Ndërlidhjet

Obama paralajmëron sanksione shtesë për Iranin


Presidenti i SHBA-së, Barak Obama.

Presidenti i SHBA-së, Barak Obama.

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Barak Obama, ka paralajmëruar sanksione shtesë për Iranin, nëse gjatë muajve të ardhshëm nuk shënohet përparim në bisedimet për programin e tij bërthamor.

“Besoj se ende ka mënyra për zgjidhje diplomatike të problemit. Irani duhet të bëjë diçka në lidhje me këtë çështje”, ka thënë Obama në konferencën për gazetarë në Kolumbi, ku ka marrë pjesë në samitin e vendeve të Amerikës Veriore dhe Jugore.

Obama ka thënë se Shtetet e Bashkuara “nuk i kanë dhënë asgjë Iranit me raundin e fundit të bisedimeve për programin e tij bërthamor”.

Me këto komente, presidenti amerikan u është përgjigjur kritikave të kryeministrit izraelit, Benjamin Netanjahu, i cili ka thënë se Irani ka fituar “dhuratë” nga fuqitë e mëdha botërore me bisedimet që kanë nisur të shtunën në Stamboll.

Gjatë raundit të fundit të bisedimeve ndërmjet Republikës Islamike dhe pesë anëtareve të përhershme të Këshillit të Sigurimit, përfshirë dhe Gjermaninë, nuk është shënuar ndonjë rezultat, pos pajtimit për të vazhduar negociatat muajin e ardhshëm në Bagdad.

Perëndimi, deri më tash, ka miratuar një sërë sanksionesh kundër Teheranit zyrtar nga frika se programi i tij bërthamor ka për qëllim krijimin e armëve atomike.
XS
SM
MD
LG