Ndërlidhjet

Raund tjetër negociatash për Iranin


Kryediplomatja evropiane, Kethrin Eshton, dhe përfaqësuesi iranian në bisedime, Saed Xhalili. Stamboll, 14 prill 2012.

Kryediplomatja evropiane, Kethrin Eshton, dhe përfaqësuesi iranian në bisedime, Saed Xhalili. Stamboll, 14 prill 2012.

Përfaqësuesit e Iranit dhe të gjashtë fuqive botërore janë takuar të shtunën në Stamboll, për të diskutuar programin bërthamor të Teheranit.

Pas bisedimeve deri në orët e vona, palët e kanë përshkruar takimin si të dobishëm, por çështja e vetme për të cilën janë pajtuar thuhet të jetë nevoja për një raund tjetër negociatash, muajin e ardhshëm në Bagdad.

Shefja për politikë të jashtme e Bashkimit Evropian, Kethrin Eshton, ka thënë se takimi i Stambollit ka qenë “konstruktiv dhe i dobishëm”. Ajo ka theksuar se raundet e ardhshme të takimeve duhet të rezultojnë me “hapa konkretë, drejt zgjidhjes së problemit dhe lehtësimit të tensioneve”.

“Presim që takimet e mëvonshme të çojnë në hapa konkretë, drejt një zgjidhjeje gjithëpërfshirëse dhe të negociuar, e cila rikthen besimin ndërkombëtar në natyrën ekskluzivisht paqësore të programit bërthamor iranian. Kjo është arsyeja përse do të takohemi sërish së shpejti – më 23 maj në Bagdad”, ka thënë Eshton.

Shtëpia e Bardhë ka mirëpritur “qëndrimin pozitiv” të Iranit në bisedimet e Stambollit. Zëvendëskëshilltari i Sigurisë Kombëtare, Ben Rods, ka përsëritur komentet e Eshtonit, duke thënë se Shtetet e Bashkuara duan të shohin “hapa konkretë” nga Irani.

Dyshimet se programi bërthamor i Iranit ka për qëllim krijimin e armëve atomike, kanë bërë që Kombet e Bashkuara dhe vendet individuale të vendosin një sërë sanksionesh kundër Republikës Islamike. Kjo e fundit këmbëngul se aktiviteti i saj bërthamor ka qëllime paqësore.
XS
SM
MD
LG