Ndërlidhjet

Breiviku – i papenduar në deklaratën e tij

  • RFE /RL

Anders Bering Breivik, të martën e ka paraqitur deklaratën e tij të hapjes në një gjykatë të Oslos.

Ai ka deklaruar se ndjehet i pafajshëm ndaj akuzave për vrasjen e 77 personave në korrik të vitit të kaluar, duke thënë se ka vepruar në “vetëmbrojtje”.

Në deklaratën e tij, Breivik e ka përshkruar veprimin e tij si “sulmin politik më të sofistikuar dhe më spektakular në Evropë që nga Lufta e Dytë Botërore”, dhe theksoi se kështu do të vepronte përsëri.

Gjykata në Oslo e ka shkarkuar njërin nga tre anëtarët e jurisë, për shkak të komenteve të tij në Facebook, se Breiviku e meritonte dënimin me vdekje.

Gjyqtari-porot, Thomas Indreboe, në komentet e tij në ditën pasi ishte bërë masakra, kishte shkruar se “dënimi me vdekje është e vetmja finale korrekte në këtë rast”.

Në sistemin juridik në Norvegji nuk ekziston dënimi me vdekje.

Gjykimi i vrasësit të tetë personave në Oslo dhe i 69 të tjerëve në ishullin Utoja ka filluar të hënën.

Ai mund të dënohet me 21 vjet burg – periudhë që mund të zgjatet nëse ai konsiderohet i rrezikshëm.

Nëse shpallet i çmendur, Breivik mund të dërgohet në spital psikiatrik për një kohë të pakufizuar.

Breivik sfidon multikulturalizmin e gjykatës


Fanatiku i krahut të djathtë, Anders Behring Breivik, i cili e ka pranuar vrasjen e 77 njerëzve vitin e kaluar në Norvegji, gjatë masakrës me bombë dhe të shtëna, është paraqitur të hënën në një gjykatë në Oslo, duke thënë se nuk e njeh autoritetin e gjykatës.

Autoritetet e akuzojnë atë për terrorizëm dhe vrasje masive.

Duke hyrë në një gjykatë në kryeqytetin e Norvegjisë, Oslo, Anders Behring Breivik, 33 vjeçar, përshëndeti me grusht të mbyllur, që shihet se gjest i krahut të djathtë.

Ai tha se nuk e njeh juridiksionin e gjykatës, për shkak të lidhjeve të saj me qeverinë, e cila, sipas fjalëve të tij, e mbështet “multikulturalizmin”.

Nuk i njoh gjykatat norvegjeze. Ju e keni marrë mandatin tuaj nga partitë politike, që e mbështesin multikulturalizmin”, tha Breivik.

Anders Breivik akuzohet për terrorizëm dhe vrasje masive. Ai e ka pranuar se e ka orkestruar shpërthimin e bombës në Oslo, nga e cila u vranë 8 vetë, dhe pastaj të shtënat e tij, që në shënjestër kishin pjesëmarrësit e një kampi veror në një ishull, që organizohej nga Partia Laburiste në qeveri.

Në këtë sulm në ujdhesë, ai i vrau 69 vetë, kryesisht të rinj, që kishin lidhje me Partinë Laburiste.

Anders Breivik i tha gjykatës se ai nuk e konsideron veten fajtor për çfarëdo krimi. Në të kaluarën ai ka thënë se sulmet ishin protestë kundër politikave imigruese liberale të Norvegjisë dhe ishte e domosdoshme që të parandalohet që Norvegjia të mos mbizotërohet nga myslimanët.

A nuk ka shprehur pendim për vrasjet dhe pritet se do ta shfrytëzoj procesin si platformë për paraqitjen e pikëpamjeve të tij anti-myslimane.

Personi i cili e ka mbijetuar sulmin, Vegard Graslie Venesland tha se ishte vështirë ta shihte Breivikun për të parën herë prej masakrës në korrik të vitit 2011.

Do të jetë kohë e vështirë për shumë vetë, por kjo është kohë shumë e rëndësishme. Procesi filloi dhe ne do të kemi detaje se çka ndodhi dhe cilat ishin motivet për sulmin më 22 korrik. Por, është po ashtu, me rëndësi, që sistemi juridik të veproj dhe kjo do të dëshmohet në 10 javët e ardhshme, sa zgjatë procesi”, tha i mbijetuari Venesland.

Breiviku u ulë në vendin e tij në gjykatë me një qetësi në fytyrë, ndërsa prokurori e lexonte aktakuzën për terror dhe për vrasje të paramenduara, përfshirë edhe përshkrimin e secilës vrasje.

Meqë Anders Breivik i ka pranuar vrasjet, çështja kryesore në procesin, që do të zgjasë 10 javë, do të jetë përcaktimi i gjendjes mendore të Breivikut, e cila do të ketë ndikim në natyrën e dënimit të tij.

Nëse gjykata konsideron se ai është i çmendur, Breiviku mund të ballafaqohet me kalimin e gjithë jetës së tij në spital psikiatrik.

Por, nëse gjykata konsideron se ai është mentalisht i shëndoshë, ai mund të ballafaqohet me burgim në kohëzgjatje prej 21 viteve ose me ndonjë dënim alternativ, që do të lejonte mbajtjen e tij në burg, për aq kohë, për sa ai shihet si rrezik për shoqërinë.

Procesi kundër Anders Breivikut, po mbahet nën masa të ashpra sigurie. Rrugët për jë gjykatë janë të bllokuara, ndërsa një qelq i trashë e ndanë Breivikun nga të mbijetuarit dhe farefisi i viktimave, që po marrin pjesë në proces.

Televizioni norvegjez, NRK, po transmeton pjesë të procesit. Por, nuk lejohet pamja e dëshmisë së të akuzuarit Breivik, për shkak të shqetësimeve se ai do të përpiqet ta shfrytëzojë paraqitjen publike për të nxitur sulme të ardhshme. (f. b.)
XS
SM
MD
LG