Ndërlidhjet

logo-print

BE kundër forcës në veri


Pamje nga veriu - foto nga arkivi

Pamje nga veriu - foto nga arkivi

Përfaqësuesit e Bashkimit Evropian dhe analistët ndërkombëtarë i cilësuan kontra-produktive dhe në shpërputhje me parimet evropiane kërkesat e shtuara në skenën politike kosovare që flasin për nevojën e përdorimit të forcës rreth shtirjes së sovranitetit në veri të Mitrovicës.

Ata thanë se “tensionet dhe provokimet” e fundit në marrëdhëniet Kosovë-Serbi ishin në kundërshtim me “frymën e dialogut” në mes të dyja palëve.

Në një prononcim dhënë Radios Evropa e Lirë, Maja Kocijançiq, zëdhënëse e Përfaqësueses së Lartë të Bashkimit Evropian për Marrëdhënie Ndërkombëtare dhe Siguri, Kethrin Eshton, theksoi nevojën për përmbajte duke i bërë thirrje Prishtinës e Beogradit të veprojnë përgjegjshëm në bashkëpunimin me bashkësinë ndërkombëtare.

Përdorimi i forcës, sipas saj, duhet të përjashtohet si mjet për zgjidhjen e problemeve.
Përdorimi i forcës natyrisht se nuk do t’i kontribuonte situatës, nuk do ta përmirësonte e as nuk do ta qetësonte atë.
Përdorimi i forcës natyrisht se nuk do t’i kontribuonte situatës, nuk do ta përmirësonte e as nuk do ta qetësonte atë. Ne duam që të dyja palët të jenë të përmbajtura, të veprojnë përgjegjshëm dhe të vazhdojnë bashkëpunimin me bashkësinë ndërkombëtare”, tha ajo.

Komenti i saj pason deklaratat e zyrtarëve kosovarë, të cilët nuk përjashtuan mundësinë e përdorimit të forcës për vënien e sundimit të ligjit në veri të Kosovës dhe kërkesat e opozitës që të veprohet sa më parë në këtë drejtim.

Mirëpo, Sabine Freizer nga Grupi Ndërkombëtar i Krizave, i quajti të rrezikshme deklaratat dhe kërkesat për shtirjen e sovranitetit në veri të Kosovës përmes aparatit të forcës.

Ajo shfaqi shpresën që pas zgjedhjeve serbe të 6 majit të rikthehet besimi për vazhdimin e dialogut ndërmjet palëve.

Sfida e radhës në këtë drejtim, sipas Freizer, do të jetë pikërisht dita kur planifikohet të mbahen zgjedhjet në fjalë.

Atë që e cilësoj si kërcënim të qartë është data 6 maj dhe dita e zgjedhjeve. Shpresoj se të gjitha palët do të jenë konstruktive, të pajtohen për një organizim ndërkombëtar të zgjedhjeve parlamentare dhe presidenciale të Serbisë në Kosovë, por që ky zhvillim (zgjedhjet) të mos merret si shfajësim për konflikte e tensione të tjera”, vlerësoi Freizer.

Pas mbajtjes së zgjedhjeve serbe dhe formimit të qeverisë së re në Beograd është paralajmëruar, në ndërkohë, vazhdimi i dialogut të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian në mes të Kosovës e Serbisë.

Diplomatë të ndryshëm ndërkombëtarë kanë sugjeruar nisjen e një dialogu politik me temë boshte çështjen e veriut të Kosovës.

Duke mos hedhur poshtë gatishmërinë e BE-së që ta ndërmjetësojë një dialog të natyrës politike për veriun, Kocijançiq tha se fokusi i Brukselit do të jetë vazhdimi i procesit të deritashëm.

Qëllimi ynë është që të vazhdojmë lehtësimin e këtij dialogu. Kjo do të ndodhë sa më parë pas përfundimit të zgjedhjeve në Serbi. Më pas, do të nisemi nga aty”, theksoi ajo.

Takimi i fundit i delegacionit kosovar dhe atij serb, i cili u mbajt në Bruksel në fund të shkurtit, kishte rezultuar me marrëveshjen për bashkëpunim rajonal.

Në kuadër të marrëveshjeve të arritura, deri më tani, hyn dhe ajo për lirinë e lëvizjes dhe disa marrëveshje të tjera të cilat, sipas Prishtinës zyrtare, nuk po zbatohen në terren nga qeveria serbe.

Kjo e fundit arrestoi përgjatë javëve të shkuara disa kosovarë që po qëndronin në territorin e shtetit serb duke, siç vlerësojnë analistët, minuar ambientin për vazhdimin e mëtejmë të dialogut.

Jashtë dialogut të deritashëm ka mbetur çështja e veriut të Kosovës ku situata vazhdon të jetë e tensionuar pas një sulmi me mjet shpërthyes si pasojë e të cilit vdiq një, ndërsa u lënduan disa persona të tjerë.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG