Ndërlidhjet

Zyrtarët e inteligjencës afgane thonë se forcat e sigurisë kanë zmbrapsur militantët në dy qytete të Afganistanit, ndërsa dhuna sporadike vazhdon në kryeqytetin Kabul.

Disa pjesë të Afganistanit të dielën janë tronditur nga sulme të koordinuara, që thuhet të kenë pasur në shënjestër edhe ambasadat e shteteve perëndimore.

Luftullah Mashal, zëdhënës i Drejtorisë për Siguri Kombëtare, që është agjenci shtetërore e inteligjencës, tha se luftimet kanë përfunduar në qytetet lindore të Gardezit dhe Xhalalabadit.

Ai tha se forcat e sigurisë nuk kanë përcaktuar ende numrin e viktimave apo të militantëve të përfshirë në sulme.

“Pas përfundimit të operacionit, trupat ndërkombëtare dhe forcat afgane të sigurisë do të zbulojnë numrin e viktimave dhe të kryengritësve të përfshirë”, tha Mashal.

Në Kabul, dëshmitarët thonë se kryengritësit vazhdojnë të sulmojnë forcat afgane në tri fronte. Po sipas banorëve lokalë, në lindje të Kabulit, militantët kanë sulmuar një konvoj francez dhe një bazë ushtarake të Greqisë.

Talibanët kanë marrë përgjegjësinë për sulmet në gjithë vendin. Mashal tha se, sipas vlerësimeve fillestare, bëhet fjalë për rrjetin Hakani.

Mashal po ashtu tha se policia ka ndaluar militantët nga vrasja e nënkryetarit të dytë të Afganistanit, Abdul Karim Khalil.

“Një grup prej tre kryengritësve të armatosur ka pasur në shënjestër nënkryetarin e dytë, zotin Khalili. Forcat afgane të sigurisë i kanë kapur të tre. Komploti tregon se bëhet fjalë për Hakanin”, tha Mashal.
XS
SM
MD
LG