Ndërlidhjet

Shpresojnë të marrin pjesë në Olimpiadë


Londër
Londër
Kanë mbetur edhe rreth 100 ditë deri në fillimin e Lojërave Olimpike, që mbahen në Londër, ndërkohë që Komiteti Olimpik i Kosovës dhe institucionet qeveritare përgjegjëse për sportin, thonë se janë duke i bërë të gjitha përpjekjet që sportistët kosovarë, të cilët kanë arritur normat olimpike, të jenë pjesëmarrës në këtë olimpiadë.

Besim Hasani, kryetar i Komitetit Olimpik të Kosovës, thotë se për të marrë pjesë në Lojëra Olimpike, Komiteti Olimpik i Kosovës duhet të anëtarësohet në Komitetin Olimpik Ndërkombëtar, ndërkaq, kusht për këtë është pranimi me të drejta të plota i së paku 5 federatave të ndryshme të sporteve të Kosovës në federatat gjegjëse ndërkombëtare. Në këtë kuptim, sipas Hasanit, Kosova deri më tash ka 4 federata të pranuara.

“Gjatë muajit maj, presim të shqyrtohen edhe dy kërkesa të federatave të Kosovës, të cilat kanë aplikuar dhe shpresojmë që së paku një prej tyre të pranohet me të drejta të plota, në mënyrë që të plotësohet krejtësisht kriteri teknik, që 5 federata olimpike të Kosovës të jenë të anëtarësuara në federatat përkatëse ndërkombëtare. Ndërsa, kriteri i dytë është më tepër i karakterit politik, sepse ka të bëjë me njohjen e pavarësisë së Kosovës nga më shumë shtete”, thotë Hasani.

Kriteri, i cili ka natyrë politike, sipas Hasanit, është njohja e Kosovës nga më shumë shtete dhe pranimi i saj në Kombet e Bashkuara. Por, siç thotë ai, nëse një gjë e tillë nuk arrihet, megjithatë ekzistojnë edhe mënyra të tjera që sportistët kosovarë të marrin pjesë në Olimpiadën 2012 në Londër.

“Nëse kjo nuk ndodh, atëherë mbeten variantet tjera rezervë, disa praktika, të cilat i ka bërë Komitetit Olimpik Ndërkombëtar edhe në të kaluarën, duke lejuar sportistët e një vendi që nuk e ka të pranuar Komitetin Olimpik, të marrin pjesë individualisht dhe nën flamurin olimpik ndërkombëtar. Kështu që ne, pasi kemi sportistë që kanë arritur normën olimpike - tashmë është e njohur për të gjithë dashamirët e sportit Majlinda Kelmendi, është e katërta në ranglistën olimpike dhe botërore, do të thotë e ka arritur normën, dhe ajo patjetër duhet të marrë pjesë në Lojëra Olimpike”, sqaron Hasani.

Hasani thotë se Kosova ka edhe disa sportistë të tjerë që kanë arritur normat olimpike në disiplinat përkatëse sportive. Sipas tij, Komiteti Olimpik i Kosovës, në vazhdimësi është duke bërë përpjekje që t’i bindë mekanizmat e Komitetit Olimpik Ndërkombëtar që sportistëve kosovarë t’u bëhet e mundur pjesëmarrja në Lojërat Olimpike në Londër.

Lidhur me këtë çështje, përpjekje të shtuara është duke bërë edhe Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit. Këtë e pohon edhe Malësor Gjonbalaj, këshilltar politik i ministrit të Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Memli Krasniqi.

“Përpjekjet tona kanë rezultuar si të suksesshme dhe takimet e fundit që i kishte ministri i sportit në Kombet e Bashkuara mendoj se na japin shumë shpresë për një të ardhme më të mirë të sportit kosovar”, shprehet Gjonbalaj.

Gjonbalaj shton se Ministria e Kulturës po bën përpjekje që t’i shfrytëzojë të gjitha mundësitë për të arritur plotësimin e kritereve që nevojiten si parakusht për pjesëmarrjen e sportistëve kosovarë në Lojërat Olimpike.

“Ministri në çdo takim, me çdo zyrtar, në veçanti me njerëzit më kompetentë, drejtues të sportit botëror dhe evropianë, po e shfrytëzon këtë atu që të tregojmë se tash ne jemi shtet i pavarur dhe e kemi të drejtën tonë legjitime. Sidomos po i ‘atakojmë’ ato federata, në të cilat statuti i tyre nuk është pengesë për pranimin e federatave tona kombëtare”, thekson Gjonbalaj.

Ndryshe, deri më tash, federatat që kanë arritur anëtarësimin me të drejta të plota në federatat ndërkombëtare gjegjëse, janë Federata e Xhudos, Federata e Ping-pongut, Federata e Peshëngritjes dhe Federata e Shigjetarisë.
XS
SM
MD
LG