Ndërlidhjet

Gruevski: Vrasësit do përgjigjen para ligjit dhe Zotit


Kryeministri i Maqedonisë, Nikolla Grueevski - foto arkivi

Kryeministri i Maqedonisë, Nikolla Grueevski - foto arkivi

Kryeministri i Maqedonisë, Nikolla Gruevski, ka siguruar opinionin se autorët e vrasjes së pesë personave në afërsi të fshatit Smillkovë, pranë Shkupit, nuk do të mund t’i ikin drejtësisë dhe se do të marrin dënimin e merituar për krimin e kryer.

“Kjo ngjarje na ka goditur të gjithë neve, na ka goditur deri në palcë. Megjithatë, duhet të vazhdojmë dhe të ballafaqohemi me sfidat. Dëshiroj të dërgoj porosi deri te kryerësit e kësaj ngjarjeje se drejtësia kurdo do t’i arrijë dhe dënimin do ta marrin si nga ligji, ashtu edhe nga Zoti, nëse vërtet e kuptojnë se çfarë do të thotë kjo”, ka deklaruar Gruevski, pas një liturgjie të mbajtur me rastin e Pashkëve Ortodoske.

Edhe presidenti maqedonas, Gjorgje Ivanov, ka thënë se pret zbulimin dhe dënimin e autorëve të këtij krimi të rëndë.

“Nuk mund të mos e kujtojmë vrasjen e pesë personave dhe të shprehim ngushëllimin për familjarët e tyre. Pres që ata që e bënë këtë, të gjenden dhe të marrin dënimin e merituar”, ka deklaruar presidenti maqedonas.

Nga Ministria e Punëve të Brendshme kanë thënë se janë duke punuar për zbardhjen e vrasjes dhe se deri më tani në pyetje janë marrë dhjetëra persona, porse ende nuk ka të dyshuar.

Një ditë më parë, ministrja e Brendshme e Maqedonisë, Gordana Jankullovska, ka kërkuar nga mediat dhe opinioni në përgjithësi të mos spekulojnë lidhur me motivet e ngjarjes, pasi, sipas saj, nuk ka as edhe një dëshmi që vrasja të ketë konotacione ndëretnike.
XS
SM
MD
LG