Ndërlidhjet

KS miraton rezolutën për Sirinë


Këshilli i Sigurimit - foto arkiv
Këshilli i Sigurimit - foto arkiv
Këshilli i Sigurimit ka votuar unanimisht në favor të rezolutës, e cila autorizon vendosjen e grupit të parë të vëzhguesve ushtarakë të OKB-së në Siri, për të monitoruar armëpushimin mes Qeverisë siriane dhe luftëtarëve opozitarë.

Rezoluta 2042 e Kombeve të Bashkuara aprovon 30 monitoruesit e parë të paarmatosur, të cilët pritet të vendosen brenda ditësh në Siri.

Për misionin e plotë të monitorimit, në përbërje të më shumë se 200 vëzhguesve, do të duhet një rezolutë e re me mandat të plotë.

Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara, Suzën Rajs, ka thënë se Këshilli do të shqyrtojë hapat e mëtejshëm, nëse Siria nuk i jep fund dhunës.

Armëpushimi, i cili ka hyrë në fuqi të enjten, është në qendër të planit për paqe të të dërguarit ndërkombëtar për Sirinë, Kofi Anan.

Siria është përfshirë nga protestat kundër regjimit dhe dhuna qysh në mars të vitit të kaluar. Që nga ajo kohë, sipas shifrave të Kombeve të Bashkuara, kanë humbur jetën mbi 9,000 persona – shumica nga ta civilë.
XS
SM
MD
LG