanë vënë para drejtësisë personat përgjegjës të këtij akti.

Në ndërkohë, përgjatë kësaj jave në veri të Mitrovicës qëndruan disa politikanë serbë në kuadër të fushatës për zgjedhjet serbe të 6 majit, mbajtja e të cilave në territorin e Kosovës është kundërshtuar ashpër nga Prishtina zyrtare dhe partnerët e saj ndërkombëtarë.
XS
SM
MD
LG