Ndërlidhjet

logo-print

Maqedoni: Ka të dhëna për zbardhjen e krimit


Ndërtesa e Qeverisë së Maqedonisë

Ndërtesa e Qeverisë së Maqedonisë

Ministria e punëve të brendshme e Maqedonisë njoftoi se hetimi për zbulimin e autorëve të vrasjes së pesëfishtë në afërsi të Shkupit, po zhvillohet me intensitet të lartë dhe se pista e hetimeve është përqëndruar në makinën e zbuluar ditë më parë, e që dyshohet të jetë përdorur nga autorët e krimit.

Ministrja Gordana Jankullovska tha se është kërkuar ndihmë edhe nga shtetet fqinje për zbardhjen e rastit, pasi është ndër veprat më të rënda, që është kryer prej se ekziston Policia e Maqedonisë.

Hetimi po shkon mirë. Ne e dimë se kush dhe kur e ka sjellur këtë makinë nga jashtë, por do të duhet kohë deri në përmbylljen e analizave, që janë në rrjedhë e sipër. Ne u kemi bërë thirrje të gjitha shteteve fqinje, që të ndihmojnë me çfarëdo informacione, që do t'i shërbenin hetimit të rastit”, deklaroi Jankullovska.

Duke folur për protestën e mbrëmshme në Shkup, ku sipas saj kanë marrë pjese rreth një mijë persona, Jankullovska tha se janë arrestuar 14 vetë të përfshirë në përleshjet me policinë, me ç’rast dy policë morën plagë të rënda, ndërsa u sulmuan edhe tre qytetarë të përkatësisë entike shqiptare.

Ndërkohë, për gjendjen e krijuar ka reaguar edhe Lidhja Socialdemokrate e Maqedonisë në opozitë, e cila kërkoi nga organet e rendit zbardhjen e shpejtë të rastit, ndërsa nga qytetarët që të përmbahen nga aktet e dhunës.

Ne e ndajmë dhembjen dhe revoltën e qytetarëve, por nuk guxojmë të lejojmë të krijohet atmosferë e ndarjeve ndëretnike, akuzave dhe dënimeve”, tha Andrej Petrov, sekretari i përgjithshëm i LSDM-së.


Shkup: Qetë dhe me thirrje për përmbajtje nga dhuna


Situata të martën në Shkup paraqitet relativisht e qetë, pas protestave të dhunshme të organizuara të hënën në mbrëmje para Qeverisë së Maqedonisë, në shenjë revolte ndaj vrasjes së pesë maqedonasve të enjten, në afërsi të fshatit Smillkovë të Shkupit.

Nëpër qytet vërehet prani e shtuar e forcave policore, në veçanti në zonat me popullatë të përzier etnike, por, edhe pranë godinave të institucioneve shtetërore.

Nga Ministria e Punëve të Brendshme njoftuan se në përleshjet me protestuesit janë lënduar më lehtë dy pjesëtarë të forcave të sigurisë, ndërsa tre qytetarë janë sulmuar nga turma e demonstruesve.
Policia gjithashtu bëri të ditur ndalimin e dhjetëra personave, në mesin e të cilëve janë edhe pesë fëmijë.

Nga ana tjetër, zëdhënësi i Qeverisë së Maqedonisë, Muhamet Hoxha, duke komentuar gjendjen e sigurisë, i ka bërë thirrje qytetarëve, pavarësisht përkatësisë së tyre etnike, që të mos bien në provokime apo të spekulojnë me motivet dhe përkatësinë etnike të autorëve të vrasjes së pesëfishtë.

Kërkojmë nga qytetarët, pavarësisht përkatësinë e tyre etnike, që të mos bien pre e provokimeve të ndryshme. Po ashtu, kërkojmë që të mos spekulohet me motivet e kësaj vrasjeje, por kërkojmë që të lejohet apo t'i jepet hapësirë organeve të rendit që të zbardhin rastin, dhe autorët e kësaj vrasjeje të dalin para organeve të drejtësisë dhe të marrin dënimin e merituar”, deklaroi zëdhënësi i qeverisë, Muhamet Hoxha.

Ndërkohë, lidhur me situatën, kanë reaguar edhe nga sektori civil shqiptar duke kërkuar nga të gjithë qytetarët që të ruajnë gjakftohtësinë dhe të përmbahen nga veprime të pamatura, të cilat mund të kenë pasoja të paparashikueshme për stabilitetin dhe sigurinë në vend.

Lëvizja qytetare “Zgjohu”, gjithashtu dënoi tendencat për fajësimin kolektiv të shqiptarëve për çdo dukuri negative që ndodh në vend.

“Kërkojmë nga organet e sigurisë që të mos lejojnë shfryrje raciste-nacionaliste ndaj shqiptarëve nga ana e grupeve të udhëhequra nga ideologji fashizoide”, thuhet në reagimin e lëvizjes qytetare Zgjohu.

Edhe organizata joqeveritare “Ilirikum Libertas” ka reaguar.

Ne kërkojmë që faktori politik shqiptar, sidomos ai në qeveri, që ta luajë rolin e vet, ta marr situatën nën kontroll, që gjendja të mos përshkallëzohet edhe më tej, sepse mendojmë se kjo është shumë e rrezikshme për të ardhmen e vendit dhe për të gjithë qytetarët, pa dallim përkatësisë së tyre etnike”, tha Valon Kurtishi.

Ndërkohë, Vllado Popovski, profesor universitar, dhe një nga ekspertët që mori pjesë në hartimin e Marrëveshjes së Ohrit, dyshon që vrasja mund të jetë vepër e qarqeve të caktuar që, siç thotë ai, dëshirojnë që të mos ketë paqe mes etniteteve të ndryshme në Maqedoni.

Ka qarqe të caktuara të cilat dëshirojnë që marrëdhëniet mes bashkësive etnike të mbeten të tendosura. Derisa nuk zbulohen motivet e këtij akti të rëndë, mund të ketë pasoja ndaj raporteve ndëretnike, të cilat janë të brishta për shkak të ngjarjeve të ndryshme që kanë ndodhur”, tha Popovski.

Ai shtoi se me protestat, siç ishte ajo e mbrëmshme, nuk zgjidhet asgjë, në veçanti nëse tentohet që në to të apostrofohet dikush për vrasjen, pasi për hetimin përgjegjës janë vetëm se institucionet.

Ndryshe, Ministria e Brendshme, një ditë më parë tha se ka zbuluar një automjet që besohet të ketë lidhshmëri me vrasjen e pesë maqedonasve, por hetimet për këtë janë duke vazhduar.
XS
SM
MD
LG