Ndërlidhjet

logo-print

Guardian: Kofi Anan ka të drejtë


Refugjate siriane...

Refugjate siriane...

“ The Guardian”


Ish-sekretari i përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Kofi Anan, ka arsye të ndihet krenar për armëpushimin sirian, i cili, si rezultat i udhëtimeve të tij të palodhshme në Moskë, Teheran, Turqi dhe Katar, ka hyrë në fuqi të enjten. Ai mund të ketë pësuar disa shkelje aty-këtu, por, megjithatë, shënon fillimin e një faze të re politike të krizës në Siri, shkruan në numrin e sotëm e përditshmja britanike “The Guardian”.

Sipas saj, komuniteti ndërkombëtar duhet të ketë durim dhe t’i japë Ananit mbështetje të plotë, sepse armëpushimi i qëndrueshëm është parakusht thelbësor për zgjidhje të negociuar të konfliktit.

Qindra vëzhgues të pavarur, të mandatuar nga Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara, pritet të arrijnë brenda ditësh në Siri për të monitoruar situatën atje.

Disa, padyshim, do të jenë të pakënaqur me këto rezultate. Ata kundërshtarë sirianë, që kanë ëndërruar përmbysjen e presidentit Bashar al-Asad, në fakt gjykimin dhe ekzekutimin e tij, do të zhgënjehen më shumë.

Kjo javë ka shënuar vizitën e papritur të senatorëve amerikanë, Xho Liberman dhe Xhon Mekejn, në Ushtrinë e Sirisë së Lirë, të cilët kanë thënë se “diplomacia me Asadin ka dështuar”. Ata kanë bërë thirrje për armatosjen e kryengritësve dhe për fushatë të huaj ajrore - me qëllim rrëzimin e Asadit.

Por, Anani, ka të drejtë kur deklaron se “çdo militarizim i mëtejshëm i konfliktit do të jetë shkatërrues” - edhe pse burrat si dy zyrtarët e lartpërmendur amerikanë dhe aleatët e tyre izraelitë nuk e duan zgjidhjen që lë regjimin sirian në vend. Ata nga fillimi kanë dashur rrëzimin e tij, në mënyrë që të dobësohet dhe izolohet Irani.

Asadi, në javët e fundit, ka bërë publike një sërë reformash politike. Por, çfarëdo që të bëjë, ai nuk do t’i kënaqë armiqtë. Ata duan kokën e tij. Reformat e tij duhet të jenë një marrëveshje e guximshme për të kënaqur opinionin e moderuar, i cili derisa do që të mbrojë Sirinë nga shkatërrimi, kaosi dhe pasiguria e luftës civile, do që të shohë edhe një sistem krejtësisht të ndryshëm politik në vend. Çdo sistem i ri nuk duhet të parashohë kontrolle mbytëse politike apo brutalitet të policisë.

Duhet të gjenden rrugë urgjente për të zvogëluar edhe ankesat e viseve të varfra rurale të Sirisë, ashtu si dhe të viktimave të thatësirës. Motori i vërtetë i kryengritjes në Siri, ashtu si edhe në Egjipt, Tunizi, Jemen dhe gjetkë në rajon, ka qenë paaftësia e qeverisë për të përmbushur aspiratat themelore të një popullsie në rritje.

Shtypja pa dallim e regjimit ka shkaktuar plagë të thella në shoqërinë siriane. Shumë mund të kenë etje për gjak. Asadi duhet të largojë disa njerëz të dhunshëm nga shërbimet e tij të sigurisë dhe të vërë në lëvizje një proces të sinqertë të pajtimit. Diçka si komision i besimit dhe pajtimit mund të jetë i nevojshëm. Kjo mund të jetë edhe detyrë e re për Ananin.

Një tjetër sugjerim do të ishte që presidenti Asad të thërriste një kongres kombëtar të figurave siriane, që përfaqësojnë të gjitha komunitetet dhe pikëpamjet politike, për të debatuar për mënyrën e qeverisjes së Sirisë në të ardhmen. Diskutimet e tilla padyshim se do të marrin kohë. Një sistem i ri politik nuk do të ndërtohet në një fundjavë.(v.t.)
XS
SM
MD
LG