Ndërlidhjet

Maqedoni: Shqiptarët kërkojnë presion ndaj qeverisë


Qeveria e Maqedonisë
Qeveria e Maqedonisë
Intelektualët shqiptarë thonë se letra, të cilën ditë më parë i drejtuan sekretares amerikane të shtetit, Hillary Klinton, sekretarit të përgjithshëm të NATO-s, Andres Fog Rasmusen dhe komisionarit për zgjerim të BE-së, Shtefan Fyle, është vetëm një nga përpjekjet e shumta që po bëhen për frenimin e politikave të gabuara që po udhëheq pushteti aktual në Maqedoni.

Ata thonë se për shkak të këtyre politikave, situata në Maqedoni paraqitet alarmante, procesi i integrimit mbetet i bllokuar, marrëdhëniet ndëretnike çdo ditë e më tepër acarohen, ndërsa po përkeqësohet edhe gjendja ekonomike.

“Qëllimi është që të prezantohet situata, e cila është dramatike në të gjitha segmentet dhe vlerësoj se gjeneza e saj rrjedh, në veçanti, nga bllokimi i proceseve euroatlantike. Zëri i intelektualëve në perëndim ka peshë të veçantë dhe unë mendoj se ata kanë informata kyçe se çfarë po ndodh këtu, kështu që është një sensibilizim edhe i faktorit të brendshëm dhe jo vetëm atij të jashtëm”, thotë Mersel Bilalli, profesor universitar dhe një nga nënshkruesit e letrës.

Duke folur për bllokimin tashmë disa vjet të procesit të integrimit të vendit në NATO dhe BE, për shkak të moszgjidhjes së çështjes së emrit, intelektualët thonë se “shqiptarët kanë treguar mirëkuptim ndaj emocioneve kolektive të bashkë-atdhetarëve të tyre etnik maqedonas, të cilët çështjen e emrit e përjetonin ndjeshëm”.

Por, sipas tyre “durimi ka filluar të shteret që nga momenti kur u bë e qartë se sensibilizimi negativ lidhur me emrin e shtetit nga ana e Qeverisë, paraqet vetëm formë manipulimi me ndjenjat e qytetarëve, me qëllim të vazhdimit të jetës së pushtetit aktual - në kushte të varfërisë, diktaturës dhe kriminalitetit të organizuar”.

Ndërsa, sa i përket rolit të faktorit shqiptar në Qeveri për të penguara një politikë të këtillë, Albert Musliu, thotë se BDI-ja ka shansin për të ndërmarrë masa, por kjo deri më tani nuk është bërë nga ana e saj, edhe pse çështja e integrimit është një nga pikat kryesore të programit të saj.

“Derisa procesi nuk po zhbllokohet, mendoj se trysnia nuk është e mjaftueshme se numrat na tregojnë se të gjitha kombinacionet janë të mundshme, BDI-ja mekanizmin e presionit ndaj partnerit të saj të koalicionit e ka, dikasteret që i udhëheqin ministrat dhe zëvendëskryeministrat shqiptarë mund të kenë përkushtim shumë të madh ndaj procesit, ta bëjnë punën në mënyrë të përkryer, por procesi nuk do të zhbllokohet derisa nuk bindet partneri i koalicioni qoftë me presion, marrëveshje, dialog apo forma tjera”, vlerëson Musliu.

Intelektualët shqiptarë vlerësojnë se problemi i emrit të Maqedonisë është shumë më i vogël se sa që dramatizohet nga udhëheqësit e saj me qëllime të caktuara.

Kompromiset Kroaci - Slloveni dhe Kosovë - Serbi, sipas tyre janë edhe një dëshmi që treguan në situata shumë më të komplikuara dhe të ndjeshme politike se mund të ketë zgjidhje, por vetëm nëse ekziston vullnet i mirë politik.

Letrat e intelektualëve shqiptarë dhe debatet tjera për çështjen e emrit janë intensifikuar në prag të Samitit të NATO-s në Çikago, ku sipas të gjitha paralajmërimeve, nuk do të bëhet fjalë për Maqedoninë në aspekt të dhënies së ftesës për anëtarësim, për shkak të moszgjidhjes së kontestit të emrit me Greqinë.
XS
SM
MD
LG