Ndërlidhjet

logo-print

Thirrje Sirisë për respektim të armëpushimit


Sekretari i përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Ban Ki-mun, 16 prill 2012.

Sekretari i përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Ban Ki-mun, 16 prill 2012.

Sekretari i përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Ban Ki-mun, u ka bërë thirrje autoriteteve në Siri për përmbajtje maksimale, ndërsa ka kërkuar nga opozita që të bashkëpunojë për mbajtjen e armëpushimit.

“Autoritetet siriane duhet të tregojnë përmbajtje maksimale, ndërsa forcat opozitare duhet të bashkëpunojnë, në mënyrë që të zbatohet plani i të dërguarit ndërkombëtar, Kofi Anan, për ndërprerjen e dhunës”, ka thënë Ban në konferencën për gazetarë në Bruksel.

Kreu i OKB-së ka thënë se armëpushimi në terren është “shumë i brishtë” dhe se është e rëndësishme që të dyja palët, sidomos regjimi sirian, të bëjë gjithçka të mundur që të përmbushen kërkesat e përcaktuara.

“Nëse dhuna vazhdon, qoftë edhe sporadike, siç ka ndodhur në tre-katër ditët e fundit, gjithçka bëhet e paqëndrueshme dhe kërcënohet funksionimi i duhur i operacioneve të ekipit vëzhgues”, ka thënë Ban, i cili në Bruksel ka qëndruar për një samit të energjisë.

Sipas tij, “shkëndija më e vogël” mund të rrezikojë seriozisht marrëveshjen për armëpushim.

Presidenti i Komisionit Evropian, Hoze Manuel Baroso, po ashtu i ka bërë thirrje Damaskut të respektojë marrëveshjen në fjalë.

Gjashtë vëzhguesit e parë të OKB-së, që do të monitorojnë armëpushimin, kanë arritur të hënën në Siri.

Armëpushimi në këtë vend ka hyrë në fuqi të enjten e kaluar, por forcat qeveritare kanë vazhduar të bombardojnë disa pjesë të Homsit.
XS
SM
MD
LG