Ndërlidhjet

Breiviku – i papenduar në deklaratën e tij


Polici ia largon prangat Breivikut në gjykatë
Polici ia largon prangat Breivikut në gjykatë
Vrasësi masiv që i ka pranuar vrasjet, Anders Bering Breivik, sot e ka paraqitur deklaratën e tij të hapjes në një gjykatë të Oslos.

Ai ka deklaruar se ndjehet i pafajshëm ndaj akuzave për vrasjen e 77 personave në korrik të vitit të kaluar, duke thënë se ka vepruar në “vetëmbrojtje”.

Në deklaratën e tij, Breivik e ka përshkruar veprimin e tij si “sulmin politik më të sofistikuar dhe më spektakular në Evropë që nga Lufta e Dytë Botërore”, dhe theksoi se kështu do të vepronte përsëri.

Sot, më herët gjatë ditës, gjykata në Oslo e ka shkarkuar njërin nga tre anëtarët e jurisë, për shkak të komenteve të tij në Facebook, se Breiviku e meritonte dënimin me vdekje.

Gjyqtari-porot, Thomas Indreboe, në komentet e tij në ditën pasi ishte bërë masakra, kishte shkruar se “dënimi me vdekje është e vetmja finale korrekte në këtë rast”.

Në sistemin juridik në Norvegji nuk ekziston dënimi me vdekje.

Gjykimi i vrasësit të tetë personave në Oslo dhe i 69 të tjerëve në ishullin Utoja ka filluar dje.

Nëse dënohet dhe vërtetohet se është normal, ai mund të dënohet me 21 vjet burg – periudhë që mund të zgjatet nëse ai konsiderohet i rrezikshëm.

Nëse shpallet i çmendur, Breivik mund të dërgohet në spital psikiatrik për një kohë të pakufizuar.
XS
SM
MD
LG