Ndërlidhjet

logo-print

NATO: Diskutohet strategjia dalëse

  • RFE /RL

Ministrat e jashtëm të vendeve anëtare të NATO-s

Ministrat e jashtëm të vendeve anëtare të NATO-s


Ministrat e jashtëm të vendeve anëtare të NATO-s, janë mbledhur në takim dyditor në Bruksel për të diskutuar strategjinë e tërheqjes ushtarake nga Afganistani.

Shumica nga 130 mijë trupat e misionit të udhëhequr nga NATO, pritet të lënë Afganistanin në vitin 2014, kur përgjegjësia e plotë për sigurinë do t’i dorëzohet forcave afgane.

Ministrat e Jashtëm dhe të Mbrojtjes të 28 vendeve anëtare pritet të diskutojnë se sa trupa të NATO-s do të mbesin pas vitit 2014, krahas çështjes se kush sa do të paguajë për qëndrueshmërinë e forcave afgane në planin afatgjatë.

Sekretari i përgjithshëm i NATO-së, Anders Fog Rasmusen duke folur në Bruksel përsëriti përkushtimin e NATO-s edhe pas vitit 2014, duke thënë se do të vazhdohet me trajnimin dhe ofrimin e fondeve për forcat afgane.

Mesazhi im për armiqtë e Afganistanit është shumë i qartë. Kot që na prisni të largohemi. Derisa ne gradualisht zvogëlohemi, një forcë e fuqishme afgane po merr përgjegjësinë për të mbrojtur popullin afgan kundër brutalitetit dhe johumanitetit. Prandaj, ne do të vazhdojmë të mbështesim forcat afgane edhe pas vitit 2014. Ne do të vazhdojmë që të trajnojmë misionin dhe do ta mbëshesim financiarisht”, ka thënë Rasmusen.

Shtetet e Bashkuara pritet që t’iu kërkojnë partnerëve ndërkombëtarë që të ofrojnë çerekun e shumës prej katër miliardë dollarësh në vit, sa vlerësohet të kushtojë mbështetja për forcat afgane.

Uashingtoni raportohet se po shikon që shtetet tjera të paguajnë një miliardë në vit, përderisa vetë ofron 3 miliardë dollarë.

Si pjesë e strategjisë dalëse, NATO planifikon që të trajnojë 35 mijë ushtarë afganë dhe policë deri në fund të këtij viti, për të përmbushur vakuumin e lënë nga tërheqja e trupave ndërkombëtare.

Numri pritet që të jetë më i madh dhe forcat më të qëndrueshme në vitin 2015.

Përkushtimi final për financimin e forcave afgane të sigurisë pritet të bëhet i ditur në samitin e NATO-s në Çikago në muajin e ardhshëm.

Takimi në Bruksel vjen pas një vale të sulmeve të koordinuara vrasëse në Kabul dhe në tri qytete tjera, që ndodhën të dielën, nga të cilat u vranë 35 kryengritës, 11 anëtarë të forcave afgane tët sigurisë dhe katër civilë.

Rasmusen konfirmoi se sulmet kanë ndihmuar për të vënë në pah sfidat që shtrihen përpara, por, po ashtu u shpreh se sulmet treguan fuqinë e forcave afgane të sigurisë, që u morën me situatën dhe mundën militantët.

"Kemi parë disa sulme spektakulare dhe të koordinuara, që u bënë tituj në media, por është fakt se armiqtë e Afganistanit nuk po mund të ngulin këmbët në Afganistan. Kemi parë forcat afgane të sigurisë që u morën shumë mjeshtërisht dhe në mënyrë profesionale me këto sfida të sigurisë”, tha Rasmusen.

Ministri i jashtëm rus, Sergei Lavrov, pritet të marrë pjesë në takim të enjten, për të diskutuar për sistemin mbrojtës raketor të aleancës veri-atlantike në Evropë, që kundërshtohet fuqishëm nga Moska.(a.i.)
XS
SM
MD
LG