Ndërlidhjet

Beogradi nis hetime kundër Koshnjetit


Ilustrim
Ilustrim
Mark Koshnjetit, të arrestuar të shtunën në Merdare nga policia serbe, i është caktuar masa e paraburgimit prej 48 orësh.

Siç raportojnë mediat në Beograd, Prokuroria e Serbisë ka vendosur që të nisë hetimet kundër Koshnjetit. Sipas burimeve të njëjta, ai do të merret në pyetje të hënën në mëngjes, ndërsa gjykatësi për krime lufte në Gjykatën e Lartë në Beograd do të vendosë për paraburgimin.

Familjarët kanë bërë të ditur se Koshnjeti po udhëtonte me autobus drejt Beograd, për të vizituar motrën e tij.

Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut në Kosovë, Qendra në Prizren, ka reaguar ndaj arrestimit, duke kërkuar nga mekanizmat vendorë dhe ndërkombëtarë që të ushtrojnë ndikimin e tyre për lirimin e Koshnjetit.

KMDLNJ ka hedhur poshtë deklaratat e autoriteteve serbe se Koshnjeti “ka qenë pjesëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”.

Ministri i Brendshëm serb, Ivica Daçiq, duke bërë publik lajmin për arrestimin, ka thënë se Koshnjeti “dyshohet për krime lufte kundër serbëve, të kryera në vitet 1990 në Kosovë".

“Bëhet fjalë për krime lufte kundër popullsisë civile. Nëse ai është fajtor, do të tregojë procesi i mëtejshëm", ka thënë Daçiq. (v.t.)
XS
SM
MD
LG