Ndërlidhjet

Jankullovska: Kërkohet ndihmë nga shtetet fqinje për zbardhjen e rastit


Ministrja e brendshme e Maqedonisë Gordana Jankullovska
Ministrja e brendshme e Maqedonisë Gordana Jankullovska
Ministria e punëve të brendshme e Maqedonisë njoftoi se hetimi për zbulimin e autorëve të vrasjes së pesëfishtë në afërsi të Shkupit, po zhvillohet me intensitet të lartë dhe se pista e hetimeve është përqëndruar në makinën e zbuluar ditë më parë, e që dyshohet të jetë përdorë nga autorët e krimit.

Ministrja Gordana Jankullovska tha se është kërkuar ndihmë edhe nga shtetet fqinje për zbardhjen e rastit, pasi është ndër veprat më të rënda, që është kryer prej se ekziston policia e Maqedonisë.

“Hetimi po shkon mirë. Ne e dimë se kush dhe kur e ka sjellur këtë makinë nga jashtë, por do të duhet kohë deri në përmbylljen e analizave, që janë në rrjedhë e sipër. Ne u kemi bërë thirrje të gjitha shteteve fqinje, që të ndihmojnë me çfarëdo informacione, që do t'i shërbenin hetimit të rastit”, deklaroi Jankullovska.

Duke folur për protestën e mbrëmshme në Shkup, ku sipas saj kanë marrë pjese rreth një mijë persona, Jankullovska tha se janë arrestuar 14 vetë të përfshirë në përleshjet me policinë, me ç’rast dy policë morën plagë të rënda, ndërsa u sulmuan edhe tre qytetarë të përkatësisë entike shqiptare.

Ndërkohë, për gjendjen e krijuar ka reaguar edhe Lidhja Socialdemokrate e Maqedonisë në opozitë, e cila kërkoi nga organet e rendit zbardhjen e shpejtë të rastit ndërsa nga qytetarët që të përmbahen nga aktet e dhunës.

“Ne e ndajmë dhembjen dhe revoltën e qytetarëve, por nuk guxojmë të lejojmë të krijohet atmosferë e ndarjeve ndëretnike, akuzave dhe dënimeve” deklaroi Andrej Petrov, sekretari i përgjithshëm i LSDM-së.
XS
SM
MD
LG